Ku ta festojmë ditëlindjen tënde Azem!?

Mar 10, 2018 | 12:02
SHPËRNDAJE
BISLIM AHMETAJ/ Sot, Azem Hajdarin po të mos e kishin ndaluar plumbat e Policisë së pushtetit, (e theksoj të pushtetit sepse e tillë ishte dhe ashtu mbeti policia e shtetit edhe pas gati 20 vitesh të mungesës së tij fizike) Ai, Azemi, do të festonte 55-vjetorin e lindjes me familjarët dhe miqtë e tij, me bashkëpunëtorët dhe pa asnjë mëdyshje edhe me kundërshtarët e tij politikë, që do të klasifikoheshin prej tij te miqtë dhe bashkëpunëtorët.
bislim-ahmetaj
Sepse i tillë ishte Azemi për ata që e njohën nga afër, për ata me të cilët punoi e bashkëpunoi në ato pak vite të angazhimit të tij politik, për ata që e njohën qysh në fëmijërinë e tij dhe deri sa u nda nga jeta e përkohshme për t’ju bashkuar atyre që nuk harrohen kurrë. Unë i përkas atij grupi që e njoh Azemin si njeri të familjes, si një djalosh që s’di të ndalet, si njeri të angazhuar, si lider, si Atdhetar, si politikan, si bashkëpunëtor, si njeri të pazakonshëm, si hero. Që vetëm plumbat e një ideologjie patologjike, që s’ngopet me armiq mund ta ndalnin.
Dhe fatkeqësisht, kjo ideologji e zezë që solli vetëm errësirë dhe e kuqe, sepse në themel të dhunës dhe pushtetit vuri gjakun e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar, ia doli ta heshtë zërin e atij që sot do të ishte 55 vjeç, zërin dhe frymën e atij që mundi t’i mundë, mundi t’i nënshtrojë “baballarët” e kuq. Ata nuk ia falën, ata e vranë, ata e pushkatuan në derë të partisë, që e kishte themeluar në Dhjetor të 90-s , mu në qendër të Tiranës, bash në zemër të Atdheut.
Po dilema ime në këtë 55- vjetor të ditëlindjes së tij është sa njerëzore, aq edhe absurde: Ku ta festojmë ditëlindjen tënde Azem? Vendi ku ngrihej Memoriali që ngritën qytetarët e Tiranës ku ti mbete i përjetshëm, është denatyruar dhe ndryshuar aq sa nuk kujton asgjë nga kujtimi yt dhe i Besimit, kështu që ne miqtë dhe bashkëpunëtorët e tu të Dhjetorit të viteve ’90 dhe ata të viteve tua politike do të dukeshim si kukulla kineze në atë shesh ku lulëzon biznesi i njerëzve të drogës, krimit dhe politikës. Aty ku ishte Selia e PD-së dhe zyra juaj kanë mbetur veçse disa gjurmë turpi,aty tani janë zyrat e dhuruara nga kundërshtarët (tuajtanët) politikë të një partie mushkë, që lindi egoizmin dhe rivalitetin brenda forcës politike që ti themelove në 90-ën.
Te Selia e re ku është strehuar partia që ti themelove, përveç “rojeve” dhe njerëzve që frekuentojnë kafen, e cila është pronë e një trashëgimtari të Toptanëve, siç ishte edhe kafja para selisë se vjetër ku ti pive kafen e fundit të jetës tënde në të gjallë, natën e 12 shtatorit të 98-s s’të njeh askush. Ka prej atyre që mendojnë që ti, AZEM HAJDARI, je prodhim marketing, pra, je thjesht një legjendë, e cila mund të përdoret për të sjellë një grusht vota që për hir të së vërtetës janë bërë si uji i paktë.
Do më shkonte mendja që 55-vjetorin tënd si themelues i pluralizmit politik ta festonim në Parlamentin e Shqipërisë, por më vjen marre ta pranoj që Parlamenti i sotshëm, por edhe ai i kaluari, më shumë i ngjanë një ferme qensh se një kuvendi ku zgjidhen hallet dhe problemet e bashkëvendësve tanë. Me vjen keq dhe jam i trishtuar se nuk e di ku mund ta festojmë 55- vjetorin tënd o Azem Hajdari , veç po i lutem Dervish Luzhës që ti e besove dhe e madhështove në të gjallë, por edhe të madhit Zot, që ishte i vetmi që ti iu përule, që shpirti yt të gjejë paqe në parajsë, festoje këtë 55- vjetor me shpirtrat e lirë që ke afër, na i le ne hallet e tokës. Urime 55-vjetorin, unë po e ngre me fund një gotë verë për shpirtin tënd të lirë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura