Kujtimet e Teodor Laços për ‘97: Pse Meksi s’jepte dorëheqje

Feb 29, 2012 | 13:23
SHPËRNDAJE

Teodoro Laço

Shkrimtari vjen me vëllimin e dytë të kujtimeve.

Që nga helikopteri i Alimuçës, te gjyqi i Sudes e Shemsies. Protestat e para.

Ish-kryeministri Meksi: Dorëheqje do të thotë vetëvrasje

U mbushën 15 vite që nga ai vit i mbrapshtë, ku Shqipëria, e cila kishte filluar të ringjallej pas 50 vitesh diktaturë, u kthye pas në kohë. Në vitet e kaosit. Një vit, që kushdo do të donte ta fshinte nga kujtesa, por në të njëjtën kohë konturohet edhe më qartë, si një ngjarje që nuk duhet të përsëritet më. “Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar”, kështu e ka titulluar shkrimtari dhe politikani Teodor Laço librin e tij me kujtime, pjesa e parë e të cilit është botuar qysh në vitin 1998. Së shpejti Laço do të sjellë një tjetër vëllim, ku një vend të rëndësishëm zënë ngjarjet e viteve ’96-’97. Plot 15 vjet pas trazirave të ’97-s, Laço, si një nga dëshmitarët e kohës, drejtues i një partie politike, pjesë e qeverisjes së kohës dhe ministër i Kulturës në qeverinë Meksi 2, u rikthehet atyre viteve duke na sjellë në vëmendje se ç’ndodhi në atë fillimvit, që ai me të drejtë e quan “i zi”. Çfarë ndodhi me firmat piramidale, gjoja fondacione apo firma bamirëse, cilat ishin alibitë e tyre deri në momentin e fundosjes, si nisën protestat e para, fillimisht në Lushnjë e pastaj në Vlorë, si reaguan subjektet politike të pozitës e opozitës. Përpjekjet e qeverisë së kohës për të parandaluar kaosin dhe shfrytëzimi i situatës nga opozita. al.mi

Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar II
Qetësi para furtunës
(viti 1996)
Në librin tim “Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar”, botuar në vitin 1998, thuajse mungojnë ngjarjet kulmore të viteve ’96-’97. Në përqasje me vitet ’90-’95 kur hyra kokë e këmbë në politikë si një nga themeluesit e PSD, si deputet dhe kryetar i Grupit të saj Parlamentar deri në dhjetor të ’94-s, kur unë dhe të tjerë bëmë “divorcin” e pakthyeshëm me Gjinushin, për shkak të flirteve e më pas të aleancës me socialistët, si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe si kryetar i një partie që ndonëse përjetoi vështirësitë e gjithë të “vegjëlve”, ia doli të përfaqësohet në Kuvend, këto dy vite që në një vështrim metaforik do t’i quaja viti i euforisë dhe i qetësisë para furtunës (1996) dhe viti i katastrofës së mashtrimit (1997), nuk guxova t’i shoh me syrin e analistit. Nuk më mungonin as shënimet dhe as mbresat e përftuara në afërsi të ngjarjeve, sepse derisa u formua qeveria e krizës që u pagëzua për një pleksje të dëshirës me ironinë e “Pajtimit Kombëtar”, unë isha anëtar i kabinetit qeveritar. Mirëpo nuk isha në “tavë”, domethënë aty ku merreshin vendimet, sepse përfaqësoja një parti të vogël aleate dhe shumë nga këto vendime e veprime ishin për mua të paqarta, të turbullta, të pakuptueshme.
Të rrethuar nga heshtja e protagonistëve, heshtje e vetëkuptueshme dhe e pranueshme, sepse njeriu edhe kur i ka të qarta, nuk rrëfehet për to, në mos vetëm përpara Zotit, ne të tjerëve, që s’kemi pasur dot në dorë levat e urdhërdhënies, s’na mbetet gjë tjetër përpos analizës së hamendjeve që, kur mbështeten mbi ngjarje, dëshmi dhe sidomos mbi përvoja vetjake, arrijnë të sjellin një panoramë realiste.
Funerali i Piramidave mashtruese, lindja e vitit të zi
(viti 1997)
Viti i Ri 1997 s’premtonte asgjë të mirë. Në vend të kartolinave të zakonshme të urimit që shtypi ua dërgonte lexuesve të tij me fjalët: “gazeta x i uron lexuesve të saj për një vit të mbarë e të begatë”, ato hapeshin që në numrin e parë me paralajmërime ogurzeza. Printe “Koha Jonë”, që u bë zëdhënësja kryesore e gjithë atyre që fajësonin Berishën dhe qeverinë. Shkruanin pena të forta, emocionale, agresive, shumica e të cilave sot, pas “reflektimit” nëpër vite, ndodhen përkrah po atij presidenti që e anatemuan. Nuk jam aq tendencioz sa t’i përflas, sepse e di mirëfilli që çdo njeri ka të drejtë të ndryshojë bashkë me kohën.  Më 4 janar, “Koha jonë” hapej me kryetitujt: “Fillojnë hetimet për vjedhjen e miliona dollarëve”, “Gjallica stop dy javë”, “Enigma shëndeti dhe paratë e Sudes”. Por si për të përligjur reklamat e firmave, vazhdonin edhe sinjale qetësuese: “Silva- asfaltojmë gjithë vendin”, “Fituesit e lotarisë Kambo Marshall”. Ndërkohë, brenda PD, po ndodhte një nga ato paradokset tipike shqiptare, pjella më shumë të qejfmbetjeve sesa të pikëpamjeve të ndryshme. Djaloshi-hero i dhjetorit, Azem Hajdari, merrte kryesimin e Sindikatës së pavarur, premtonte grevë dhe dukej në prag divorci me partinë ku kishte qenë gur themeli. Ky rebelim, i adresuar më shumë kundër qeverisë “Meksi”, do të vazhdonte disa muaj, pas të cilëve do të nënshkruhej sërish paqja dhe rikthimi në “familje”. Sindikata e tij premtonte mbështetje për grevat e studentëve që kishin filluar të ndizeshin aty-këtu, si një reminishencë e çoroditur e dhjetorit. Bodët kryesorë të piramidave përpiqen të tregojnë se “nuk janë si të tjerët”, domethënë janë të sigurt dhe se bëhet fjalë vetëm për ndonjë shtyrje afati për shlyerjen e detyrimeve për kreditorët. Madje, bëjnë sfida që vetëm një aventurieri në gjen mund t’i shkojnë nëpër mend. Vehbi Alimuça blen një helikopter. “Kemi shumë objekte, do t’i kontrollojmë me helikopter”, thotë dhe premton se fitimi i Holldingut të tij do të jetë 100 milionë USD në vit. Në një situatë kur nuk ishte dhënë asnjë licencë për TV privat, Vehbiu bën prova në ekran të një kanali që quhet EuroVefa. Alimuça hiqet sikur i ka punët mbroth, ndryshe nga të tjerët që janë në prag të falimentimit si Sudja, Grunasi apo që vuajnë ethet përpëlitëse të pamundësisë për të shpëtuar me shtyrje afatesh si “Gjallica”. Dy “bamirësit” e fondacioneve Rrapush Xhaferri dhe Bashkim Driza protestojnë kundër helikopterit të Vehbiut. “Nuk mund të përdoren kështu paratë e borxhlinjve”, thonë.
Më 12 janar, shteti ka bërë ndërhyrjen e parë serioze kundër “Popullit”, “Xhaferrit” dhe firmave. Banka e Shtetit bllokon 130 milionë USD. Bashkim Driza deklaron se nuk do të arratiset dhe kërkon takim me Berishën dhe Meksin, por ia refuzojnë. Më 16 janar falimenton Sudja. Bllokohet nga Banka edhe VEFA, lejohen të tërhiqen vetëm 30 mijë USD në ditë. Me Xhaferrin bëjnë ironi, i kanë vjedhur… simiten. Një ditë më vonë, banka bllokon 280 milionë USD të fondacioneve. Në Vlorë, mbi 20 mijë demonstrues nuk besojnë më tek “Gjallica”. Sudja deklaron në gjyq se Berisha dhe Meksi nuk e ndihmuan. Pas një demonstrate të madhe në Tiranë, të orkestruar si edhe ato që pasuan nga opozita, Vehbiu bën një kërcënim bombastik: “Shteti t’i vërë gishtin kokës. Ne kemi me vete gjysmën e Shqipërisë”. Ndërkohë, me vonesë, FMN ka këshilluar mbylljen e piramidave. Qeveria nuk jep më asnjë garanci për VEFA-n, “Kamberi”-n e “Silva”-n, që ende mbi fundin e llumit, mundoheshin të dilnin mbi ujë. Tashmë njerëzit ishin kthjelluar, ishin zgjuar nga gjumi letargjik dhe përpara këmbëve të tyre shihnin honin ku mund të binin. Protestat përfshinë gjithë vendin, qytete të mëdha e të vogla. Bënin përjashtim vetëm qyteza ku firmat ishin ende në shpërgënj. Kazani më i madh ziente në Vlorë, me studentë e njerëz të thjeshtë, ku po shfaqeshin edhe fytyra recidivistësh të ardhur nga burgjet e Greqisë, por shpërthimi i parë tronditës, që për pak do t’i kushtonte jetën nënkryeministrit Tritan Shehu, ndodhi në Lushnjë. Digjet Bashkia dhe rajoni i policisë. Këto institucione, si dhe zyrat e SHIK-ut, gjykatat, hipotekat etj. do të ishin gjahu i preferuar për pishtarët e piromanëve. Në refrenet e parullave të turmave nuk mungonin as gjetje të tilla sarkastike, si ajo që u thirr në Lushnjë: Poshtë Saliu dhe Enveri/ Të na rrojë Rrapush Xhaferri”. Ngjarje të tjera të bujshme të fillimvitit ishin lirimi i Nexhmije Hoxhës nga burgu, arrestimi i Nehat Kullës, kërkesa për azil politik në Suedi i ambasadorit Bardhyl Kokalari, njeriut që sulmoi Kadarenë tek juria e Nobelit, si dhe rrahja e Edi Ramës-njëra nga marrëzitë e zakonshme të ndonjë militanti të krisur, që ia pasuroi background-in liderit të ardhshëm socialist. Pas kësaj, ndonëse ishte shfaqur si penë e rreptë dhe therëse në shtypin e kohës, Rama vuri breroren e martirit. Jo më kot, më 30 janar kur u shpall Forumi për Demokraci, një lloj lëvizjeje politike e njerëzve të rinj të penës: gazetarë, shkrimtarë, artistë, emri i tij figuron i pari.
Në ato ditë, përkundër parashikimeve, natyra ime optimiste i vinte në gjumë rreziqet e pritshme. Madje, edhe sëmundja e sime shoqeje, e cila prej një muaji ndodhej në SHBA tek e motra për t’u vizituar, më dukej diçka kalimtare, përderisa na thuhej se fjala ishte për një gjendje depresive. Në zyrën time të madhe, në katin e katërt të ndërtesës së ish-KQ të partisë, në anën veriore të tij, ku për shumë vite kishin qenë zyrat e KQ të Rinisë dhe të gazetës “Zëri i Rinisë” ku kisha botuar para 42 vitesh tregimin tim të parë, ritmi i punës ishte çuditërisht i përshpejtuar, sikur nxitimi mëkonte parandjenjën e largimit të afërt.
Megjithëse ishin dëgjuar kërkesat e para për dorëheqjen e qeverisë dhe kishin shpërthyer grevat, ende dukej sikur makineria e shtetit dhe e Ministrisë që unë drejtoja, ecte normalisht, në shina të sigurta… Madje, ngarkesa e përditshme e punëve, kërkesave e takimeve ishte më e dendur se kurrë. Në Këshillin e Ministrave paraqitëm dy projektvendime për t’u dhënë statusin e institucioneve kombëtare, Muzeut Etnografik në Berat dhe atij të Arsimit në Korçë. Sipas një premtimi që i ishte dhënë stilistit të famshëm Pjer Karden gjatë vizitës së tij, iu dha me qira lokali pranë Estradës së shtetit, ku kishte qenë një sallon për vepra të arteve figurative, që kishte mbetur në një gjendje kritike. Qiraja ishte 35 dollarë për metër katror, fond i cili sipas një vendimi të KM, në 70% të tij i kalonte Galerisë Kombëtare të Arteve Figurative. Ishte një marrëveshje tepër e favorshme, sidomos kur kujtoj se pas rreth një viti, Ministria e Financave e qeverisë socialiste vendosi që qiratë e objekteve shtetërore që i përdornin privatët, të ishin… 1 dollar metri katror!
Thyerjen e parë të besimit se jeta do të ecte në normalitetin e zakonshëm dhe se pakënaqësia për humbjen e parave do të vinte duke u zbehur, e pata mëngjesin e 25 janarit. Bashkë me Arianin e Shaqirin dhe oficerin shoqërues që quhej Drini, të cilin na e kishin vënë pas fillimit të trazirave, ishim nisur për një takim në Tepelenë, ku më në fund kishim gjetur mbështetje për krijimin e degës së partisë, e cila do të mbyllte shtrirjen e saj në të gjithë vendin. Ende pa hyrë në kthesën e Rrogozhinës, na ndaloi një fuoristradë prej së cilës doli një oficer policie. “Nuk kaloni dot, tha ai, në Dushk e kanë zënë rrugën një grumbull njerëzish që protestojnë për paratë. Kanë përmbysur dhe i kanë vënë zjarrin një furgoni policie. Ne mezi dolëm, duke kaluar nëpër ara”. Ngurruam për disa çaste. Besoja se protestuesit s’kishin arsye të merreshin me ne, por oficeri ishte i prerë. Kjo mund të quhet edhe si dita e dytë e ndezjes së pishtarit të atij viti të zi. Në mbrëmjen e shkuar, në Lushnjë kishin marrë peng Tritan Shehun.
Kjo situatë, përveç të tjerave, i vuri të dy forcat kryesore politike të vendit dhe aleatët e tyre në llogoret e një klime mosbesimi, mosmarrëveshjesh e armiqësie për një kohë të gjatë, që vazhdon ende. Që në janar, përveç kërkesës për dorëheqje të qeverisë që dëgjohej nëpër mitingjet e protestës, tashmë të orkestruar nga opozita, kjo mundësi qarkulloi edhe midis ministrave të kabinetit “Meksi-2”. Besoj se gjithsecili nga ne vuante një kompleks faji i pashpallur, por gjithsesi i pranishëm në nënvetëdije. Meksi e kundërshtoi fort këtë mundësi, “në këto rrethana, do të ishte vetëvrasje, do të thotë ta lësh vendin në kaos”, tha. Dhe në ato rrethana, dorëheqja pa një marrëveshje politike si ajo që u arrit në 9 mars, do ta kishte rënduar më keq situatën. Ndërkohë, dallga që u ngrit në Lushnjë, filloi të derdhet drejt jugut, në Vlorë, aty ku shtrati i saj ishte më i gjerë. Qyteti, që në periudhën e parë të piramidave jetonte në një begati që askush s’e kishte pritur, do të binte nga lartësia iluzore në greminë. Në Vlorë, jo për shkak të traditave luftarake të krahinës dhe as për temperamentin gjaknxehtë lab, por pikërisht për shkakun se tumori i piramidave kishte lëshuar metastazat në çdo familje.

* * *
Dimri i atij viti dhe pranvera e zymtë pas tij, ka qenë periudha më e vështirë për klasën politike shqiptare. Ishte një kohë provash, të cilat secili i dha sipas ndërgjegjes së tij. “Fondacionet” dhe “firmat huamarrëse”, ende pa e pranuar cilësorin “piramida” prej të cilit trembeshin si djalli nga temjani, çdo ditë e më tepër bënin premtime, shtyrje datash, deklarata mallëngjyese se po vidheshin nga qeveria, kërkesa… Kjo ethe do të vazhdonte edhe disa kohë, shtrirja e së cilës varej nga imuniteti i secilës. Më 1 shkurt, “Populli”, njëri nga dy fondacionet e vëna në shënjestër, deklaronte se jo vetëm kishte para për të likuiduar të gjithë, por i tepronin edhe … 20 milionë USD. Dy ditë më vonë, katër kompanitë që po rrekeshin ta shisnin veten si fitimprurëse, meqë kishin prona të blera andej-këndej, VEFA, Kamberi, Cenaj dhe Silva, në një konferencë të përbashkët për shtyp deklaruan nën presionin e t’ashtuquajturave fondacione bamirëse, që s’ishin gjë tjetër veçse firma piramidale, ishin të detyruar të ulnin përqindjet deri në 2,5-3%, që do të thotë një fitim për aksionerët prej 36% në vit dhe kërkojnë për këtë ndihmën e Bankës dhe pjesëmarrje në tregun e aksioneve, kur të hapej. KJ njofton se 30 mijë kreditorë të Gjallicës në Vlorë kanë pushtuar sheshin. Titulli është tejet provokativ: “Fillon ‘Lufta e Vlorës’. Shemsie Kadria, presidentja e Gjallicës, fluturon drejt Turqisë, ndërsa Alimuça lëshon në konferencë shtypi një nga ato shashkat që bëjnë zhurmën e një bombe të kalibrit të madh: “Nëse do të na lënë të punojmë, për 5-6 vjet e kalojmë Amerikën”. Komisioni i transparencës deklaroi se Gjallica është një “vrimë e zezë” prej 400 milionë dollarësh. Kërxhaliu, për së pari e sheh veten pas hekurave. Vehbiut ia refuzojnë vizën për në SHBA. Kamberi, ende në Itali, jep edhe dy ditë shpresë. Gjatë marsit, shumica e firmave kanë rënë në humnerën e falimentimit. Vehbiu, i fundit që do mposhtej, pas shkatërrimeve të asaj pranvere, më 23 prill, guxon madje të kërkojë nga qeveria 302 milionë USD për dëmet në pronat e tij. Sudja del në gjyq. Të mashtruarit, thuhet, janë rreth 100 mijë dhe detyrimi i saj është 60 milionë USD. Por hë për hë, askush nuk mund të vërë dorën në zjarr për saktësinë e këtyre shifrave. Madje, rektimat sfilitëse, për vete dhe për kreditorët, nga disa kompani si VEFA, Cenaj e Silva, do të vazhdonin deri në zgjedhjet e parakohshme dhe dy-tre muaj më vonë. Si i mbyturi që kapet pas një fije peri, dy ditë para se të hapte dyert Kuvendi, Alimuça bënte një deklaratë groteske. Duke iu përgjigjur një shkrimi me titullin “Mallkimi i Piramidave” të botuar në revistën italiane “Capital”, i shkruante gazetarit Mario Fratini se pasuria e tij ishte 4,5 miliardë dollarë (Sipas të dhënave për miliarderët e botës, të parët në Ballkanin ish-komunist u deklaruan në 2006-n, dhe ishin një rumun e një serb!

* * *
Koha ishte kaq e mugët, sa dukej sikur nuk gjendej më asnjë shenjë orientimi. Në raste të tilla, buisin si ujërat e shkrirjes së borës, nisma grupimesh nga shoqëria civile, drejtues forcash politike që janë në skenë dhe të tjerë nga parti të porsakrijuara, që besojnë apo dëshirojnë të ndryshojnë situatën. Synimet e tyre në pamje të parë nuk kanë të sharë, mirëpo shpesh pas tyre fshihet zelli i protagonizmit dhe qëllimet karrieriste. Në muajin shkurt disa intelektualë të rinj, thuajse të gjithë nga sfera e gazetarisë dhe artit, midis të cilëve edhe tre ish të dënuar politikë në afate të gjata, Kurt Kola, Fatos Lubonja dhe Daut Gumeni, shpallën në shtyp se po formonin një grupim që u pagëzua Forumi për Demokraci. Forumi do të drejtohej nga tre ish- të burgosurit politikë, që kishin lënë rininë e tyre në burgjet e kampet e punës të regjimit të Enver Hoxhës. Kurti ishte bërë kryetar i Shoqatës së ish të përndjekurve politikë, por në gjirin e saj prej kohësh kishin plasur mosmarrëveshje të forta dhe disa ishin shkëputur e po krijonin shoqata të tjera. Një shok imi, artist, ish i dënuar, s’donte as t’ia dëgjonte emrin. E akuzonte se kishte spekuluar me ndarjen e apartamenteve që qeveria dha për ish të përndjekurit në vitet e para të saj. Prestigji i tij nuk ishte aq i panjollë, sa të vihej në krye të shpëtimtarëve të situatës. Daut Gumenin e kisha takuar dy-tri herë gjatë kohës kur isha ministër, sepse ishte drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, që varej nga Ministria. Punët aty po venin rrokopujë, ndoshta jo për faj të tij sesa për shkak të krizës së shumë institucioneve të kulturës, që po ndienin konkurrencën e privatëve. Kur e thërrisja, në Ministri vinte i shoqëruar nga shoqja ime e vjetër Iskra Thoma, me të cilën kisha punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe që e kishim në partinë tonë. Iskra e mbante veten si nëndrejtore, ndonëse në organikën e re ne e kishim suprimuar këtë vend. Pas dy-tri këmbimesh të zakonshme fjalësh, Dauti thoshte: “Tani le të flasë kjo zonja!”. Meqë puna nuk ecte, i qe krijuar përshtypja se unë do ta shkarkoja. Kjo edhe mund të kishte ndodhur sikur i miri dhe i urti Pjetër Arbnori të mos më thoshte sa herë më takonte: “Ma ki pak kujdes Gumenin. Asht burrë i mirë”. Dauti botoi nja dy cikle poezish që ishin vërtet të ndiera, por me timiditetin e tij s’më dukej se mund të bëhej ndonjëherë protagonist. Mbetej Lubonja…
vijon nesër…

TEODOR LAÇO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura