“Kush e ka radhën”, një inkurajim amerikan për Drejtësinë

Nov 22, 2018 | 16:36
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/ prec zogajKush e ka radhën” ishte pyetja përmbyllëse e deklaratës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në mbështetje të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin me katërmbëdhjetë vite heqje lirie të Emiliano Shullazit dhe me dyzet vite në total të pjesëtarëve të tjerë të grupit të tij. Të njëjtën pyetje në formën e hashtagut, ambasada e përsëriti pardje në një deklaratë tjetër, në të cilën pasi pohonte se Gjykata e Apelit të Tiranës kishte dëgjuar argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinajn, shtonte: “Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin”.

Mediat dhe opinioni publik janë intriguar shumë nga hashtagu “kush e ka radhën”. Dhe janë vënë në kërkim të emrave si të ishin duke gjetur një pyetje enigmë. Hamendjet janë një potpuri dhe në fakt kurioziteti i gjerë ka shpjegim. Nuk mbahet mend të këtë ndodhur më parë që ambasada e SHBA-ve t’i këtë shoqëruar deklaratat e saj me një shprehje të formuluar si pyetje, por që në të folurën tonë nuk ka kuptimin e pyetjes. “Kush e ka radhën” ka kuptimin e një pohimi dhe paralajmërimi të mbështjellë me enigmë, ngacmim, nxitje. Prapa mbështjelljes ka fytyra dhe emra, sigurisht. Që do t’i mësojmë në aulat e drejtësisë.

Përtej joshjes për të bërë emra, në qëndrimet dhe hashtagun e ambasadës amerikane ka disa elementë me rëndësi të madhe për gjithë kontekstin e luftës kundër krimit në Shqipëri sot dhe nesër.

E para, që me siguri u ka rënë në sy gjithë shqiptarëve, lidhet me impenjimin e fortë të ambasadës amerikane dhe punonjësve të saj për çështjet konkrete të funksionimit të drejtësisë në Shqipëri, edhe në këtë periudhë kur ambasada drejtohet nga e ngarkuara me punë, zonja Leyla Moses-Ones. Ky fakt domethënës tregon qartë se shëndoshja e sistemit politik dhe e drejtësisë, vendosja e sundimit të ligjit dhe e ndëshkueshmërisë në sferat e larta janë një politikë konstante afatgjatë e Uashingtonit në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Kështu ka qenë dje me Presidentin Obama, është sot me Presidentin Trump, do të jetë nesër nëse Trump rifiton zgjedhjet apo me një President tjetër.

Ambasada amerikane në Tiranë zbaton këtë politikë. Qoftë kur drejtohet me ambasador, qoftë kur për arsye strikte burokratike drejtohet nga një i ngarkuar me punë. Gjithkush që nuk e ka marrë vesh, nuk e ka ditur, nuk ka dashur ta dijë apo është manipuluar sikur politikën e SHBA-ve në Tiranë nuk e përcakton Departamenti i Shtetit dhe Presidenti, ka rastin të sqarohet. Dhe të kuptojë se diplomatët e lartë në krye të ambasadës sjellin në punë shenjat e personalitetit dhe stilit të tyre vetjak, por përsa i përket përparësive politike, që ndjekin, janë shërbëtorë të shtetit të tyre. Se mos vetëm amerikanët! Të gjithë diplomatët e botës politikën e shtetit të tyre shërbejnë.

Duke bërë këtë pohim dhe duke vlerësuar me mirënjohje të ngarkuarën me punë, zonjën Leyla Moses-Ones, duhet të themi se ardhja e ambasadores së re, zonjës Ketlin An Katalec, pritet t’i japë tone dhe impulse të reja zbatimit të Reformës në Drejtësi. Parashikimi është logjik, duke qenë se ardhja e saj përkon në kohë me fazën finale të implementimit të Reformës dhe me fillimin e funksionimit të organeve të drejtësisë së re. Kjo do të jetë periudha kur do të ngrihet e do të fillojë nga puna SPAK-u, Prokuroria e Posaçme që do të hetojë korrupsionin, abuzimet dhe krimet në sferat e larta drejtuese gjatë periudhës së tranzicionit. Si bashkautorë të hartimit të Reformës në Drejtësi, SHBA-të janë e do të jenë deri në fund protagonistë të zbatimit të saj. Kjo erë e re e përballjes së drejtësisë me krimin dhe të keqen ka nisur të fryjë sa pa filluar ende nga puna drejtësia e re. Janë me dhjetëra prokurorët dhe gjyqtarët, që po i referohen me kurajë të shtuar ligjit dhe vetëm ligjit në pretencat dhe vendimet që po japin ndaj të pandehurve, që deri dje konsideroheshin të paprekshëm falë lidhjeve të tyre politike.

Dhe ja, ku vijmë tek elementi i dytë me rëndësi, që mund të ishte i pari në fakt, i hashtagut amerikan “kush e ka radhën”. Është një inkurajim i fortë i prokurorëve dhe gjyqtarëve për të mos u ndalur nga korrupsioni dhe allishverishet, për të mos u trembur nga presionet dhe frika. “Kush e ka radhën” mund të lexohet edhe “vazhdoni me çështjet e radhës. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe më i fortë se ligji”.

Nuk diskutohet se agjencitë e vendeve partnere amerikane dhe europiane kanë emra dhe të dhëna konkrete për grupe kriminale shqiptare të përfshirë në krime të rënda apo për politikanë që kanë abuzuar me pushtetin. Barrën e akuzimit dhe gjykimit të tyre e kanë prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë. “Kush e ka radhën” është një mesazh aspak abstrakt që vendi më i interesuar për mbarëvajtjen e demokracisë në Shqipëri u përcjell prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë për të bërë drejtësi, pa bota le të përmbyset, siç thotë postulati i famshëm. Cilido qoftë individi që ka shkelur ligjin. Por “kush e ka radhën” është edhe një paralajmërim se dënimet e dhëna janë vetëm fillimi i gjykimeve në nivele gjithnjë e me të larta, pra, i një procesi të jashtëzakonshëm në përfundim të të cilit pandëshkueshmëria në sferat e larta, gangrena më e madhe e demokracisë sonë, pritet të arkivohet si një aksident i rëndë i historisë.

Rruga është e gjatë, shpresa është e madhe. “Kush e ka radhën” tingëllon si refreni i këtij udhëtimi drejt vendosjes së plotë të sundimit të ligjit. Në shtetin e së drejtës që ka në princip barazinë e të gjithëve para ligjit, drejtësia e standardeve perëndimore as paragjykon, as diferencon. Nga kjo pikëpamje zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë, ata që ndihen të pafajshëm, nuk ka pse t’i shqetësojë asgjë që inkurajon prokurorët e gjyqtarët për t’u shkuar në fund proceseve të nisura. E thoshte Nikola Makiaveli, pesë shekuj më parë, se akuzat e zbardhura në rrugë ligjore i bëjnë mirë shoqërisë, ndërsa akuzat, që u lihen shamatarëve të rrugëve vetëm e helmojnë atë. Kjo nuk ka ndryshuar. Nëse ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ndihet i pafajshëm, ai mund ta kërkonte apo miratonte vetë atë që kërkon ambasada amerikane nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Tahiri ka marrë një vendim nga Gjykata e Katanias në Itali, në të cilin thuhet se ajo gjykatë nuk ka gjetur prova të veprës penale në ngarkim të tij. Kjo e ka çliruar atë nga akuzat, që u ngritën kundër tij në Itali gjatë hetimit të bandës së Habilajve. Është një gjë pozitive për të, pa dyshim. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri po heton për akuza të tjera në ngarkim të tij. Akuza për të cilat nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit. Kjo është e vërteta. Këtë ka parasysh, sipas mendimit tim, ambasada amerikane kur i kërkon Prokurorisë, që sundimi i ligjit të zbatohet edhe gjatë hetimit të Tahirit. Deklarata të tilla besoj se do të dëgjojmë gjithnjë e më shpesh nga ambasada e shtetit, që bashkë me autorësinë ka marrë përsipër edhe të bashkëfinancojë funksionimin e organeve të drejtësisë së re. Janë parimore si deklarata. Por janë edhe ndërhyrje në momentin e duhur për të mos lejuar pazaret dhe lojërat e vjetra politike të pandëshkueshmërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura