KUVEND/ Berisha bën bilancin e Qeverisë, në fokus arrestimi i Mark Frrokut dhe shpërthimet me tritol

Jul 27, 2015 | 19:26
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha në seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, bëri një bilanc të qeverisjes së majtë duke kritikuar kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e tij.

Berisha ne Parlament (foto arkiv)
Berisha ne Parlament (foto arkiv)

Berisha tha se nuk mund të rrinte pa përmendur një sërë ngjarjesh të rëndësishme që sipas tij, tregojnë se keq ka qeverisur maxhoranca në një vit.

Ish-kryeministri e nisni bilancin me ‘aferën Meta Doshi në fillim të shtatorit’ dhe me dorëheqjen e ish-deputetes socialiste Liza Xhuvani, pas arrestimit të djalit të saj me akuzën e katër vrasjeve nga policia e Tiranës.

“Në dhjetor, policia ndalon Mark Frrokun në Laprakë, Edi Rama urdhëron lirimin  e tij pasi kishte në makinë kryetrafikantin. Në janar vjen kërkesa nga Brukseli për Mark Frroku. Fshihet për tre muaj kërkesa dhe kur del problemi, Saimir Shullazi arreston si egërsirë dy punonjës të Interpolit, sepse ata kishin njoftuar. Pasi e mbajtur një muaj, e liruan”,-deklaroi Berisha.

Ndërsa u ndal edhe tek kapja e laboratorit të Kokainës në Xibrakë. “Uzina e partisë, e Xibrakës… të marrin tabulatet, ua them unë me emër e mbiemër. Trusti i hakmarrjes, pasuritë e hakmarrjes janë në pronësi të Edi Ramës. Ka punësuar edhe dy familjarë aty, Oslin e dikë tjetër”,-tha Berisha.

Një tjetër ngjarje sipas tij ishin edhe shpërthimet me tritol. “Banda e partisë e tritolit. Cfarë ndodhi me këtë. Na doli ministri dhe tha se ky kishte vrarë 27 vetë. 27 shpirtra kishte marrë ky në Greqi e në të gjithë Ballkanin. Paçka se nuk ia merrnin padinë. S’ja merrte padinë Durrësi, Tirana, sepse thuhet se ka lidhje direkte me Tahirin. Nuk i bindej partia.”,-tha ai.

Duke u ndalur tek seanca e posaçme për “Turizmin”, Berisha kritikoi kryeministrin Edi Rama për kthimin e Parlamentit në seksion të partisë së tij. Ai tha se nuk mund ta votonte projektligjin “Turizmin”, për shkak se dhunon Kushtetutën dhe konventat që Shqipëria ka firmosur.

“Këtë ligj nuk mund ta votoj sepse si në asnjë vend tjetër të planetit përveç Koresë së Veriut, as në Shqipërinë e Enver Hoxhës, nuk merret çdo kompetencë e qeverive lokale për t’u përqendruar në duar të sivllaut të tij Kokëdhima. Nuk mundet kurrë që të dhunohet Kushtetuta dhe praktika botërore dhe konventa ndërkombëtarë që Shqipëria i ka firmosur, siç i dhunon ky ligj sikur po ecim drejt Koresë së Veriut e jo Bashkimit Europian”,-deklaroi Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura