Kreu i SPAK kritika për OFL: Kam qenë kundër! Korrupsioni i përhapur kudo, nuk mund ta luftojmë të vetëm

May 25, 2022 | 7:29
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, apeloi dje për përhapje të korrupsionit në të gjithë instancat shtetërorë dhe se po pastrohen para deri në nivelet e larta shtetërore.

kraja

Ai shprehu shqetësimin se pavarësisht prioritetit të SPAK-ut për hetimin e zyrtarëve të korruptuar, nuk mund ta luftojnë të vetëm këtë fenomen që po njeh përhapje vitet e fundit. Sipas tij, mungon koordinimi i gjithanshëm mes institucioneve përkatëse të zbatimit të ligjit. Kraja raportoi dje për të dytën herë para Këshillit Kombëtar të Integrimit, duke pranuar se korrupsioni është një problem i mprehtë në Shqipëri.

Para deputetëve, Kraja deklaroi se korrupsioni është i shtrirë në të gjitha fushat dhe strukturat shtetërore.

“Nga perceptimi ynë si profesionist, nga ajo që shohim ne përditë padyshim që ka korrupsion, në gjithë fushat e në të gjitha strukturat, ka pastrim parash. Janë fenomene që e shoqërojnë shoqërinë shqiptare për një kohë të gjatë e pa diskutim që duhet punë e madhe për t’i luftuar dhe duhet një koordinim i gjithanshëm se nuk mund të bëhet as nga një strukturë apo dy, por nga gjithë shoqëria, secili duke zbatuar detyrat që i ngarkon ligji”, u shpreh Kraja. Sipas kreut të SPAK-ut, prioriteti i punës së hetuesve ka qenë përveç krimit të organizuar, “edhe korrupsioni, në nivelin e zyrtarëve të lartë, pastrimin e parave”.

“Ne si SPAK kemi pasur prioritet të paktën pjesën e hetimit përveç krimit të organizuar, por edhe korrupsionin, zyrtarët e nivelit të lartë, pastrimin e parave. Në raportin vjetor ka shifra konkrete të numrit të dënimeve që janë rritur, e janë në rritje në mënyrë të vazhdueshme”, theksoi Arben Kraja.

KONFISKIMI

Drejtuesi i SPAK-ut raportoi para anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Integrimit se gjatë vitit të kaluar Prokuroria ka konfiskuar pasuri të paluajtshme, makina dhe vlera monetare që arrijnë në rreth 70 milionë euro.

“Gjatë vitit 2021, kemi arritur të konfiskojmë pasuri të paluajtshme, makina dhe monetare rreth 70 milionë euro. Ndërkohë që buxheti i SPAK-ut për një vit është 6 milionë euro. Në këtë sens jemi munduar të jemi efektiv, padyshim ka shumë për të bërë, sepse është strukturë e re që po krijohet, kjo kërkon edhe mentalitet, ngritja e një strukturën të nivelit të dytë”, deklaroi kreu i SPAK-ut. Nga ana tjetër Kraja shprehu kritika për OFL.

“OFL-ja ka qenë një mbingarkesë pune dhe ka pasur shumë problematika. Kur është diskutuar drafti ne si prokurori kemi qenë kundër e kam deklaruar publikisht dhe s’e ndryshoj. Ka pasur mbingarkesë për arsye të afateve shumë precize që kishte për t’u zbatuar. Në kushte të tilla ne na u desh t’i bënim prioritet. Kanë qene 251 raste të referuara nga Policia dhe vazhdon hetimi për disa raste që janë kërkesë për konfiskim”, deklaroi ai.

Por, Kraja shmangu çdo përgjigje për çështjet e nxehta duke nisur nga 21 janari tek inceneratorët.

“Janë disa pyetje për çështje konkrete, por unë nuk jap përgjigje se nuk ka çfarë të them”, deklaroi Kraja. Pavarësisht pozicionit të drejtuesit të SPAK-ut, mazhoranca e opozita replikuan në lidhje me inceneratorët dhe kërkesën për të hetuar Sali Berishën.

“Ne të gjithë duam që Kraja të na thotë kur do arrestohet X ministër nga ana ime, Balla nga ana e vet”, deklaroi kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Por, kreu i deputetëve socialistë Taulant Balla u përgjigj: “Ti e di për kë e kam unë!”. “Informacioni i përgjithshëm nuk është lajm”, iu kundërpërgjigj Tabaku. Duke iu përgjigjur pyetjeve për rendin e ndjekjeve penale, prioritetet apo planin e punës, Kraja tha se “kemi një rezolutë të Kuvendit, kemi një rekomandim të Këshillit të Ministrave. Rekomandimet e BE-së janë pjesë e paketës në bazë, të cilave ne ndërtojmë prioritete dhe strategjitë”.

Në lidhje me pyetjen se a ka lidhje me Prokurorinë e Përgjithshme për standardet e hetimit, Kraja u shpreh se kemi bashkëpunim. “Kemi vendosur një marrëveshje, pro bashkëpunimit është me të gjitha institucionet. Kemi vendosur një standard mirëkuptimi për çështje të caktuara”, theksoi ai. Në lidhje me pyetjen se a ka nevojë për ndryshime të tjera ligjore, Kraja u shpreh se parimisht është kundër ndryshimeve të shpeshta ligjore, sepse krijojnë pasiguri dhe problematika jo vetëm për ata që zbatojnë ligjin dhe për ato që e pësojnë nga ligji.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura