Kryebashkiakut i djegin makinën, reagon Leli: Nuk dua t’ia di, në këto momente…

Oct 11, 2019 | 8:30
SHPËRNDAJE

Digjet makina e kreut të Bashkisë Vlorë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

Dritan-Leli

Automjeti i bashkisë, që ishte në përdorim të Lelit, është përfshirë nga flakët në orët e para të së enjtes.

Përveç makinës tip “Range Rover”, me targë AA 525 MP, nga flakët u përfshi dhe një tjetër automjet që ishte parkuar afër saj. Drejtuesi i mjetit, shoferi i kryetarit të bashkisë, shtetasi me iniciale E.T., e kishte parkuar automjetin pranë banesës së tij, në një pallat në lagjen “Lef Sallata”.

Mësohet se si pasojë e flakëve, të dyja automjetet janë djegur plotësisht, ndërsa Policia ka ngritur një grup hetimor që po merret me këtë ngjarje. Të dyja automjetet janë larguar rreth orës 05:30 nga vendi i ngjarjes, ndërsa nga ajo çfarë ka mbetur në vend është një gomë rezervë dhe mbetjet e blozës së shkaktuar nga djegia.

Mësohet se fillimisht automjeti i kryetarit të Bashkisë së Vlorës është dërguar në Policinë e Vlorës, ndërsa nga burime pranë bluve mësohet se automjeti është dërguar më pas drejt Tiranës, për ekspertizë dhe saktësuar shkaqet e djegies.

Burime nga blutë e Vlorës saktësojnë se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, por ende asgjë nuk është saktësuar zyrtarisht, pasi do të pritet rezultati i ekspertizës, që do të saktësojë edhe shkaqet e zjarrvënies në automjetin e kryetarit të bashkisë, nëse realisht kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme apo flakët kanë ardhur për shkaqe aksidentale. Banorë të zonës, ku edhe u dogj automjeti, shprehen se nuk ka ndodhur asnjëherë pranë banesave të tyre një ngjarje e tillë e rëndë.

“Ndodhi në 04:30 të mëngjesit. Nuk dëgjuam zhurma. Rri shoferi te pallati tjetër. Dola për të parë makinën që u dogj, se aty është vendi ku lë makinën djali im. Por makina e djalit ishte parkuar në vend tjetër. Flaka ishte në majë. Zhurmë nuk dëgjuam se ishte vonë”, shprehet një banor i lagjes ku ndodhi ngjarja.

Ndërkohë, në një reagim të vetë kryetarit, Dritan Leli, ky i fundit është shprehur se nuk i intereson se çfarë ka ndodhur, duke theksuar se po i qëndron pranë vëllait të tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ky është rasti i dytë i regjistruar në Vlorë, kur digjet një automjet që përdoret nga kryetari i Bashkisë së Vlorës. Në 24 janar të vitit 2012 është djegur edhe automjeti i kryetarit të bashkisë në atë kohë, Shpëtim Gjika, një “Mercedez Benz”, të cilit iu vu flaka në zonën e “Ujit të Ftohtë”, pranë banesës së Gjikës.

“LUFTË PËR PRONAT NË BREGDET”

Për ngjarjen e ndodhur në Vlorë ka reaguar dhe Partia Demokratike, me anë të Flamur Nokës. Ish-deputeti deklaroi se bëhet fjalë për luftë mes bandave për të marrë prona në zonat bregdetare të Vlorës.

“E vërteta është se kjo është një luftë mes bandave. Është një bandë e krimit të organizuar për të gllabëruar toka në bregdetin e Jalit, kundër bandës së qeverisë, që po e grabit atë me klientët e Edi Ramës, të cilëve u jep statusin e investitorit strategjik për të grabitur dhe betonizuar rivierën shqiptare. Duke blerë zgjedhjet për Edi Ramën, krimi i organizuar ka siguruar paprekshmërinë nga drejtësia, prandaj ai guxon të kërcënojë zyrtarët e shtetit, t’i detyrojë ata të japin dorëheqje dhe të hedhë në erë makinat e kryetarëve të bashkive”, u shpreh ish-ministri i Brendshëm.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura