Kreditë me probleme, Banka e Shqipërisë: Mund të arrijnë deri në 10%

Jul 7, 2021 | 8:16
SHPËRNDAJE

Ndonëse situata pandemike është vënë nën kontroll, kriza si ajo e Covid-19 mund të japë efekte në ekonomi deri në dy vjet më vonë. Nisur nga kjo, Banka e Shqipërisë pret që raporti i kredive me probleme këtë vit mund të shkojë deri në 10%.

banka-e-shqiperise-606x450

Drejtuesit e Departamentit të Mbikëqyrjes kanë hartuar raportin vjetor të mbikëqyrjes financiare për vitin 2020, në të cilin vlerësojnë se pritshmëritë për rritjen e kredive të këqija për këtë vit janë ndjeshëm më të ulëta se projeksionet fillestare (15%), në momentin kur ekonomia dhe sektori bankar u godit nga efektet e pandemisë.

Një rritje kaq e madhe u shmang pasi vendi nuk hyri në një karantinë të dytë, e cila do të përkeqësonte aftësitë paguese të klientëve. Kreditë me probleme gjatë vitit të kaluar rezultuan në nivel të qëndrueshëm, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti po shënojnë një rënie të lehtë.

Për më tepër, vlen të theksohet se parashikimi i Bankës së Shqipërisë është në të njëjtën linjë me atë të drejtuesve të bankave në treg, parashikimet e të cilëve flisnin për një rritje që nuk shkon më shumë se 2 pikë përqindje të raportit të kredive me probleme përgjatë 2021-shit.

FAKTORËT

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, në mosrritjen e raportit të kredive me probleme ndihmuan shumë masat e përkohshme lehtësuese, që iu lejuan bankave të ristrukturonin kreditë pa përkeqësuar statusin e tyre. Por, një ndikim po aq të rëndësishëm patën edhe masat e buta për menaxhimin e pandemisë.

Në vjeshtë, qeveria shqiptare vendosi të mos aplikonte më masa kufizuese drastike, që do të kishin pasur një efekt të paevitueshëm në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe rrjedhimisht në aftësinë paguese të bizneseve dhe familjeve.

Një faktor tjetër me rëndësi në mbajtjen nën kontroll të raportit të kredive me probleme ishte edhe ecuria e mirë e kreditimit, duke filluar nga mesi i vitit të kaluar. Kjo ka ndihmuar që raporti të ngelet i qëndrueshëm me një tendencë të lehtë në rënie, pavarësisht se kreditë e këqija në vlerë shënuan rritje.

Veç efektit aritmetik në këtë raport, nga zmadhimi i portofolit total, kreditimi i ri ka ndihmuar edhe vijimësinë e aktivitetit dhe ruajtjen e aftësisë paguese të bizneseve. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill të këtij viti raporti i kredive me probleme ishte në nivelin 7.88%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues ka rënë me 0.4 pikë përqindje.

SITUATA

Aktualisht, raporti i kredive me probleme është në nivelet më të ulëta që prej vitit 2009. Megjithatë, kriza nuk ka kaluar krejt pa pasoja dhe sipas Bankës së Shqipërisë në kushte normale ulja e raportit të kredive me probleme do të kishte qenë më e madhe.

Efekti i krizës u përcoll më shpejt, sidomos te huamarrësit më të vegjël, që patën më pak mundësi të përballonin përkeqësimin e situatës së tyre financiare nga humbja e punës apo mbyllja e aktivitetit tregtar.

Ndërkohë, bizneset e patën pak më të lehtë menaxhimin e goditjes fillestare të krizës, falë rezervave të krijuara dhe mbështetjes së vazhdueshme të sektorit bankar me hua për të vijuar aktivitetin.

Në këtë segment gjithashtu ndikuan shumë edhe masat që lehtësuan ristrukturimin e kredive. Raporti i kredive me probleme për bizneset ka vazhduar rënien dhe në fund të muajit prill ky raport zbriti në 9.42%, niveli më i ulët në më shumë se një dekadë. Raporti i kredive me probleme të bizneseve nuk ka shënuar ndonjë moment rritjeje të mirëfilltë pas shpërthimit të pandemisë, megjithatë pasojat te ky kontingjent i huamarrësve do të duken ndoshta duke filluar nga mesi i këtij viti.

Ecuria e segmentit të biznesit ngelet përcaktuese në cilësinë e portofolit të kredisë bankare, sepse ky segment përbën më shumë se 60% të totalit të huas për ekonominë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura