Kryeministrat e krimit

Apr 19, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

ferdinand dervishiFERDINAND DERVISHI

Shqiptarët ka kohë që e kanë tepër të qartë forcën e kryeministrave të tyre të fundit. Ata janë të gjithëpushtetshëm. Kanë në duar buxhetin e shtetit, të cilin me anë të projekteve apo tenderëve e shpërndajnë ku duan dhe si duan, duke nxjerrë nga loja e futur në valle kë të duan.

Ata kanë në duar dhe pronat e shtetit, që i vërtisin si të duan, që ua japin kujt të duan dhe ua heqin kujtdo. Kanë në duar edhe një tabor të pamat taksidarësh, me anë të të cilëve mund të lulëzojnë apo shkatërrojnë biznese private, qofshin të shqiptarëve apo të të huajve, pa dallim, amerikanë, kanadezë, austriakë, gjermanë, italianë, arabë, turq etj. Ata kanë në duar edhe një ushtri nëpunësish të rëndësishëm apo jo, të cilët gjithashtu i vërtisnin si të duan, i emërojnë dhe rrëzojnë kur të duan.

Nga ana tjetër, shqiptarët ka kohë që e kanë kuptuar se bashkë me kryeministrat në pozitë, jashtë këtij pushteti nuk mbeten as kryeministrat në opozitë. Këta mbeten në lojë përmes shfrytëzimit të faktit të rokadës së pashmangshme të pushtetit, që e shfaqin në rastin më të mirë në trajtën: Kur të vijmë ne në pushtet, do t’i hetojmë, rishikojmë apo rrëzojmë këto marrëveshje apo privatizime apo koncesione… dhe në rastin më të keq, po të përsërisim analistin e njohur Fatos Lubonja, bërtasin në kupë të qiellit sa herë që ndiejnë se pushteti po u heq nga duart “llokmën”.

Por shqiptarët ka kohë që e kanë kuptuar se në fushën e lojës, në vendin e tyre, ka edhe një tjetër specie kryeministrash. Janë “kryeministrat e krimit”, të cilët nuk mbeten asnjë hap pas në fuqitë e tyre. Ata nuk kanë në duar pronat e shtetit, por përmes kërcënimeve, plumbave e bombave kanë mundur t’i zhysin thonjtë shumë thellë në pronën publike dhe private, nuk kanë në duar buxhetin e shtetit, por mund të fusin duart në tenderë publikë dhe sidomos në xhepat e biznesmenëve përmes gjobëvënieve marramendëse, nuk kanë tagrin që të bëjnë emërime, por kanë peshën e tyre të padiskutueshme të influencës për shkak të kërcënimeve dhe bekgraundit të frikshëm, tashmë të reklamuar edhe nga të gjitha mediat. Ky është realiteti i Shqipërisë së vitit 2016.

Faktet e fundit të bëra publike pas ndalimit të Emiljano Shullazit, një personazhi të njohur të botës së krimit, i cili në mes të nëntorit të vitit të shkuar u fut edhe në gojën e ambasadorit amerikan Donald Lu, e vërtetojnë më së miri këtë realitet. Sipas të dhënave që po kërcejnë përditë e më të shumta, ai edhe u paska vënë gjoba marramendëse bizneseve, edhe paska përlarë e hedhur në emër të vet prona të privatëve, edhe paska ushtruar fuqinë e tij si “kryeministër krimi” për emërime në poste publike.

Po si kemi mbërritur deri këtu dhe a ka lidhje gjithçka ndodh me të quajturën aleancë të politikës me krimin, e cila konkretizohet përgjatë fushatave zgjedhore? A ka lidhje kjo me premtimet që politika u bën këtyre ndihmësve fuqiplotë në fushata e procese votimesh, sipas formulës: po të vijmë ne në pushtet, do të ketë (fitime) për të gjithë? Nuk është çudi që kjo të jetë periudha e formalizmit apo dakordësimit të marrëveshjeve.

Më tej, me marrjen e pushtetit, ky lloj krimi, që për shkak të këtyre marrëveshjeve mund të quhet “cilësor”, sigurisht që kërkon pjesën e vet të premtuar dhe sigurisht që kjo pjesë, apo oreksi, rriten sa herë që ky lloj krimi vë re se pushteti përlan për vete llokma përditë e më të mëdha. Ky mund të jetë një shpjegim për realitetin që po jetojmë.

Por, një tjetër çështje, është edhe koha, apo më saktë përgjigjja që vjen nga pyetja: Sa kohë i është dhënë një “kryeministri krimi” të realizojë qëllimet e veta? Duke marrë një shembull jo krejt korrekt, por të qenësishëm, në këtë rast mund të sillet edhe historia e një banditi e vrasësi të egër të Beratit të vitit 1997, të quajtur Altin Dardha. Ky, në më pak se 4 muaj pa shtet (mars – qershor) arriti të vrasë më tepër se 50 njerëz duke përgjakur rrugët nga Berati gjer në Tiranë.

Për shkak të tij dhe të tjerëve, qindra e mijëra banorë të Beratit dhe rrethinave morën rrugët si refugjatë duke u sistemuar me të keq në Tiranë e qytete të tjera. Por Altin Dardha nuk dinte vetëm të tërhiqte këmbëzën. Me anë të gjobave ai voli edhe kursimet e pothuaj të gjitha bizneseve të zonës dhe mes këtyre ka edhe një tjetër histori që edhe sot përmendet shpesh. Është një histori që thotë se si ky “kryeministër krimi” i vitit 1997 i shkoi pronarit të Hotel “Turizmit” në Berat dhe nën tytën e kallashnikovit e detyroi që këtë pronë ta kalonte në emër të tij, pra në emër të Altin Dardhës.

Duke qenë se rasti i Shullazit është pothuaj krejtësisht i ngjashëm, pyetja e radhës është: A janë denoncuar ndonjëherë publikisht “kryeministrat aktualë të krimit” dhe a u është kushtuar vëmendje këtyre denoncimeve? Në një fjalim të mesit të nëntorit 2015, ambasadori amerikan Donald Lu tha tekstualisht se Shullazi “është akuzuar haptazi nga mediat për trafik të narkotikëve dhe vrasje, por nuk është çuar para drejtësisë”.

E pra krimi “cilësor”, apo “kryeministrat e krimit” në Shqipëri, qenkëshin akuzuar vazhdimisht nga mediat, sigurisht edhe nga opozita, ndërsa koha më frekuente, kur një gazetar i njohur i kronikës, Artan Hoxha, do të shprehej publikisht se ata “do jetë duke i zënë lemza nga përmendja e shpeshtë e emrave”, ka qenë në ditët e para të janarit 2015.

Po në këtë kohë, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, një tjetër gazetar e deklaroi situatën kriminale tepër të rënduar për shkak të gjobave marramendëse ndaj bizneseve të mëdha. Duke dhënë më tepër detaje, gazetari shtoi se “për fat të keq asnjë nga biznesmenët nuk ka denoncuar për shkak se nuk kanë besim te policia dhe shteti”. Porse, filluar qysh pas emisionit, të njëjtit gazetar iu bënë vizita “kortezie” nga të gjitha palët e prekura prej deklaratës. Mesazhe nga “kryeministrat e krimit”, por edhe nga politika.

Më e egër shfaqej opozita, që nuk pajtohej me pjesën e deklaratës që thoshte se “fenomeni është i trashëguar nga ish-pushteti”. Dhe në fund, si qershia mbi tortë, vjen edhe ndërhyrja e pozitës me anë të një telefonate të stërgjatë nga ministri i Brendshëm, i cili mes këshillimit e presionit dhe rrëmujës së argumenteve kërkonte përgënjeshtrim publik të deklaratës, duke u përbetuar se s’kishte asnjë denoncim për gjobëvënie, a thua se nuk e dinte që puna e policisë nuk nis dhe as përfundon vetëm kur vijnë denoncime.

Për më keq akoma, gjatë telefonatës, i njëjti shfaqte si shqetësimin më të madh faktin se opozita i kishte dalë në mbrojtje një kundërshtari të Shullazit të të njëjtit nivel. Dhe ja ku jemi. Ministri qysh në fillim të vitit 2015 mohon dhe tenton të mbyllë gojët e gazetarëve për një fenomen që i shpërthen në duar në pranverën e 2016-s.

Në këtë pikë pyetja diktohet në formën: Nëse Altin Dardha realizoi këto gjëma në katër muaj, po “kryeministrat e krimit”, të cilëve u kemi dhënë dhe vazhdojmë t’u japim kohë të pakufizuar, që matet me vite, çfarë i kanë shkaktuar këtij populli? Sa i është dashur këtij populli të paguajë? A ka mbledhur dikush të dhëna se sa biznese janë rrëmbyer, mbyllur apo falimentuar, se sa biznesmenë janë gjobitur dhe sa janë detyruar të degdisen nga sytë – këmbët jashtë vendit, se sa policë apo krerë policie janë kërcënuar e detyruar të kthejnë mbrapsht urdhrat etj., etj.?

Dhe, duke marrë shkas nga ky realitet i krimit, të tjera pyetje mund të ishin: Sa njerëz në Shqipëri kanë imunitet apo mbrojtje të mos rrëmbehen nga kriminelë të veshur me uniforma policie? Sa njerëz, veç Presidentit, Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, kryetarit të Parlamentit, kryeprokurorit dhe ambasadorit amerikan, të cilët kanë skorta të armatosura, nuk mund të rrëmbehen në Shqipëri?

Përse nuk kanë asnjë rezultat hetimet e grabitjeve të shumave miliona euroshe të bankave? Si është e mundur që edhe pse të mbyllur në qeli, në burgjet shqiptare disa nga të dënuarit arrijnë të ruajnë pozitat e “kryeministrave të krimit”, duke marrë zvarrë gjykatat, duke bërë trafik të fortë droge dhe duke urdhëruar bandat e tyre jashtë burgjeve për intimidime, kërcënime e vrasje?

Në kohën që shkruhen këto radhë, Shullazi rezulton i ndaluar në qeli. Ndërkohë që lufta politike për të marrë meritat, apo për të fituar merita, simpati e vota, është ndezur duke shkuar deri në tone banale. Gjithsesi, gjasat thonë se më tepër se dëshira e kryeministrave të pushtetit, prangat këtë radhë kanë tjetër foni në kërcitje. Kanë një kërcitje të fortë “Made in USA”. Madje, kjo situatë aktuale ka edhe një “deja vu”.

Në fund të tetorit 2003, do të ishte sërish një ambasador amerikan, i quajtur Xhejms Xhefri (James Jeffrey), që do t’u hidhte dorashkën “baronëve të krimit shqiptar”.

Në një takim të organizuar me prokurorë e gjykatës në Shkollën e Magjistraturës, ambasadori Xhefri, duke përsëritur frazën se “krimi po shkatërron Shqipërinë” për t’u dhënë krahë njerëzve të ligjit, shtoi se kishte një mesazh të qartë për baronët e botës së krimit, që e formuloi me fjalët: “Ne e dimë apo shumë shpejt do e zbulojmë se cilët jeni. Qeveria ime, partnerët tanë europianë dhe shqiptarët janë vënë pas jush dhe ne nuk do të rreshtim derisa ju të shkoni atje ku ju takon dhe krimi të mos kërcënojë më këtë vend dhe këtë rajon”.

Për habi, në periudhën nga viti 2003 deri në vitet 2006 – 2007, shteti shqiptar siguroi një epërsi të fortë mbi krimin. “Kryeministrat e krimit” në këtë kohë, ata që mbetën brenda vendit, u morën për veshësh, dhe u rrasën burgjeve. Po sot pse jemi katandisur në këtë derexhe? Kush e ka fajin që kemi rreth 10 vite që ecim mbrapsht?

Dhe ajo që është më e rëndësishmja, kush do të mbajë përgjegjësi për vragat e shkaktuara nga kamxhikët e vallehedhjes në kurriz të popullit të këtyre “kryeministrave të krimit”? Të paaftë dhe të plevitosur, si përherë, mbetet vetëm që të lusim Zotin që edhe këtë radhë amerikanët ta kenë seriozisht!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura