Kryeministrja australiane goditet me sanduiç

May 31, 2013 | 12:42
SHPËRNDAJE

Dikur, kur kryeministrat e ndonjë vendi vizitonin shkolla apo institucione, u hidheshin lule. Sot lulet janë zëvendësuar me objekte të tjera, që nga statujat (incidenti me ish-kryeministrin italian Silvio Berluskoni, i cili u godit me një statujë në hundë në vitin 2010) e deri te ushqimet. Kryeministrja australiane, Xhulia Gillard, është goditur me një sanduiç për herë të dytë brenda muajit, me ndryshimin e vetëm se kësaj radhe goditja ishte në shenjë. Sanduiçi me sallam e goditi në krahë Gillardin kur ajo vizitoi një shkollë në Kanberra. Por, ajo qeshi më pas me incidentin, duke komentuar se “fëmija që e hodhi sanduiçin duhet të ketë menduar se unë isha e uritur”. Një tjetër rast i ngjashëm ndodhi në fillim të këtij muaji në Kuinslend. Incidenti ka përfshirë gjerësisht mediat dhe rrjetet sociale, jo për faktin se u godit Kryeministrja, por për përmbajtjen e sanduiçit. Kritikët shkruanin në rrjetet sociale, por kanë komentuar edhe në emisione të ndryshme, se përse prindërit përgatisin për fëmijët sanduiçë aq të paushqyeshëm. Truprojat e Gillard dhe fotografët e rrethuan menjëherë “raketën” e bukës kur ajo u zgërlaq në krahun e Kryeministres gjatë vizitës së saj në shkollën e mesme “Lyneham”. Nxënësi që e hodhi sanduiçin nuk është identifikuar ende. Kryeministrja fillimisht nuk kishte reaguar, por më pas kishte bërë shaka me incidentin. Ndërsa ministrja e parë e Territorit, Keti Gallager, tha se shkollat janë plot me fëmijë dhe fëmijët ndonjëherë bëjnë budallallëqe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura