Kriza e çmimeve, gati paketa e dytë për kategoritë në nevojë! Kush përfiton

Jun 24, 2022 | 15:31
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Edhe pse nuk ka ende një draft konkret, ajo që mund të thuhet në këtë fazë është se mbështetja ndaj kategorive në nevojë do të vijojë.

inflacion-1-850x450-1

Kjo konfirmohet edhe nga zv.ministri i Infrastrukturës dhe i Energjisë, Ilir Bejtja. “Paketa e parë e rezistencës sociale përfundon në fund të muajit qershor. Por përderisa kriza vazhdon, do të ketë një paketë të dytë përmbështetjen e kategorive në nevojë”, tha Bejtja në një prononcim dhënë për gazetën.

I pyetur nëse paketa e dytë do të jetë zgjatim i së parës, z.ministri pohoi se deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Detajet e skemës pritet të publikohen në ditët në vijim. Ajo që mund të thuhet në këtëfazë, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga përfundimi i paketës së parë, është se mundësitë janë që disa kategori pensionistësh dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike të përfitojnë nga ndihma e drejtpërdrejtë financiare. Pra, bonusi në vlerën e 3 mijë lekëve që ofrohet prej muajit prill, të vazhdojë të ndahet edhe përgjatë muajve në vijim.

MBËSHTETJA

Por mbështetja që qeveria ofroi pas rritjes së çmimeve, si pasojë e krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë, është më e ulëta në krahasim me vendet e rajonit. Në raportin e fundit, Banka Botërore vuri në dukje se Shqipëria ka shpenzuar vetëm 1.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Nga ana tjetër, edhe për ekspertët, paketa e parë në ndihmë të qytetarëve ishte minimalistedhe pa efekt neto në xhepat e tyre. Paketa e rezistencës sociale e prezantuar nga qeveria në muajin mars kishte një efekt financiar rreth 50 miliardë lekë ose gjysmë milioni dollarë. Por pjesa dërrmuese e kësaj fature shkoi për sektorin energjetik, për të mos ndryshuar çmimin e energjisë. Ndërsa ndihmë e drejtpërdrejtë për pensionistët dhe kategoritë në nevojë ishte bonusi në vlerën e 3 mijë lekëve ose 9 mijë lekë për 3 muaj, që qeveria akordoi si kompensim për rritjen e çmimeve që pësuan produktet e shportës.

Në vlerësimin e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi nga Qeveria që të mbështesë familjet në nevojë, të cilat prej fillimit të këtij viti po përballen me valën në rritje të çmimeve. Kjo, sipas FMN-së, nuk duhet bërë përmes Bordit të Transparencës që është ngritur për fiksimin e çmimeve, duke sugjeruar më tej shkrirjen e kësaj strukture.

“Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve. Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë edhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal”, thuhej në deklaratën e FMN-së, në përmbyllje të vizitës në vendin tonë.

Të ardhurat për 5-mujorin e parë e favorizojnë këtë. Nga të dhënat zyrtare, përgjatë kësaj periudhe të parë të vitit janë arkëtuar 41 miliardë lekë, ose 340 milionë euro më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto para sipas ekspertëve e kanë burimin në rritjen e çmimeve e për pasojë duhet të rikthehen te qytetarët, të cilët prej muajsh po përballen me çmime të dyfishuara.

PAKETA E PARË

Përmes paketës së parë, prej muajit prill, pensionistët, familjet që trajtohen me asistencë, të verbrit, invalidët marrin 3 mijë lekë kompensim në muaj pas rritjes abuzive që kanë njohur çmimet e produkteve bazë apo të shportës. Kjo mbështetje ishte për tre muaj dhe përfundon në fund të qershorit, ndërsa në skemë janë 576 mijë familje që përfituan prej saj. Por ajo që vlen të theksohet është se jo të gjithë pensionistët do të kenë mundësi që të përfitojnë nga kjo skemë.

Sipas ISSH-së, mbështetja e ofruar ishte për pensionistët që jetojnë vetëm, të verbrit si edhe të gjithë ata që iu është llogaritur pensioni deri në 13 320 lekë. Por ky prag nuk përfshin kompensimet e lidhura ndër vite. Si referues merret pensioni i llogaritur bazuar mbi vitet e punës dhe pagën e përfituar ndër vite.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura