Krime, ngrihet flamuri rus, Xhon Kerri telefonon Lavrov

Feb 28, 2014 | 13:01
SHPËRNDAJE

Protestuesit pro-rusë kanë hyrë në ndërtesat qeveritare në Krime dhe kanë vendosur në to flamurin e Rusisë, duke thirrur “Krimea është Rusi”. Përplasjet vazhdojnë në qytetin Siferopoli, ku pro-rusët kërkojnë shkëputjen e plotë nga autoritetet në Kiev. Krimea është një rajon me rreth 60 për qind të popullsisë ruse, e cila iu dha Ukrainës nga Rusia në vitin 1954, kur vendet ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Kjo zonë autonome në Lindje të Ukrainës ishte e qetë deri tri ditë më parë, kur dy deputetë rusë e vizituan atë. Sipas ambasadorit ukrainas në NATO, mjete me personel të armatosur rus janë parë afër kufirit të Krimesë. Presidenti i Përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turçinov, e ka paralajmëruar Rusinë kundër çdo “agresioni ushtarak” në Krime. “Dua t’i drejtohem udhëheqjes së Federatës Ruse të veprojë në përputhje me marrëveshjet për praninë e trupave ruse në Republikën Autonome të Krimesë, në qytetit Sevastopol, si dhe për papranueshmërinë e shkeljes së ligjeve ukrainase nga ushtarët e Flotës Detare ruse në territorin tonë”, tha Turçinov. Ndërsa Kryeministri i sapo-zgjedhur në Ukrainë, Arsenij Jatsenjuk, kërkoi nga Rusia që të mos luftojë kundër tyre, sepse janë vende partnere. Si për të shtuar ankthin tek autoritetet e reja pro-perëndimore në Kiev, Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi të mërkurën nisjen e një stërvitjeje të 150 mijë trupave ushtarake ruse mbi gatishmërinë luftarake. Lëvizja ka alarmuar partnerët perëndimorë të Ukrainës. Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, ka folur në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili i është përgjigjur se njësia e armatosur që ndodhet në Detin e Zi është në përputhje të plotë me marrëveshjen e nënshkruar mes Moskës dhe Kievit. Lavrov ka theksuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjes së negociuar nga BE, që u arrit mes Janukoviç dhe liderëve të opozitës, sipas së cilës duhej të formohej një qeveri uniteti kombëtar dhe Janukoviç duhet të qëndronte në detyrë deri në zgjedhjet e reja në dhjetor. Por, Parlamenti e rrëzoi atë nga detyra dhe i shpalli zgjedhjet e reja në maj.

Janukoviç në Rusi
Presidenti i rrëzuar i Ukrainës, Viktor Janukoviç, raportohet të jetë në Rusi dhe planifikon të mbajë një konferencë për shtyp të premten nga qyteti Rostov-on-Don, sipas agjencisë ruse “Ria”. Janukoviç ka deklaruar se ka kërkuar që Rusia ta mbrojë kundër veprimeve të ekstremistëve dhe se ai është ende Presidenti legjitim i Ukrainës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura