“Krimi shndërrohet në karriget më të larta në pushtet”- Berisha: Kjo betejë shpëtimtare për Shqipërinë, orë na fton të marrim në dorë fatin tonë

Apr 22, 2024 | 21:05
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës, ka komentuar dokumentarin e medias italiane Rai3,  duke thënë se faktoi që  aktet ligjore, nënligjore të vendit, vendimet e qeverisë, lidhjet me krimin, në të dy anët e Adriatikut, Edi Rama ia ka besuar Engjëll Agaçit.

berisha

Berisha tha se në Shqipëri krimi shndërrohet në votë,lobim të fuqishëm dhe në karriget më të larta në pushtet. Për këtë arsye tha ai, beteja që po bëjnë është për shpëtimin e Shqipërisë.

Dokumentari fakton se aktet ligjore, nënligjore të vendit, vendimet e qeverisë, lidhjet me krimin, në të dy anët e Adriatikut, Edi Rama ia ka besuar Engjëll Agaçit, këtij mafiozi të shpëlarë, të zhytur në krime, vjedhje dhe abuzime.

Dokumentari fakton se si vetingu u përdor për gjueti shtrigash. Se si u nxorën nga sistemi të gjithë ata burra dhe gra që guxuan të lëshojnë fletë arresti, të arrestojnë serial killerët, të arrestojnë bosët e bandave që ishin miq të qeveritarëve të sotëm.

Të gjitha këto në një dokumentar mjaftojnë për të rrëzuar tre herë një qeveri.

Por kjo nuk ndodh sepse kjo qeveri ka blerë mediat, ka blerë bandat, ka blerë me miliona e miliona, me korrupsion transnacional, McGonigal dhe kompani.

Ç’mbetet atëherë miqtë e mi? Mbetet të marrim fatin në dorë një minutë e më parë.

T’i dalim fatit tonë për zot.

Të dashur miq, në Shqipëri krimi shndërrohet në votë.

Në Shqipëri, krimi shndërrohet në lobim të fuqishëm.

Shndërrohet në McGonigal.

Në Shqipëri, krimi shndërrohet në karriget më të larta në pushtet.

Ndaj dhe kjo betejë që bëjmë, pavarësisht nga vështirësitë dhe rreziqet, është betejë epike. Është betejë shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Prokurorët që amnistuan Olsi Ramën, që fshehën dokumentet e kalimit 18 herë të kufirit me makinën e drogës.

Që fshehën filmime e fotografime të tij në mbledhjen me Xhixhën, Gjonajn dhe Ermal Hoxhën, u shpërblyen.

Njëri emërohet Prokuror i Përgjithshëm, tjetri për një votë do ishte Duman i përgjithshëm.

Por ky është vetëm një aspekt.

Aspekti dramatik është se këtë drejtësi të inkriminuar si kurrë më parë, këtë drejtësi që iu mohon shqiptarëve të drejtën dhe ligjin, këtë drejtësi mburojë të krimit të organizuar dhe vjedhjeve qeveritare, kërkojnë t’ua shesin shqiptarëve si sukses.

Kërkojnë t’ua shesin shqiptarëve si mirësi, sikur të mos jenë njerëz, sikur të mos jenë qenie njerëzore, por barngrënës.

Miqtë e mi, çdo ditë, çdo orë na fton të marrim në dorë fatin tonë.

Të premten, dita e shpëtimit të bashkisë, dita e çlirimi të bashkisë.

Të premten, Erion Veliaj jep dorëheqjen sepse gjyqin do ta bëjmë në sheshin Skënderbej”, tha Berisha.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura