Kthehet Suarez, “kafshon” 2 herë Sandërlendin

Sep 30, 2013 | 12:43
SHPËRNDAJE

Kafshimi i Luis Suarezit është i dyfishtë, por kësaj radhe fatmirësisht është vetëm virtual. Sulmuesi i Liverpulit rikthehet në Premier Ligë pas skualifikimit prej 10 ndeshjesh dhe një muaj e gjysmë pas startit të kampionatit, dhe debuton me një dopietë, duke bërë të lumtur Liverpulin dhe zhytur akoma më thellë në krizë Sandërlendin ende pa trajner (drejtohet nga asistenti Kevin Boll). Të kuqtë fitojnë 3-1 dhe rikthehen te suksesi pas dy ndalesave, duke i bërë presion Arsenalit kryesues nga vendi i dytë. “Macet e Zeza”, që javën e shkuar shkarkuan Di Kanion, nuk justifikojnë faktin që përgjegjësinë e krizës e kishte tekniku italian. Të drejtuar nga asistenti Boll, vendësit e shikojnë veten në disavantazh të dy golave që në pjesën e parë: Zhbllokon Starrixh në minutën e 28-të dhe dyfishon Suarez, i shërbyer nga Starrixh. Pas rikthimit nga dhomat e zhveshjes, ndeshja rihapet nga Xhakerini, ndërsa në fund i mbyll llogaritë “El Pistolero”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura