Kryetarët

May 22, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Për cilët kryetarë e kam fjalën? Ha, ha, ha! Për të gjithë, por sidomos për të sotmit dhe, veçanërisht për të nesërmit, pa dallim ideje, feje, krahine, gjinie apo orientimi seksual, pavarësisht se çfarë drejtojnë a do të drejtojnë: shtet, kuvend, parti, qeveri, bashki të madhe apo minibashki, prokurori, gjykatë, OJF, federatë sportive, institucion laik apo fetar etj., etj.

Më duhet të pranoj, me sinqeritetin më të kulluar, se gjithmonë më ka mahnitur fjala “kryetar”. Pse kështu? Sepse ajo fillon me “krye”, pra, ka kokë, dhe mbaron me dy shkronja të praruara, “ar”, d.m.th. flori.

Rrjedhimisht, dhe për pasojë të pashmangshme, i bie që çdo kryetar i denjë për këtë emër, qoftë ai i zgjedhur apo i emëruar, të jetë një njeri që kokën e ka të mbushur me mendime të arta fort të dobishme për ata që ka nën vete, duke sakrifikuar për këta gjithçka, nën shembullin e ndritur të rilindësve tanë, të cilët, për pavarësinë e atdheut, sakrifikuan jo vetëm pasurinë, por jo rrallë herë edhe jetën, duke merituar plotësisht emrin “atdhetar”.

Mirëpo, përvoja jo vetëm te ne, por edhe në shkallë botërore, dëshmon, sidomos kur bëhet fjalë për pushtet, se ndodh jo rrallëherë, mjerisht, që ky, pra pushteti, t’i dehë kryetarët, të veprojë në vetëdijen e pavetëdijen e tyre si një drogë fort e rrezikshme, përdorimi i shfrenuar i së cilës sjellë pasoja të mynxyrshme për ata që varen nga kryetarët, pavarësisht se çfarë strukture drejton ata, që nga shteti deri te hallka më e thjeshtë administrative.

Në këtë drejtim, një nga mallkimet që shkodranët i bëjnë edhe sot e kësaj dite dikujt që ua bën borxh apo ua nxin jetën, është “Të hyftë vetja në qejf!”, ashtu siç u hyri pa asnjë përjashtim perandorëve, monarkëve, autokratëve e diktatorëve të të gjitha kohëve, vendeve e ngjyrave, përfshirë edhe tonin me emrin Enver Hoxha, të cilët shkatërruan atdheun për të vënë pasuri përrallore.

Gjithsesi, një mësim mjaft të vyer duhet të nxjerrin kryetarët tanë të të gjitha llojeve të përmendura më lart, të sotëm e të ardhshëm, nga leximi dhe rileximi detyrimisht i përditshëm i njërës prej fabulave më domethënëse të frëngut La Fonten, me titullin “Bretkosa që do të trashet sa një ka”.

Çajupi, shqipëruesi i kësaj fabule na tregon se “Bretkosa sa një ve / Pa një ka sa një deve / Dhe nakari nuk e la, / Desh të trashet sa një ka… / Duke ngrën’ e duke pirë / Që të fryhet sa më mirë…” Dhe, tek fryhej kësisoj, ajo pyeste pareshtur shoqet e veta nëse ia kishte arritur qëllimit, por këto i thoshin pareshtur jo.

Dhe Çajupi përfundon: “Bretkosa, nga marasi, / U fry, u fry gjersa plasi. / Shumë njerz ndë këtë botë / Thonë se janë të zotë / Si bretkosa na mendojnë, / Mburren por keq e pësojnë. Së fundi, unë që tërë jetën time profesionale ua kam kushtuar fjalëve, e di që, kur zemërohen ose shohin ndonjë padrejtësi, ato janë të gatshme të hakmerren si, për shembull, në rastin e një komshiut tim që vazhdimisht i premtonte së bijës tre-katërvjeçare se do t’i blinte një top me lule, por që nuk e mbante fjalën.

Atëherë, një ditë kur atyre u kishin ardhur ca miq për vizitë, pyetjes së njërit prej këtyre se çfarë do t’i blinte babi për ditëlindje, vogëlushja, në vend të thoshte “Një top me lule”, tha “Një lop’ me tule”, sepse, pa dijeni e saj, dy nga fjalët e përgjigjes së saj kishin këmbyer germën “t” me germën “l”.

Prandaj po u dal borxhit gjithë llojeve të kryetarëve tanë, sidomos atyre që po e drobitin Shqipërinë për t’u pasuruar vetë, duke i paralajmëruar se pikërisht fjalës “kryetar”, që thuhet për një drejtues, lider apo udhëheqës qoftë karizmatik ose jo, mund t’i ndodhë ndonjë e papritur meqenëse shkronjat e alfabetit tonë kanë aq shumë lidhje e solidaritet me njëra-tjetrën saqë, po të shohin e të binden se personi që mban emrin “kryetar” nuk e meriton më atë, mund t’i luajnë ndonjë rreng fonetikor këtij emri duke ia zëvendësuar shkronjën “t” me ndonjë shkronjë tjetër.

Alkimi karakteristike kjo, madje 24 karat, apo jo, i dashur lexues mendjehollë i kësaj rubrike të përjavshme?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura