“Kur shkruaja ‘Vila me tri porta’, qaja”, Vera Bekteshi: Emocionalisht ishte e vështirë

Nov 14, 2020 | 20:55
SHPËRNDAJE

Panairi i 23-të i Librit solli për lexuesin shqiptar botimin e tretë të romanit autobiografik “Vila me tri porta” të shkrimtares Vera Bekteshi.

125073284_4142998502383621_7289718568603464382_n

Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, me praninë e pedagogëve, shkrimtarëve dhe dashamirësve të autores, u organizua promovimi i këtij botimi, shoqëruar me një diskutim mbi vlerën dhe rëndësinë e letërsisë së kujtesës.

Botimi i tretë, me një kopertinë të re nga Arben Theodhosi, shok i brezit në Bllok dhe bashkëvuajtës në persekutimin komunist, me elementin e flokëve që identifikojnë autoren, si një pikë referimi rreth së cilës zhvillohet dhe vërtitet gjithë historia e jetës së një vajze, e një familjeje, e një klase shoqërore, erdhi si kërkesë e lexuesve, e kërshërisë së tyre për të zbuluar një tjetër dimension real, faktik, të një periudhe sa të dhimbshme, aq edhe të errët dhe me shumë të panjohura. Libri sjell historinë e vërtetë të familjes së gjeneral Sadik Bekteshit përmes rrëfimit të së bijës, nga jeta në ish-Bllok, internimi dhe më pas liria dhe përpjekja për një rifillim të ri, në një “botë” që tashmë po hidhte themelet mbi të vjetrën.

Drejtuesja e UET Press, Suela Mino, theksoi se lexuesi kërkon ta ketë romanin “Vila me tri porta” për shkak të mesazhit që mbart dhe urave të komunikimit që autorja ndërton me lexuesin, teksa e cilësoi këtë libër si një himn mbi jetën.

“Jemi në situatë që ‘Vila me tri porta’ botohet për herë të tretë, sepse kërkohet, se lexuesi do ta ketë, por besoj se edhe në rrafshe të tjera që janë të rëndësishme në leximin e tekstit dhe të mesazhit që mbart dhe të urave të komunikimit që ndërton libri, autori me lexuesin. Gjithë teksti, gjithë rrëfimi, mbetet himn për jetën. Fuqia për të tejkaluar gjithë atë mjedis, atë zymtësi dhe për të bërë art, është një fuqi që e veçon dhe besoj përkufizon edhe marrëdhënien solide të këtij libri me lexuesin shqiptar”, u shpreh Mino.

125181368_4144433848906753_3461341722029178221_n

Ndërsa shkrimtari Loer Kume, fituesi i “Çmimit Kadare”, solli në vëmendje edhe botime të tjera të autores, siç ishte edhe “Grupi Bella Ciao”, i vlerësuar me c?mimin “Libri i Karantine?s”. Kume vlerësoi kontributin e librave të autores dhe dimensionet e reja që sjell për letërsinë shqiptare.

TË ZBULOSH TË MIRËN MES SË KEQES

Romani “Vila me tri porta” vjen pas botimit të romanit “Vila me dy porta” në vitin 2014, ku autorja sillte dy portat e jetës së saj, atë të para internimit dhe më pas internimin, apo siç edhe i ka quajtur, parajsa dhe ferri. Më pas, Bekteshi vendosi që t’i shtojë këtij romani portën e tretë, për ta plotësuar dhe përmbyllur në një cikël jetësor, që tashmë vazhdon si një purgator, në përpjekjen për të gjetur jetën e re dhe për të “rehabilituar” e shëruar veten nga gjithë fatkeqësia e jetuar. Mes të pranishmëve, Bekteshi ndau momente nga procesi i përpunimit të këtij romani, duke zbuluar edhe arsyen pse vendosi që ta botojë pas 20 vitesh që kishte dalë nga internimi. Një rikthim në kohë, një rijetim i dytë përmes kujtimeve dhe memorizimeve të atyre viteve, shoqëruar me një katarsis dhe çlirim të fortë, që dukej se ishte mbajtur brenda për vite të tëra.

“Në momentet që vendosa të shkruaja, ulesha në kompjuter dhe më vinin të gjitha mendimet, madje më vinin edhe aromat e fshatit. Për të shkruar e pata shumë të vështirë emocionalisht. Duke shkruar, unë qaja pa pushim. Aty e zëvendësova vuajtjen, sepse në internim nuk e kisha ndjerë aq. Gjatë shkrimit qava dhe u çlirova. Librin e botova gati 20 vjet pas internimit, sepse u mbushëm kaq shumë me qarjet e njerëzve dhe nuk ndihesha mirë kur i dëgjoja. Doja të vija me diçka që të mos i mërziste njerëzit”, tregoi autorja.

Rrëfimi përshkohet nga ironia dhe grotesku, si mënyrë stilistikore e zgjedhur nga autorja për të treguar gjithë ironinë fatit të familjes dhe kohës. Po pavarësisht përmbysjes së gjithë jetës të ndërtuar deri në periudhën e internimit, vuajtjeve të kaluara pastaj në fshat, mes pamundësive e punëve të rënda, Vera Bekteshi zbulon anën pozitive, të mirën që erdhi prej gjithë së keqes, duke e vulosur tashmë si një shkrimtare të lexuar, të vlerësuar dhe që do të mbetet gjatë në letërsinë shqiptare.

124853096_4142998825716922_4679764489080055087_n

“Internimi më ka vlejtur shumë. Po të mos kishin ndodhur sëmundjet në familje, unë do ta kujtoja si pasuri të madhe këtë gjë, pavarësisht vuajtjeve, privacioneve. Unë kam studiuar Fizikë, kam punuar në kërkim dhe profesionalisht internimi më dëmtoi shumë. Nuk u bëra fizikane e vërtetë, të paktën të bëhem një shkrimtare e mirë. Përveç kësaj, njoha mirë edhe vendin tim, njoha gratë shqiptare dhe nga fshati kam kuptuar që ai është një vend grash. Diçka e tillë është edhe në qytet, pavarësisht se ka disa burra yje. Kështu që ajo periudhë më bëri të njoh gruan dhe ta respektoj jashtëzakonisht gruan shqiptare”, rrëfeu Bekteshi.

Mes së tjerash, autorja ndau me të pranishmit edhe planet e saj për sjelljen e një libri të ri, me një tematikë krejt ndryshe, duke hyrë në lëkurën e një të riu, e një të sëmuri mendor, por pa përcjellë shumë detaje, për t’ia lënë gjithçka lexuesit ta zbulojë në fund.

Ilir Yzeiri: Pse romani i Bekteshit do të mbetet në historinë e letërsisë shqiptare

Pedagogu Ilir Yzeiri solli një kritikë shteruese mbi romanin “Vila me tri porta”, duke zbërthyer me mjaft profesionalizëm dhe kujdes subjektin e këtij romani, vlerën që ai mbart, detajet e fuqishme që të ngjiten dhe mbeten gjatë të memorizuara, aq të forta dhe dramatike janë ngjarjet e jetuara dhe të përjetësuara përmes shkrimit nga dora e autores.

Yzeiri kujtoi edhe momentet e njohjes me autoren, për të cilën kishte dëgjuar në vitet ’70, për bukurinë dhe karakterin e saj, të cilat vazhdon t’i ruajë edhe sot me fanatizëm, pavarësisht peshës së ngjarjeve dhe historive jetësore që mban mbi shpatulla. “Në pamje të parë duket sikur Vera tregon sagën e familjes së saj, sepse edhe ajo ashtu e quan librin, roman autobiografik, por çfarë të befason në këtë libër është talenti i saj i spikatur për ta kthyer librin nga një vepër dokumentare, autobiografike, në një roman artistik, ku rrëfen jo vetëm fatin e saj dhe të familjes, por fatin e një shoqërie të tërë të zhytur në mjerim, varfëri, krim.

Kjo vepër meriton të studiohet në kurse të posaçme, si modeli që prish kufijtë e gjinive letrare. Autorja tregon me besnikëri historinë e familjes së saj, ardhjen nga zona e Plavë-Gucisë, ardhja në Tiranë, vendosja në një vilë të shpronësuarish, jeta universitare, shkëlqimi i përkohshëm dhe pastaj represioni i elitës komuniste. Saga vazhdon me vuajtjen në Berat, burgosja e të vëllait, vuajtjet dhe pastaj ardhja në Tiranë, jeta në godinat e kohës, arrestimi sërish i të vëllait, rifillimi i jetës dhe shuarja e shpresës për të rilindur. Nuk është trill, por narrativë rrëfimtare.

Autorja e vendos kamerën te personazhet dhe e lë atë të tregojë veprimet. Mjeshtëria e saj është se arrin të ritregojë apo të riprodhojë ngjarjet reale, duke i qëmtuar detajet. Vepra, nga letërsi dokumentare, kthehet në letërsi artistike dhe personazhet e saj nga njerëz realë me emër dhe mbiemër, kthehen në personazhe të reja që mbajnë mbi shpinë jo vetëm fatin e tyre, por edhe një kohë, një ide, një nocion të caktuar”, nënvizoi Yzeiri.

Pedagogu u shpreh më tej se romani “Vila me tri porta” është pasqyra më e plotë për një nga periudhat më të vështira të historisë shqiptare, duke dëshmuar fundin e saj në tri aspekte: në atë ekonomik, në atë politik dhe atë shoqëror.

“Përmes fatit të saj dhe familjes, autorja sjell anën më tragjike të socializmit shqiptar. Në rrafshin politik, ajo tregon luftën e egër mes klasave dhe të diktatorit për të qëndruar deri në fund me gjak, madje duke eliminuar edhe bashkëpunëtorët e tij të afërt. Në rrafshin ekonomik, sjell një pasqyrim të shkatërrimit që pëson ekonomia shqiptare, sidomos në fshat, me kolektivizimin që e ktheu popullsinë në skllavëri.

Në anën shoqërore, Bekteshi tregon shpërfytyrimin që kishte pësuar shoqëria shqiptare, e cila kishte humbur humanizmin. Ndarja klasore bëri që tjetri të shihej si armik, një copëtim social dhe ndjenja që i mbante të lidhur ishte urrejtja. Prandaj nuk pajtohemi dot sot, sepse jemi mbjellë kështu”, u shpreh Yzeiri.

Kush është Vera Bekteshi

Vera Bekteshi u lind dhe u rrit në Tiranë, në të ashtuquajturin Bllok të Udhëheqjes, si vajza e njërit prej ushtarakëve të lartë të asaj kohe, ishdrejtues komunist në Shkodër gjatë luftës, Sadik Bekteshit. Mbaroi më 1969 studimet në degën e Fizikës të Universitetit të Tiranës, po këtu dha mësim si pedagoge deri në spastrimet e mëdha të Enver Hoxhës mbi ushtarakët e lartë në vitin 1974, në kuadrin e së ashtuquajturës “Fshesë e Hekurt”. Në këtë kohë vjen divorci i imponuar dhe internimi, humbja e profesionit dhe e të drejtave më elementare, më pas arrestimi i babait dhe i vuajtje pa fund. Për gati 16 vjet, Vera jetoi e izoluar së bashku me familjen e saj në Kutalli e Vodëz të Beratit në kushtet e diskriminimit shoqëror dhe varfërisë ekstreme. Kjo periudhë e jetës së saj përbën lëndën kryesore të këtij libri. Pas kthimit në Tiranë, më 1991, punon përsëri në Institutin Hidrometereologjik. Më 1997 mbrojti doktoraturën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura