“Kundër rrymës”, peshqit rrëfejnë shkencëtaren e parë shqiptare, Sabiha Kasimati

Feb 18, 2020 | 10:56
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ “Sabihaja bëri atë që bëjnë salmonët, u kthye në shtëpi. Notoi kundër rrymës”… Historinë e biologes dhe iktiologes së parë shqiptare, Sabiha Kasimati, e rrëfejnë miqtë e saj, peshqit, të cilët ajo i studioi për dekada.

Sabiha Kasimati
Sabiha Kasimati

Libri me ilustrime “Kundër rrymës” me bashkautore Vytene Muschik dhe Lina Itagakin, u promovua dje me të pranishëm studiues, miq e familjarë të disidentes shqiptare të pushkatuar më 26 shkurt të vitit 1951, me urdhër të Enver Hoxhës. Ky libër i sjellë për lexuesin në kuadër të “Ditëve të kujtesës”, ka për synim që të ndërgjegjësojë brezin e ri për regjimin socialist dhe terrorin e ushtruar mbi intelektualët e kohës.

Rrëfimi, i ndërtuar përmes dialogut të peshqve, zbulon të gjithë jetën e intelektuales shqiptare. Miqtë e botës ujore rrëfejnë Sabihanë që nga lindja në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15 shtator 1912 dhe mandej kthimi në “Parisin shqiptar” me familjen, ku dhe u regjistrua në Liceun Kombëtar Shqiptar, në një klasë vetëm me djem, mes të cilëve do të ishte edhe diktatori i ardhshëm i vendit.

Kopertina e librit “Kundër rrymës”
Kopertina e librit “Kundër rrymës”

“Qe e para femër që e mbaroi Liceun Francez në vitin 1930. Qysh nxënëse, zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes – në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut. Vajzat korçare e kujtojnë Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare”, tregon historiani Uran Butka. Studiuesi shton më tej se Kasimati, mbas mbarimit të Liceut të Korçës, nisi të punojë si mësuese në Shkollën Normale Femërore të Korçës, duke dhënë lëndët e Edukatës Morale dhe të Gjuhës Frënge.

“Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte Biologji. Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30’/30’, me lavdërim”, shton ai duke u ndalur te dëshira e saj, që potencialin intelektual ta vinte në dobi të vendit të saj.1

Siç edhe tregohet në “Kundër rrymës”, Sabihaja në verën e ’41-shit, pasi mbron doktoratën në shtetin fqinj, Itali, do të refuzojë vendin e punës si asistente pedagoge në Iihtiologjinë Fluviale, vetëm e vetëm për t’u kthyer në atdhe, ku ishte në kulmin e studimeve për peshqit në Shqipëri. “Në Shqipëri punoi me entuziazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror ‘Nëna Mbretneshë’ në Tiranë. Këtu ajo qe edhe pedagoge e qindra vajzave, që më vonë u bënë veprimtare të shquara të çështjes kombëtare”, tregon studiuesi.

INTELEKTUALJA QË SFIDOI ENVER HOXHËN

Në librin me ilustrime “Kundër rrymës”, ai shfaqet si “peshkaqeni” i etur për pushtet. Lexuesit zbulojnë diktatorin e ardhshëm mes rreshtash, si një nga djemtë e klasës së Sabihasë dhe më tej e zbulojnë portretin e tij para dhjetëra krimeve, ku nuk kursehet as jeta e intelektualëve. Ndërsa Sabiha Kasimati në fund të vitit është në gjendje të rënduar shëndetësore, diktatori fiton gjithnjë e më shumë terren, derisa mund ta bërtasë lakminë e tij: “Gjithë pushteti është tashmë në duart e mia”.

Kasimati e ka një zgjidhje, të shpëtojë veten e të qëndrojë në shtetin fqinj, ku mund të ketë një pozicion të mirë pune, por ajo është e vendosur për të qenë pranë shokëve të saj. “Atje janë gjithë shokët e shoqet dhe bashkërisht do të përpiqemi që ajo gjë të mos ndodhë dhe Shqipëria të përparojë”, i thotë shkencëtarja Ali Koprenckës, siç Uran Butka risjell në vëmendje.Uran-Butka-ok

Dhe ashtu bëri, në kthim ajo pa me sytë e saj se si kolegë, miq, intelektualë po zhdukeshin ditë pas dite, derisa vendosi të përballej vetë me diktatorin. Bisedën e rindërton në këtë 69-vjetor të ndarjes nga jeta të shkencëtares historiani. -Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë: me teneqexhinjtë, apo me këpucarët?” – i thotë Kasimati diktatorit. -Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin, – ia kthen Hoxha.

Mirëpo, guximi dhe intelekti e Sabiha Kasimatit nuk do të kapërdihej nga diktatori, i cili, pa një vendim gjyqësor, do të përgatiste pushkatimin e saj. E vetme mes 21 intelektualësh burra, Sabihaja u ekzekutua e më tej u varros në një fushë jo larg Tiranës. Merita për veprën e saj “Peshqit e Shqipërisë”, siç studiuesi tregon, iu atribuua disa pseudoshkencëtarëve. Por, siç përcillet në librin “Kundër rrymës”, “e vërteta në fund kapërcen të gjitha pengesat”.

Kështu, prej dy vitesh, Muzeu Kombëtar i Shkencave të Natyrës mban emrin “Sabiha Kasimati”, historia dhe vepra e saj janë bërë të njohura për publikun dhe më në fund, edhe më të vegjlit do të njihen me këtë grua intelektuale, e cila deri në frymën e fundit luftoi për lirinë e munguar, për një Shqipëri që shikon drejt Perëndimit.

“Në dorë kemi një libër dedikuar Sabiha Kasimatit, për ta parë edhe në një këndvështrim, jo vetëm për studiues edhe intelektualë, por edhe për të rinjtë që duan ta kuptojnë atë kohë. Sot po bëhen hapa të mira në njohjen dhe pranimin më shumë të figurës së Sabiha Kasimatit si shkencëtare, sepse njihej si e vetmja grua e pushkatuar, e para grua që ndoqi mësimet në Lice. E njohin si emër, por jo për vlerën e punës së saj. Ne ndihemi shumë mirë që vepra e saj sot ka marrë një dritë më shumë. Duhet parë jo vetëm si familjare, por edhe si biologe. Mendoj se vepra e saj duhet që të ketë më shumë dritë, ende është i pazbuluar botimi i saj ‘Peshqit e Shqipërisë’. Para se të pushkatohej, libri ka dalë në botim dhe kjo është e dokumentuar. Është e rëndësishme që figura e saj të njihet edhe në nivel europian”, u shpreh gjatë takimit pasardhësja e saj, Ina Kasimati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura