Kujtimet e Artan Santos: Martesa me ‘cucën’ kosovare dhe revolta për të mos qethur kokën

Dec 15, 2015 | 14:48
SHPËRNDAJE

Histori më vete, pritja tërë ankth për të na dalë emri në listë se në ç’degë do të studionim. Gjatë viteve të gjimnazit dhe veçanërisht gjatë stazhit, kisha lexuar disa nga librat e mjekësisë, të arkitekturës, madje kisha kryer edhe praktika të ndryshme “stërvitore”. Juridiku më pëlqente gjithashtu. Por më doli ekonomiku.

Artan Santo
Artan Santo

Në ditën e dytë të fillimit të fakultetit shtrohem në spital, për një ulçer në duoden. Në mes të vitit të parë, e lë fakultetin për dy javë, pasi s’më pëlqente. Isha në një grup me Çim Canin, shokun tim të gjimnazit, dhe shpesh vendimet për të tilla ngjarje i merrnim së bashku.

Më pas, e pamë që s’kishte rrugë tjetër, vijova rregullisht mësimet, me të mirat dhe të këqijat që gjykoja në atë kohë. Në disa provime, për të cilat s’kuptoja përse duheshin, kam bërë edhe kopje. Tani them që kam bërë fort mirë, pasi tani jo e jo, por as atëherë dhe asnjëherë ato nuk kanë qenë praktikuar, veçse në kokën e atyre profesorëve tanë të dashur dhe të kohës që jetonin.

***

Zbori ushtarak pas fakultetit, për rreth 5 muaj në Golem, kokët e qethura, impenjimi im me grupin e piktorëve më bëri që ta kaloja rehat atë periudhë. Mbaj mend që një herë një pedagog i Akademisë së Arteve erdhi në repart dhe komisari ynë i thotë që kemi këtu tre djem piktorë shumë të talentuar.

“Ja, i thotë ai, gjithë këto tabela, piktura murale, etj., i kanë realizuar ata”. Me të drejtë ai i pyet se kush janë këta dhe komisari i sjell në dhomën tonë. Me Borisin dhe Pavllon u përshëndetën si të njohur të vjetër, kurse mua më tha: “Po ty pse s’të mbaj mend?”, shokët e mi të mirë ndërhynë përnjëherë duke i thënë që unë kisha përfunduar për skenografi e kështu ia hodha, ndonëse vërtet pikturoja dhe kisha një shkrim që ia vlente të isha pjesëtar i atij grupi.

Kur shoh fotografitë e asaj kohe me Gim Bajkon, Çim Xhepën, kur kujtoj revoltat për të mos qethur kokën, ditët e ftohta të nëntorit dhe “pozdravin” që e dëgjonim duke perënduar dielli, më krijohet një lëngështim i brendshëm për vitet që s’kthehen më, sikur çfarëdo çmimi të vësh.

***

Në atë vit (1984) martohem me Arjanën, me origjinë kosovare. Qeshja aso kohe me shoqërinë time se i thosha: “Dëgjoja fjalën e Partisë që ta konsiderojmë Kosovën si çështje tonën” dhe unë i mora njërën prej “cucave” të saj, ndonëse ajo dhe prindërit e saj kishin lindur në Tiranë.

Në 1985-n, në nëntor, një makinë policie me sirenë e drita të ndezura nxiton drejt maternitetit. Brenda saj, ime shoqe dhe në bark të saj ishte ime bijë, Emi. Një tigër i butë dhe i ëmbël. Në 1988-n, lindi Egi, që më ka çmendur deri në moshën 7 vjeçe me kapriçiot, ulërimat, kërkesat dhe laringitin e tij.

Sot është tjetër soj. Ndoshta sepse edhe është rritur, por është konvertuar në njeriun e mirë e të urtë, në një kohë të keqe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura