Kriza reale e sistemit tonë mediatik: instrumentalizmi

May 14, 2022 | 10:08
SHPËRNDAJE

BLENDI KAJSIU

BLENDI KAJSIU

Rënia prej 20 vendesh e li risë së mediave në Shqipëri sipas raportit të fundit të Reporterëve pa Kufij hapi edhe një herë debatin mbi degradimin e lirisë mediatike në Shqipëri. Ndonëse i rëndësishëm dhe i shëndetshëm, ky debat u reduktua edhe një herë te dy llogore, pro dhe kundër qeverisë.

Kritikët e Ramës e lexuan raportin si një evidencë më shumë e kapjes së mediave prej tij. Ndërkohë, Rama dhe mbështetësit e tij sulmuan kredibilitetin e raportit. Ndonëse këta të fundit mund të kenë rezerva në lidhje me rënien drastike të Shqipërisë prej 20 vendesh, degradimi i hapësirës mediatike në vend është evident. Ashtu sikurse edhe gravitacioni i tyre drejt ekzekutivit, që tashmë është reduktuar te Kryeministri. Ky i fundit, nga ana e tij, nuk ka bërë asnjë sforcim për ta ndaluar degradimin e medias sonë, përkundrazi ka kontribuar në kapjen dhe përdorimin e saj.

E megjithatë obsesioni për ta shpjeguar degradimin e mediave tona thjesht me Edi Ramën është problematik. Ky degradim ka filluar shumë përpara ardhjes së Ramës në pushtet dhe do vazhdojë pas largimit të tij, për sa kohë ai reduktohet te mungesa e lirisë. Ideja se problemi themelor i mediave tona është mungesa e lirisë nënvleftëson shkallën e degradimit të tyre. Problemi i mediave tona është shumë më i thellë.

Edhe sikur sot të kishim një ekzekutiv model, një Kryeministër që nuk kap mediat dhe nuk përçmon gazetarët, përsëri sistemi ynë mediatik do ishte në degradim. Në fakt, në qeverisjen e parë Berisha mediat e pavarura u përballën me një ekzekutiv shumë më të egër se ky i sotmi. Një qeveri që i fuste në burg gazetarët dhe digjte gazeta si “Koha Jonë”. E megjithatë, media e atëhershme ishte më e lirë dhe e kryente më mirë funksionin e saj se sot.

Arsyeja është se në vitet 1990, gazetaria, pavarësisht mungesës së kapaciteteve profesionale apo teknologjike, ishte qëllim në vetvete. “Koha Jonë” e viteve 1990 ishte ndoshta gazeta e fundit që ishte thjesht gazetë, ndaj shërbeu si shkollë për breza të tërë gazetarësh dhe ende kujtohet me nostalgji. Ndërkohë, sot, me shumë pak përjashtime si BIRN, media është një instrument për të arritur qëllime të tjera, që nga pasurimi ekonomik, pushteti politik apo prestigji social. Është ky instrumentalizim i medias që fillon nga pronari dhe vazhdon deri te gazetari më i thjeshti, që qëndron në themel të degradimit të sistemit tonë mediatik.

Nga një qëllim në vetvete, si mbrojtëse e interesit publik, media është transformuar në një instrument të interesit privat të pronarëve të saj. Ky transformim filloi si pasojë e logjikës ekonomike që imponoi struktura e pronësisë mediatike në momentin që mediat u bënë zgjatim i interesave të ngushta ekonomike të pronarëve të tyre. Futja e biznesit në tregun mediatik nga një anë zgjidhi problemet e tyre financiare, por nga ana tjetër transformoi logjikën e funksionimit të medias nga qëllim në mjet.

Kjo logjikë ekonomike që e instrumentalizon median në funksion të një interesi të përveçëm, dhe shumë larg interesit publik, ka pushtuar tashmë të gjithë hapësirën tonë mediatike. Fillimisht, ajo transformoi gazetarët në biznesmenë dhe biznesmenët në gazetarë. Të parët kuptuan rëndësinë e medias për të krijuar pasuri dhe të dytët kuptuan rëndësinë e medias për ta mbrojtur dhe shtuar atë. Ndaj shumë gazetarë të mirë u transformuan në biznesmen, ndërkohë që mjaft biznesmenë u futën direkt në përcaktimin e linjës editoriale dhe përmbajtjes së medias.

Por nuk kemi të bëjmë me një logjikë thjesht ekonomike. Ndonëse instrumentalizmi filloi si një logjikë ekonomike, ajo tashmë është kthyer në logjikën dominuese sociale brenda sferës mediatike. Ajo dominon jo vetëm te mediat, por edhe te publiku që ato prodhojnë. Është një publik që mbi të gjitha vlerëson efektin dhe jo përmbajtjen e shkrimit apo analizës. Pyetja themelore është çfarë synon ky shkrim? Përse është shkruar? Kujt i shërben?

Rëndësia e lajmit apo e analizës nuk përcaktohet në raport me vërtetësinë, cilësinë apo shërbimin që i bën interesit publik, por në funksion të qëllimit të gazetës apo gazetarit që prodhon lajmin apo analizën. Pyetja që përcakton përmbajtjen e lajmit apo të analizës është si i shërben kjo qëllimit tim? Qëllimi mund të jetë ekonomik, mbrojtja apo shantazhimi i ekzekutivit për të përfituar financiarisht, apo politik mbrojtja apo sulmi ndaj një aktori politik të caktuar.

Në këtë kontekst, e vërteta apo interesi publik është një çështje dytësore përballë synimit që ka media apo gazetari. Nëse interesi publik apo e vërteta nuk koncidojnë me interesin ekonomik apo politik të një media apo gazetari të caktuar ato mbeten jetimë. Dhe shembuj të tillë ka plot në sferën tonë publike.

Rasti më i fundit ishte shitja për skrap e rafinerisë së Ballshit (ARMO) dhe kolapsi i industrisë sonë të naftës, që doli në pah si pasojë e rritjes së çmimit të naftës nga lufta në Ukrainë. Shkatërrimi i industrisë së naftës, por edhe presioni ndaj qeverisë për ta ringritur atë, janë çështje jetike të interesit publik, pasi kjo industri mund të prodhonte pavarësi energjetike, punësim dhe çmime më të lira për shqiptarët.

Ama ky interes publik nuk përkonte me asnjë interes të veçantë mediatik, politik apo ekonomik. Mediat pranë qeverisë heshtën mbi këtë çështje sepse kjo binte ndesh me synimin e tyre për të mbrojtur Ramën përballë opozitës. Mediat opozitare heshtën gjithashtu sepse kolapsi i ARMO-s fillonte me qeverinë Berisha –Basha, që ishte alternativa që ata u ofronin shqiptarëve. Nga ana tjetër nuk kish asnjë interes imediat ekonomik që synonte rigjenerimin e industrisë shtetërore të naftës. Përkundrazi, shumë nga të ashtuquajturit “oligarkë” merren me importin e naftës dhe dëmtohen nga fuqizimi i një industrie publike që konkurron me mallin e importit.

E njëjta situatë u përsërit në rastin e gazsjellësit TAP. Lajmi bombë se Shqipëria nuk përfiton as gaz dhe as qira nga ky gazsjellës që u shit si investimi i huaj më i madh i tranzicionit kaloi pothuajse në heshtje jo vetëm si pasojë e hermetizmit të qeverisë Rama, por edhe sepse çështja nuk mund të instrumentalizohej në funksion të ndonjë interesi të përveçëm. Edhe në rastin e TAP problematika fillonte me Berishën dhe Bashën dhe mbaronte me Ramën, ndaj asnjëra palë nuk ish e interesuar të merrej me të. Nga ana tjetër mungojnë grupe të fuqishme ekonomike që janë të interesuara në gazifikimin e vendit, edhe pse kjo është në interesin tonë publik. Edhe në këtë rast aktorët kryesorë janë importues që nuk përfitojnë nga gazifikimi i Shqipërisë nëpërmjet TAP. Për pasojë, problematika kaq themelore për interesin publik u injoruan pothuajse tërësisht në mediat tona, majtas, djathtas dhe në qendër.

Natyrisht ka një sërë arsyesh shtesë se përse kjo ndodhi, që nga mungesa e informacionit nga ana e qeverisë dhe deri te kolapsi i gazetarisë investigative që as financohet dhe as promovohet në mediat tona. Kjo, edhe si pasojë e faktit se shumë mediat dalin me humbje dhe mbijetojnë si shtojca të bizneseve të tjera. Ama, të gjitha këto probleme e kanë gjenezën e tyre pikërisht te logjika e instrumentalizmit të medias. Për sa kohë një media funksionon si instrument apo shtojcë e interesave të tjera dhe jo si qëllim në vetvete ajo nuk mund të konsolidohet dhe aq më pak të fitojë besueshmëri te publiku.

Përkundrazi, media të tilla prodhojnë një publik mosbesues që gjykon me logjikën instrumentaliste, që më shumë se te vërtetësia e lajmit apo e analizës përqendrohet tek efektet e tij. Pyetja është “kujt i shërben ky lajm apo kjo analizë?”, sepse asnjë lexues nuk beson se lajmi apo analiza mund të jenë në funksion të interesit publik. Dhe nuk kanë faj sepse lajmet dhe analizat ndërtohen në funksion të synimit të pronarit, gazetarit apo analistit. Ato janë instrumente për të goditur apo mbrojtur një palë më shumë se përpjekje të mirëfillta për të zbardhur dhe kuptuar një skandal apo problem social.

Për këtë arsye mbështetësit e qeverisë që ekspozojnë pafund skandalet e Berishës injorojnë skandalet e Ramës, ku miliona euro të inceneratorëve i kalojnë një firme fantazmë. Ata i kuptojnë shumë mirë dimensionet skandaloze të aferës së inceneratorëve, por qëllimi i tyre është mbajtja e Ramës në pushtet, sidomos përballë një opozite berishiste, që në vlerësimin e tyre është shumë më e keqe se Rama. Është ky qëllim që përcakton servirjen e lajmit dhe të analizës. Këto të fundit janë mjete që shërbejnë për të mundur Berishën përballë Ramës apo Bashës dhe jo qëllime në vetvete.

Në të njëjtën frymë mediat dhe mediat që kanë synim themelor rrëzimin e Ramës, duke përfshirë edhe gazetarët e pavarur, injorojnë korrupsionin dhe autoritarizmin e Berishës apo të Metës sipas logjikës “Rama është e keqja më e madhe”. Për sa kohë ata besojnë se Berisha ofron opozitën më të fortë ndaj Ramës, ata janë gati të argumentojnë se ai do ta demokratizojë PD-në. Edhe pse shumë syresh kanë dekada që e denoncojnë atë si diktator dhe vrasës të demokracisë. Edhe në këtë rast synimi, rrëzimi i Ramës, i mbivendoset gazetarisë dhe analizës duke i futur shpesh gazetarët në kontradiktë me logjikën dhe vetveten.

Natyrisht, problemi i logjikës instrumentale shkon shumë përtej mediave dhe vendit tonë, pasi ka të bëjmë me vetë kapitalizimin në përgjithësi dhe neoliberalizmin në veçanti. (Madje, sipas filozofëve të shkollës së Frankfurtit, Adorno dhe Horkheimer, logjika instrumentale është produkt i vetë iluminizmit, por për artikullin tonë modest s’ka pse të shkojmë aq larg). Një nga arritjet e mendimtarëve neoliberalë, dhe veçanërisht ekonomistëve, ishte eliminimi i vetë konceptit të interesit publik si kategori analitike, si diçka tejet subjektive që nuk mund të përcaktohej objektivisht. E vetmja gjë objektive që mund të përcaktohej qartë dhe për pasojë mund dhe duhej të ekzistonte, ishte interesi privat. Sipas tyre ajo që paraqitej si interes publik ishte në fakt një interes i maskuar privat.

Kjo logjikë hodhi rrënjë shumë lehtë në truallin tonë, pasi edhe në filozofinë marksiste interesi publik nuk ishte asgjë më shumë sesa interesi privat i klasës dominuese borgjeze i paketuar si interes publik. I vetmi interes që koincidonte me interesin publik ishte interesi i proletariatit. Çka nënkuptonte se më rënien e komunizmit dhe zhdukjen e proletariatit zhduket edhe interesi publik. Ndaj marksistët tanë u transformuan shumë lehtë në neoliberalë, me ndonjë përjashtim të vogël si Servet Pëllumbi. Ata nuk besonin as tek interesi publik dhe as te shteti.

Po t’u shtojmë këtyre rrymave edhe postmodernizmin që dekonstrukton çdo artikulim apo narrativë kolektive, siç është koncepti i interesit publik, është e lehtë të kuptosh përse në sferën tonë publike dhe politike ky koncept është varrosur prej kohësh. Ideja se mediat janë prona private që i shërbejnë interesit privat të pronarit është pranuar dhe brendësuar tashmë edhe nga vetë gazetarët. Në fakt, është e pamundur të punosh dhe mbijetosh në mediat tona nëse nuk pranon këtë ide.

Në këto kushte, shpresa e vetme është që e vërteta do shfaqet nga përplasja mes pluralitetit të interesave të përveçme në kushtet e lirisë mediatike. Supozimi bazë është se e vërteta e plotë mund të ndërtohet nga bashkimi i të vërtetave të pjesshme që prodhojnë mediat e ndryshme. Ajo ndodhet diku midis versioneve të pjesshme që ofrojnë aktorë të ndryshëm. Normalisht, diku në mes të dy versioneve kontradiktore.

Por pluralizmi i të vërtetave të pjesshme nuk ka prodhuar asnjë të vërtetë të plotë për faktin e thjeshtë, sepse e vërteta nuk mund të ndërtohet nga një koleksion të vërtetash të deformuara apo inekzistente. Problemi është se shpesh mediat nuk janë fare të interesuara te problemet apo të vërtetat sociale që shqetësojnë qytetarët sepse ato nuk i shërbejnë instrumentalizmit të tyre. Sikurse ndodhi në rastin e ARMO-s apo të TAP, të vërteta themelore si kolapsi i industrisë sonë të naftës nuk përmenden fare nga asnjë aktor mediatik.

Në këtë aspekt mediat janë shumë më larg shoqërisë dhe shqetësimeve të saj sesa vetë politika, të cilin vazhdimisht kritikojnë se nuk u shërben qytetarëve. Në rastin e shumë problematikave sociale, mediat heshtin duke e zhvendosur vëmendjen thjesht te koniunktura politike, pasi ajo i shërben axhendës së tyre. Logjika instrumentale jo vetëm e fragmentizon, por shpesh e fshin të vërtetën dhe interesin publik.

Produkt i kësaj logjike janë një sërë fenomenesh negative të medias sonë si obsesioni i tepërt me politikën, mungesa e pasqyrimit të problematikave sociale në media apo degradimi i gazetarisë si profesion, dhe veçanërisht i asaj investigative. Kështu mbulimi non stop i politikës, në vend të problematikave sociale, ndodh jo vetëm sepse nuk kushton shumë, por edhe sepse aty media ndikon dhe përfiton direkt. Një reportazh mbi problematikën e zonave rurale vështirë se tërheq vëmendjen e qeverisë apo i sjell ndonjë fitim pronarit të medias. Ama, një mbrojtje apo sulm ndaj Kryeministrit përballë skandalit të inceneratorëve tërheq vëmendjen e pushtetit dhe shpërblehet në mënyre direkte apo indirikte. Ndaj, nga një aktor social media është shndërruar në një aktor të pastër politik. Analisti i kudondodhur politik (siç është autori i këtyre radhëve) është një nga produktet e shëmtuara të këtij fenomeni.

Kjo ka sjellë degradimin e profesionit të gazetarit në përgjithësi, pasi funksionin e tij po e kryen gjithnjë e më tepër analisti. Gazetaria është zhvendosur nga ofrimi tek interpretimi i fakteve. Fakti është eklipsuar gjithnjë e më tepër nga opinioni. Në këto kushte gazetaria investigative humbet rëndësinë jo vetëm sepse nuk financohet, por edhe sepse merret me fakte në një media që theksin e vë tek opinioni. Ajo humbet edhe besueshmërinë sepse në një media të instrumentalizuar është e paragjykuar apriori. Zhanre të tjera si reportazhi, që pasqyrojnë problematikat sociale, nuk kanë interes as për pronarin dhe as për publikun sa të vogël aq edhe të politizuar dhe të instrumentalizuar që prodhon media jonë.

Për pasojë, një pjesë e gazetarëve, ndonëse jo të gjithë, në mungesë të sigurisë ekonomike dhe të prestigjit social bëjnë në trafik favoresh. Të njëjtën gjë që pronarët e tyre bëjnë në nivel makro ata e bëjnë në nivel mikro, duke e përdorur profesion për të përfituar favore në shkëmbim të shërbimeve mediatike. Profesioni nuk është më vokacion, por instrument. Praktika të tilla që janë produkt i logjikës instrumentale e kanë goditur rëndë prestigjin e gazetarisë si profesion te ne.

Aq sa duket e pabesueshme të mendosh se disa nga gjigandët e letërsisë botërore ishin gazetarë. Ernest Hemingway, një nga kolosët e letërsisë botërore, ishte gazetar. Një nga themeluesit e realizmit magjik, dhe gjigantët e letërsisë latino-amerikane dhe botërore, Gabriel Garcia Markez, ishte gjithashtu gazetar. Ai e filloi letërsinë nëpërmjet reportazheve që bënte në çdo cep të Kolumbisë.

Ndërkohë, te ne gazetaria dhe gazetarët shpesh përbuzen nga ata vetë dhe nga të tjerë. Duke filluar nga kryeministri që teksa përcmon dhe bën të fortin me gazetaret e thjeshta rreh shpatullat me pronarët e tyre. Vetë gazetarët synojnë të bëhen analistë, ndërkohë që këta të fundit shpesh transformohen në sipërmarrës politik apo ekonomik. Dhe ky është një problem që shkon përtej konceptit të lirisë së medias. Liria është e domosdoshme që mediat ti shërbejnë interesit publik, por ajo nuk zgjidh asgjë nëse vetë koncepti i interesit publik zhduket nga radari mediatik. Natyrisht, që media të ndryshme do ta kuptojnë në mënyra të ndryshme interesin publik, për disa ai qëndron tek liria e sipërmarrjes apo konkurrenca e lirë, për të tjerë tek barazia apo drejtësia sociale, për të tjerë te ruajtja e traditës. E rëndësishme është që raportimi i tyre të bëhet në raport dhe koherencë me këtë konceptim dhe jo thjesht në funksion të interesave të përveçme të pronarit apo gazetarit të radhës.

Në të kundërt, nëse orientimi i vetëm i medias është interesi i saj i përveçëm, qoftë ky politik apo ekonomik, liria nuk mjafton. Ajo thjesht shërben për të prodhuar një shumësi mediash që përfaqësojnë gjithnjë e më shumë morinë pafund të interesave përveçme që i financojnë dhe gjithnjë e më pak interesin publik. Ky lloj pluralizmi thellon zhurmën, kakofoninë dhe mungesën e besueshmërisë mediatike, duke u kthyer në mburojë të korrupsionit dhe keqqeverisjes së pushtetit.

** Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

© Panorama.al

Te lidhura