“Ju bëjmë vrima-vrima”- Shoku i Aurelios tregon mes lotësh momentet e fundit të jetës së 18-vjeçarit: Po mbahej tek hekurat! Sapo vrapuam drejt tij ra në tokë

Apr 3, 2024 | 12:52
SHPËRNDAJE

Shoku i Aurelio Dervishit ka treguar përballjen me agresorët mbrëmjen e 31 marsit dhe momentin e goditjes me thikë të 18-vjeçarit që i shkaktoi vdekjen.

evis

Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti, Mario ka treguar se pasi Frensis Shehu i bllokoi rrugën me makinë, kërkuan të largoheshin nga vendngjarja, pasi nuk donin të konfliktoheshin.

Sipas tij, 20-vjeçari i kërcënoi duke u thënë se “do ju bëjmë vrima-vrima” dhe i kërkoi shokut të tij të nxirrte thikën.

I riu rrëfeu se në atë moment filloi përplasja mes tyre dhe kur arriti të largohej nga  agresorët, pa Aurelio Dervishin që po qëndronte i mbështetur tek hekurat në korsinë e biçikletave.

Mario u shpreh se në atë moment vrapuan drejt tij, por 18-vjeçari ra pa ndjenja në tokë.

LEXONI EDHE: “Vajzat dolën duke qarë nga makina, tentuan ta qetësonin Aurelion, por…”- Vrasja e 18-vjeçarit, dy shokët tregojnë dinamikën: I bëmë thirrje shoferëve të mjeteve në semafor, por s’na ndihmuan

“Nuk ngjante mirë të konfliktoheshim, kërkuam që të largoheshim pasi ishte turp, por ata kishin bllokuar edhe rrugën.

Thoshin fjalë provokuese; “Kush do ikë… do ju bëjmë vrima-vrima. Në momentin që po qetësoheshim, Frensis në një moment i ka thënë 15-vjeçarin që nxirre thikën. Nuk donim që të niste si konflikt. Ata erdhën me pretekstin pse ne po qeshnim. Ishim 5 persona, po bënim muhabete për të qeshur.

Gjatë konfliktit, kur personi nxori thikën, Frensis godet Renin, ishte moment i shpejtë. Ka qenë korsia e gjerë dhe sherri ka marrë nga të dy krahët, tek trotuari dhe korsia e biçikletave. Në moment të fundit po më godisnin mua, po ruhesha mos më godisnin me hekur. Në moment të fundit u shkëputa, sepse nuk po shihnim Aurelion.

Aurelio nuk ishte komplet në tokë, por tek hekurat mbajtëse tek korsia e biçikletave, ishte gjysmë shtrirë. Kur vrapuam drejt tij ra pa ndjenja në tokë. Kur e dorëzuam në ambulancë, në fillim na thanë që është në kohë dhe më pas na shoqëroi policia në komisariat. Na merrnin shokët në telefon që ka vdekur, hapa lajmet dhe aty mësuam që ka mbaruar. Aty e humba. Na u duke e pabesueshme sepse ishte edhe trup i madh”, tha ai.

Aurelio Dervishi po udhëtonte me makinë së bashku me dy shokët e tij, Renin dhe Marion, si edhe dy vajza të moshës 16 dhe 17-vjeçe, kur tek semafori tek rrethi i Shkozës në Tiranë, Frensis Shehu u ka bllokuar rrugën.

Dy shokët e viktimës kanë rrëfyer se 20-vjeçari iu është drejtuar me fjalët: “Pse qeshni?”, ndërsa 17-vjeçarja që ndodhej në mjet me ta i ka treguar se ka pasur njohje me Frensis Shehun.

Pas krimit në pranga kanë rënë Frensis Shehu dhe tre të miturit, 2 të moshës 16 vjeç, dhe një 15 vjeç. Dyshohet se ky i fundit ka goditur me thikë Aurelio Dervishin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura