Kur ekzekutoheshin intelektualët

Nov 18, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

BESIM NDREGJONI Besim Ndregjoni

Në fund vitit 1944, 75 vite më parë, kur Lufta e Dytë Botërore po shkonte  drejt fundit dhe diktatura naziste po mundej, blloku antifashist botëror po triumfonte mbi këtë diktaturë, që u kishte shkaktuar popujve jetë njerëzish, në Shqipëri forcat komuniste kishin marrë revanshin në emër të luftës për çlirim dhe vrisnin intelektualë të pafajshëm, vetëm se ata kishin mbaruar në Perëndim dhe ishin antikomunistë.

Partia Komuniste nuk mund të pranonte që këta intelektualë, të cilët kishin ndërtuar dhe i kishin shërbyer shtetit shqiptar, t’i kishte nëpërkëmbë me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.

Kush ishin 37 intelektualët!?

Ata ishin deputetë të shtetit shqiptar në vitet 1920-1922, inxhinierë, gazetarë, profesorë, teologë dhe ushtarakë.

Ata ishin në Tiranë në profesionet e tyre, në shërbim të strukturave të shtetit shqiptar dhe jo në shërbim të pushtuesve. Ata nuk ishin pajtuar me pushtuesit. Ata i shërbenin shtetit të tyre.

Ata ishin intelektualë të pavarur, të cilët respektonin mendimin ndryshe dhe filozofia e tyre ishte që Shqipëria të ishte pjesë e bllokut të madh kundra nazizmit. Ata e respektonin filozofinë e demokracisë dhe ishin në luftë kundra diktaturës naziste, por jo për një luftë civile kundra patriotëve që kishin mendim ndryshe dhe nuk ishin dakord me ideologjinë e komunizmit. Këta intelektualë nuk kishin bërë thirrje që të luftoheshin forcat komuniste, por të bashkoheshin me forcat nacionaliste që Shqipëria të ishte pjesë e bllokut antifashist. Vrasja e organizuar nga forcat komuniste ishte një skenar tipik terrorist që të ekzekutoheshin këta intelektualë. Pushkatimet u bënë në vende të caktuara si Hotel BRISTOL, Sharrë, Tufinë, Dajt, Rr. Pisha, Rr. e Dibrës, te Shkolla e Kristoforidhit, Rr. e Kavajës. Brenda periudhës 24 tetor-16 nëntor 1944. Të gjitha ekzekutimet u bënë gjatë natës dhe në mëngjes herët. Disa të tjerë i vranë sapo i nxirrnin nga dera e shtëpisë.

Vërtetimi i këtyre vrasjeve dokumentohet dhe në veprën e diktatorit Enver Hoxha, i cili shkruan: “Kur Qeveria ishte në Berat, më vjen Sejfulla Malishova (anëtar i udhëheqjes komuniste, por me pikëpamje liberale) dhe më thotë: – Shoku Enver, po vriten intelektualë të pafajshëm në Tiranë dhe kjo është terrorizëm. Enveri përgjigjet: – Ata janë borgjezë dhe me pikëpamje perëndimore, nuk i shërbejnë kauzës sonë të proletariatit të komunizmit”. Partizanët po kryejnë detyrën. Njësitet guerile kishin mandatin e komandanteve të tyre për të kryer këto pushkatime. Veçojmë se skenari i ekzekutimit ishte dyplanësh: e para- që intelektualët të mos ishin prezentë në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe forcat komuniste e kishin më të lehtë marrjen e pushtetit. E dyta – me vrasjen e tyre të krijonin terror në popull që të heshtej rreth krimit të tyre. Masakrimi i vlerave intelektuale ishte shumë i madh, demi i pallogaritshëm për një komb. Dhimbja dhe vuajtjet njerëzore janë pjesë e kujtesës historike të popullit shqiptar. Vepra e këtyre martirëve në ditët e sotme nuk duhet lënë në harresë. Ajo do të lartësohet në epokën e rimëkëmbjes së kombit shqiptar.

Vuajmë nga pasojat posttraumatike apo vuajmë sërish faje të reja prej fajtorëve të vjetër….

Shkrimtari dhe mendimtari bashkëkohor italian, Umberto Eco, thotë: “Vetëm e vërteta do të na bëjë njerëz krejtësisht të lirë”. Atëherë, nisur nga ky postulat i Ecos, a mund ta pyes veten çdo shqiptar, në ç’masë e zotëron të vërtetën dhe, varësisht raportit të tij me të vërtetën, sa është i lirë.

Cilësia dhe progresi i individit tonë varet fort nga këmbëngulja e tij për të vendosur një raport sa më realist me të vërtetën- të vërtetën e tij, të shoqërisë ku jeton, të historisë dhe të fatit të kombit që i përket, përndryshe do të kemi një individ të sëmurë, larg mendjes së shëndoshë, të lehtë për t’u manipuluar në çdo kohë, nga çdo lloj demagogësh dhe diktatorësh, sikundër e kemi parë të ndodhë me ne jo pak herë përgjatë historisë sonë.

Shoqëria shqiptare vazhdon të mëkojë shpirtrat e njomë të gjeneratave me ushqimin më pervers të dijeve komuniste nëpër shkolla dhe përsëri ka njohur dështimin e saj në liri. Shoqëria shqiptare ushqehet dhunshëm me një treg të zi informativ, duke stimuluar dhe edukuar pa ndërprerje një ndjeshmëri dhe sensibilitet kriminal, lexuesit dhe shikuesit të saj i tunden parasysh qindra mijëra faqe gazetash dhe ekranesh me ngjyra me portrete gjakatare të diktatorëve, gjeneratat e reja mësohen me përralla detektive për lavdinë e madhe të udhëheqësve komunistë. Por kurrë dhe asnjëherë, në hapësirat e kësaj lirie të fjalës nuk u dëgjuan rënkimet e thella të plagëve tona, kurrë nuk dëgjuan përpëlitjet e shpirtrave të përvuajtur që treteshin, bjerrnin rininë dhe energjitë e tyre në zgavrat më të errëta të burgjeve komuniste. Neve na u dha liria e fjalës, por kjo fjalë deri tash po dëshmon për një deformim të gjithanshëm të njeriut shqiptar. Rrëzimi i komunizmit e gjeti shoqërinë shqiptare pa ndonjë elitë intelektuale, për sa pjesa më e madhe e inteligjencës së saj qenë bërë njësh me ideologjinë sunduese totalitare. Ata që i shërbyen regjimit nuk mund të kishin një ndërgjegje qytetare të pavarur, as mund të ishin të aftë për refleksione të thella, të ishin mësuesit dhe udhëzuesit e drejtë të daljes së shqiptarëve nga qorrsokaku gjysmëshekullor komunist. Inteligjenca shqiptare pas rënies së komunizmit kishte një kod moral të deformuar: kodin e mercenarit. Përveç kësaj, ajo u gjet në një bankrot total shpirtëror, mental, profesional. Në këtë mënyrë, ajo sikundër pritej nuk mund të luante ndonjë rol në shoqëri, përveç rolit që qe mësuar të luajë gjatë komunizmit: të vazhdonte mercenarizmin e vetë. Tashmë në një terren dhe situatë tjetër-mercenarizmi politik nëpër partitë tona postkomuniste. Ata janë sot kasta e shkrirë njësh me pushtetin politik ekonomik kulturor e arsimor. Çdo zhvillim i ri procesual që vjen pozitivisht nga brenda shoqërisë, do të ndeshet pashmangshëm me barrierën e monopoleve të tyre.

Problemi mendojmë se është bërë serioz e konfliktual: çdo përpjekje e intelektualëve të rinj që nuk i lidh gjë me trashëgiminë komuniste, paralizohet nga hierarkia survejuese, që kontrollon të gjitha dyert institucionale. Mirëpo, gjenerata e inteligjencës së re janë anitruptha që i prodhon organizmi social i shoqërisë sonë dhe ata përbejnë të vetmen forcë informale të dekomunistizimit në realitetin e sotëm, anipse shkalla e ndikimit të tyre është sot për sot, siç thashë, e paralizuar. Kësodore nuk habitemi që në shumë sfera të rëndësishme të aktivitetit frymor, shpirtëror, intelektual, ne udhëhiqemi në mos nga komunistët e djeshëm, të paktën qeverisemi nga bijtë e tyre. Një gjë është e qartë dhe e shprehim me bindje të padiskutueshme: në Shqipërinë postkomuniste ka ndodhur dështimi më i hidhur dhe më tragjik: dështimi i misionit antikomunist. Ky ishte i vetmi mision që duhej të përmbushte shoqëria e lirë dhe demokratike shqiptare, por ky mision u sabotua, u tradhtua, u braktis po nga ajo klasë politikanësh, së cilës shtresa e të persekutuarve për gjysmë shekulli, familjet dhe dyert e mëdha, e djathta konservatore tradicionale shqiptare dhe gjithë të rinjtë e paindoktrinuar me komunizëm i besuan, i mbështetën (dhe ende vazhdojnë t’i mbështesin) ndërkaq paradoksalisht, këto shtresa, si më parë gjatë komunizmit, vazhdojnë të jenë shtresa më inferiore, më e prapambetur, më e privuar nga të drejtat dhe shanset e barabarta e mandej më e fyera. Me interesat dhe ndjeshmërinë e tyre luhet vetëm në fushata elektorale, por për fatin, të drejtën dhe detyrimet ndaj tyre, zor se e çan kush kokën. Situata është në një plan krahasimor formal si e djeshmja, kjo klasë ka qenë dje e persekutuar, është përsëri dhe sot e lënë mbas dore. Në diskurset publike apo bisedat e përhershme që përsëriten çdo ditë, është e pashmangshme përballja jonë me historinë, me faktet të veçuara të saj. Por si gjithmonë, raportet tona përballë historisë ndërtohen me një logjikë sipërfaqësore, duke arsyetuar mbi fakte të manipuluara. Armët e propagandës së pandërprerë përgjatë gjithë sferës së aktivitetit njerëzor nën komunizëm kanë qenë të sofistikuara, andaj çrrënjosja e gënjeshtrës është një detyrë shumë e mundimshme, që krahas fakteve të reja, kërkon më së pari një vigjilencë mendore, mendje të esëllt e të hapur. Përndryshe, logjika sipërfaqësore do të prodhojë kurdoherë nervozizëm e moskuptim, se këndejmifundin e dialogut, pa i shkuar së keqes shqiptare në rrënjë, në zanafillë.

Një ndër manipulimet më të rënda e dramatike që ka bërë historiografia komuniste është manipulimi me të ashtuquajturën Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila ka prodhuar kaq shumë ngatërresa, përçarje e gjenocid mes shqiptarëve, saqë efekti i saj zor se do të zhduket për një kohë ende të gjatë. Psikologjikisht kjo është e shpjegueshme: e drejta thuhet në mënyrë nihiliste, është gjithmonë me anën e fitimtare, kurse unë them jo. E drejta është e vetëmjaftueshme dhe nuk mund t’i përkasë asnjërës anë. Komunistët vërtet e “fituan” luftën, por kjo nuk ishte një fitore e popullit shqiptar, as në rrafshin e përmbushjes së idealeve, as në ëndrrën për përparim e prosperitet shoqëror, as në realizimin e tyre etnik. Lufta Nacionalçlirimtare krijoi aq shumë përçarje dhe armiqësira mes klasave, kastave, kulturës, religjioneve, sa pasojat e saj, edhe sot, pas gjashtëdhjetë vitesh, vazhdojnë të përthellojnë natyrën anarkike të tyre. Futja e diskurseve tona në qorrsokak pas viteve nëntëdhjetë ka një origjinë të hershme, që na çon te rrënjët e atij fundamenti të tradhtuar, mbi të cilin u hodhën themelet e ngrehinës sonë shoqërore. Dhe në qoftë se ngrehina hedh shtat, dihet mirë fundamenti i saj i dobët do të rrëzojë, gjer kur ne të shohim veten përposh rrënojave të saj. Ky ka qenë fati i të gjitha shoqërive të keqvendosura, që kanë hedhur shtat mbi truall të gënjeshtërt. Prandaj, kthimi ynë dhe verifikimi i të vërtetave që lidhen me Luftën Nacionalçlirimtare ka qenë një mision i papërmbushur i demokracisë shqiptare. Rishikimi i historisë së Shqipërisë në një masë të madhe është rishikimi i situatës që krijuan komunistët shqiptarë e jugosllavë pas 26 korrikut 1943 në Tapizë, të njohur si marrëveshja e Mukjes. Gjithsesi, pa i gjykuar ashpër të ashtuquajturit dëshmorë të Luftës NCL. Mund të them me bindje se idealet e tyre u manipuluan dhimbshëm dhe se sakrificat e tyre nuk u drejtuan në altarin e shenjtë të interesave kombëtare. Dhe për këtë, para gjyqit të historisë duhet të japin llogari komunistët, qoftë dhe për partizanët e vrarë, të cilët, në vend që të vriteshin si luftëtarë të lirisë kundra okupatorit, u dërguan të vriteshin në një luftë të pamoralshme e civile kundër vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe.

Çdo i përndjekur politik, çdo trashëgimtar i të pushkatuarve, i atyre që u sakatuan nga regjimi komunist, ka një thirrje për cilindo që ka tagrin e pushtetit për të bërë të mundur dënimin e krimit komunist dhe dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Kjo thirrje është në të njëjtën kohë një lutje e shenjtë për përfaqësuesit e qeverive të kombeve perëndimore për të dhënë kontributin e tyre maksimal dhe të domosdoshëm në dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare si parakusht për ndërtimin e demokracisë në këtë vend sipas standardeve perëndimore. Ky përkujtim ka një mesazh kombëtar: Dënoni krimet e komunizmit, që shoqëria shqiptare të shkojë drejt pajtimit kombëtar. Le të na udhëheqë thënia e pavdekshme e ish-Presidentit amerikan, ABRAHAM LINKOLN: “JU NUK MUND TË SILLNI PËRPARIMIN, NË QOFTË SE NUK DËNONI KRIMIN”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura