Kukës, 25 mijë banorë, 2 muaj pa ujë të pijshëm

Aug 31, 2011 | 11:51
SHPËRNDAJE

KUKES- Qyteti i Kukësit dhe rrethinat e tij po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në këtë stinë vere. Shkak i mungesës së furnizimit është bërë jo vetëm thatësira e tejzgjatur, por edhe abuzimi me ujin e pijshëm dhe mosshlyerja e detyrimeve nga konsumatorët. Ndërkohë, ende nuk dihet se kur do të përfundojë ujësjellësi i ri. Po bëhen dy muaj që në të gjitha lagjet e qytetit me 25 mijë banorë, por veçanërisht banorët e kateve të larta, nuk kanë ujë në çezmat e tyre. Në “Lagjen e Re”, uji nuk shkon fare, ndaj atje ka nisur furnizimi me pagesë me autobote. Ndërsa katet e para, në të cilat rrjedh ujë vetëm 30 minuta në ditë, janë kthyer në furnitorë të gjithë kateve të mësipërme, ku banorët mbushin enët me radhë. Ujësjellësi kryesor, ai i Kolesjanit, është amortizuar plotësisht dhe ka prurje të vogla. Më së shumti rrjeti është dëmtuar nga ndërhyrjet e paligjshme dhe lavazhet që shpërdorojnë ujin. Ndërkohë që ndërmarrja e ujësjellësit është e pafuqishme për të ndërhyrë nga ana financiare, pasi banorët nuk shlyejnë faturat e ujit. Edhe një degë tjetër e ujësjellësit, që furnizon disa lagje nga magjistrali i Lojmës, është dëmtuar disa herë nga punimet që bëhen përgjatë rrugës. Me 3.5 milionë euro të buxhetit të shtetit firma ndërtuese duhet të kishte dorëzuar me kohë ujësjellësin e ri, por përveç dëmtimit të rrjetit rrugor në shtrirjen e tubacioneve që i kushtoi bashkisë shuma të mëdha për riparimin e tyre, ajo nuk bëri asgjë tjetër. Këshilli Bashkiak ka paralajmëruar një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar situatën e furnizimit me ujë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura