Kroatia, Petra Rosandiæ, shkrimtarja që i bën të gjitha

Apr 8, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Kush mund te thote nese eshte me mire t’i kesh te gjitha, apo të jetosh e lumtur me një talent me të cilin ke lindur; të shkruarin. Mbase është nevoja për njohje të gjithçkaje e kësaj të fundit që e ka bërë shkrimtaren kroate Petra Rosandic të studiojë e të njohë pikturën, të vetëmësojë për koreografinë, të aktrojë, të njoh muzikën. Po i bën të gjitha!

Petra Rosandiæ
Petra Rosandiæ

Për momentin, që kur ka ardhur në Rezidencën e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë në Tiranë, shijon orët e lira nëpër rrugët e qytetit, për të mbledhur të gjitha rezultatet e vëzhgimeve në shtëpi, atje ku nis e hedh në letër ç’ka parë e ç’të reja ka mësuar.

“Më pëlqen Tirana për ngjyrat, arkitekturën e ka të larmishme, njerëzit miqësorë. Mund të them se në standard jetese nuk ka asgjë ndryshe nga Kroacia. Duket qytet i gjallë, po aq edhe i qetë, ku mund të ecësh netëve vetëm pa asnjë problem. Është interesante sesi nisemi gjithnjë me paragjykime për vendet që nuk i njohim. Miq të mitë në Kroaci më thoshin që është vend shumë i varfër, por nuk e shoh të jetë më i varfër sesa ne. Edhe fakti që ne tashmë jemi pjesë e Bashkimit Europian, nuk ka sjellë ndonjë ndryshim. Nuk na ka bërë më të pasur, përveç përfitimit të mos qëndrojmë në radhë në aeroport, por të kalojmë në çdo portë ku shfaqet flamuri i BE-së. Kaq!”.

Poetja kroate është autore e dy librave me poezi “Ako dugo držiš usta otvorena”, që në shqip do të përkthehej “Nëse do ta mbaje gojën hapur për një kohë të gjatë” dhe “Antikrishti i tretë” , i cili do të botohet së shpejti në Kroaci dhe Serbi. Të shkruarit thuajse ka nisur bashkë me të. Ishte vetëm 8 vjeçe kur shkroi poezinë e parë, por kjo nuk do të thotë që vazhdoi me këto ritme. Në moshën e parë, por pastaj, mbase pikërisht se kishte nisur të shkruante shumë herët, u ndje e lodhur.

“Isha 19 vjeçe kur ndjeva se isha lodhur duke shkruar. Mendova se nuk do të shkruaja më”. Edhe pse dukej e bindur, kjo gjendje i kaloi shpejtë. Njësoj i kaloi edhe bindja që kishte se ishte e zonja të shkruante vetëm poezi. “Të më thoshin para disa kohësh që do të shkruaja prozë, do të thosha: Jo! Unë do të shkruaj gjithmonë poezi. Aty jam unë. Mendimet e mia vijnë në trajtë të shkurtër, të përmbledhur si vargje. Por ja që prej disa muajsh e kam të pamundur të shkruaj poezi dhe kam nisur me prozë”.

E ka mësuar tashmë se në arte, e kotë të vësh kufij e të bësh parashikime sepse nuk ka se si shpjegohet që Petra merret me të gjitha. “Nuk kam studiuar koreografi, sepse në Kroaci nuk kemi një shkollë për koreografi, siç mësova që ka në Shqipëri. Kështu që e kam mësuar vetë. Kam punuar disa vjet si koreografe. Sigurisht që muzika xhaz është e mrekullueshme, por tekstet, lirikat janë ato çka më tërheqin shumë për t’i kthyer në vallëzim”.

Pra, në thelb, janë gjithnjë tekstet ato për të cilat nuk ka luksin të tregohet asnjëherë indiferente ndaj asgjëje. “Duhet të njohësh politikën, qeverinë, qeverisjen, të dish ç‘ndodh me emigrimin, si për shembull ajo që po kalon këto kohë populli sirian… Këto nuk mund të të lënë indiferente. Nëse je njeri i ndjeshëm, padrejtësitë që ndodhin do të të inatosin e kështu do të prodhosh diçka”, thotë ajo, ndërsa zbulon se të jesh një shkrimtar i ri në Kroaci, nuk është aspak e lehtë.

“Qeveria aktuale e krahut të djathtë, nuk e mbështet aspak kulturën në vend. Për t’u botuar në Kroaci, duhet të kalosh përmes Shoqatës së Shkrimtarëve, e cila ka mosmarrëveshje me qeverinë për shkak të pikëpamjeve të majta që ka, ndërsa qeveria është e djathtë. Me shumë gjasa ata nuk do të marrin asnjë financim nga shteti këto kohë dhe nuk e di si do të shkojë kjo punë. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, shkrimtarët apo artistët e rinj duhet të ecin përpara me punën e tyre dhe të mos presin mbështetjen nga shteti, e cila mund të mos vijë kurrë. Arti, mendoj se e gjen gjithmonë rrugën. Mund të zgjedhësh; të humbasësh kohë për të gjetur fonde a mbështetje apo të bësh art. Edhe kur të bërit art bëhet shkatërrues edhe për vetë artistët. Ta pranojmë se sot askush nuk lexon. Vetëm 10 për qind e të rinjve në shkolla lexojnë letërsi. Askush nuk do t’ia dijë për artistët”.

Vetëm se, ata vetë, duan t’ia dinë për artin, edhe sikur të gjithë t’iu kundërviheshin, nuk do të dinin ta flaknin. Prandaj, Petra do të kthehet gjithnjë te poezia, megjithëse tani ka një nga ato bindjet e saj se ka hequr dorë.

“Nuk do të thotë që të shkruash një poezi duhet ta bësh patjetër, menjëherë. Mua më ndodh të hedh një varg tani dhe jam e lumtur që më ka ardhur ky varg…, pastaj një ditë tjetër një tjetër varg, derisa të bëhet e plotë poezia. Jo gjithçka që mendon duhet patjetër ta hedhësh në letër. Jo mes morisë së asaj çka të kalon ndërmend zgjedh më të mirën, që ti e di cila është. Një nga arsyet pse shkruaj është edhe të di se ç’kam menduar atë kohë. Më ndodh që kur i lexoj, nuk i kuptoj të gjitha ato që kam shkruar. Ka njerëz që ku lexojnë poezitë e mia më pyesin se ç’kam dashur të them dhe më ndodh që kur i lexoj as unë nuk e di. U them ta gjejnë vetë një kuptim. E nëse e gjejnë, cilido qoftë, atëherë ia kam arritur qëllimit përse shkruaj”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura