Kryetari i KKRT, PD: Të zgjidhen si në KQZ

Nov 1, 2012 | 12:58
SHPËRNDAJE
Komisioni i Medias

Formula e zgjedhjes së 7 anëtarëve të rinj të KKRT-së apo, siç do të quhet ndryshe, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), ka prishur konsensusin midis PD-së dhe PS-së në Komisionin e Mediave. Partia Demokratike ka kundërshtuar formulën e propozuar në projektligj dhe që mbështetet nga opozita, që parashikon zgjedhjen e tre anëtarëve të mbështetur nga PS, tre nga PD dhe i shtati të zgjidhet me konsensus. Në rast se nuk arrihet konsensusi midis palëve për një kandidaturë, atëherë anëtari i shtatë do të zgjidhet me short në Komisionin e Medias. Por pikërisht zgjedhja me short e anëtarit të shtatë të AMA-s, që do të diktojë dhe në emërimin e kryetarit të këtij institucioni, është kundërshtuar nga demokratët. Nënkryetari i Komisionit të Medias, Mark Marku, propozoi që përzgjedhja e anëtarit të shtatë të bëhet me të njëjtën formulë që u zgjodhën anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo formulë sipas Markut është pranuar nga opozita për KQZ-në dhe, si e tillë, të pranohet për AMA-n. “Kryetari është automatikisht anëtari i shtatë, është automatikisht kryetari i AMA. Ne jemi për një formulë të njëjtë, siç është zgjedhur kryetari i KQZ-së që ju keni rënë dakord. Të njëjtën formulë të aplikojmë dhe në rastin e autoritetit rregullator. Ne si maxhorancë i besojmë më shumë autoritetit të Parlamentit, sesa shortit”, deklaroi Marku. Nga ana tjetër, kryetarja Komisionit Valentina Leskaj tha se ky propozim ishte bërë nga ndërkombëtarët dhe se ligji kërkon të miratohet me konsensus. “Për këtë formulim që është këtu, ka një konsensus dhe ka një miratim nga katër institucione ndërkombëtare, nga BE, KiE, OSBE dhe nga EBU. Në qoftë se ne duam ta kthejmë mbrapa, këtu duhet të tentohet konsensusi për një institucion të pavarur”, tha Leskaj. Por për Markun, formula e propozuar nuk aplikohej në asnjë vend të BE-së, por vetëm në Bullgari. Deputeti Edi Paloka propozoi që anëtari i shtatë të zgjidhej me shumicë të thjeshtë, në rast se nuk arrihej konsensusi. “Ne zgjedhim Presidentin me shumicë të thjeshtë, pikërisht se nuk ka konsensus dhe për të mos kaluar në kriza. Ne kur zgjedhim Presidentin, e jo më kryetarin e AMA-s!”, tha Paloka. Por Leskaj propozoi që kryetari të zgjidhej me shumicë të cilësuar. Dhe pas debatit që zgjati për rreth dy orë, palët lanë të hapur mundësinë për të sjellë amendamente të cilat do të diskutohen për arritjen e konsensusit.

Debati për formulën e KKRT-së
Mark Marku: Kryetari është automatikisht anëtari i shtatë, është automatikisht kryetari i AMA-s. Ne jemi për një formulë të njëjtë, siç është zgjedhur kryetari i KQZ-së që ju keni rënë dakord. Të njëjtën formulë të aplikojmë dhe në rastin e autoritetit rregullator.
Alfred Dalipi: Nëse nuk zgjidhet me konsensus anëtari i shtatë, atëherë ajo do t’i nënshtrohet shortit në Komision. Shortin e ka mbështetur ekspertiza e konsulentit të BE, KiE dhe OSBE.
Valentina Leskaj: Për këtë formulim që është këtu, ka një konsensus dhe ka një miratim nga katër institucione ndërkombëtare, nga BE, KiE, OSBE dhe nga EBU. Në qoftë se ne duam ta kthejmë mbrapa, këtu duhet të tentohet konsensusi për një institucion të pavarur.
Gent Strazimiri: Me konsensus apo pa konsensus, Parlamenti nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë së vet dhe të thotë hajde ta hedhim në zare ose koka a pilë se kush do të jetë kryetari.
Edi Paloka: Mund ta heqim zgjedhjen me short dhe mund ta bëjmë zgjedhje me shumicë të thjeshtë.
Valentina Leskaj: Mund ta bëjmë me shumicë të cilësuar atëherë. Ky është konsensusi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura