Krasniqi, lamtumirë shkrimtarit të rezistencës

Jul 18, 2011 | 11:29
SHPËRNDAJE
Sulejman Krasniqi

Për atë, Shqipëria dhe Kosova ishin një. Nuk kishte kufij. Lindi në Kosovë e vdiq në Shqipëri. Zemra rrahu dhe foli shqip…

Pas një sëmundjeje të gjatë, që e kishte tërhequr disi nga jeta aktive kulturore, ndërroi jetë shkrimtari Sulejman Krasniqi. Emra të njohur të letrave shqipe, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptarë, miq e të afërm i dhanë lamtumirën e fundit njeriut të dashur, dje, në një ceremoni mortore, e cila u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Lamtumirë për njeriun që do të kujtohet si simboli i rezistencës, që krijimtarinë e tij ia kushtoi vendit të vet dhe padyshim u bë edhe një frymëzim lirie. “Vepra e tij ishte një frymëzim i madh edhe për ata që bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë, UÇK-në”, u shpreh dje kryeministri Sali Berisha. Ndërsa Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në mesazhin e tij të ngushëllimit drejtuar familjarëve u shpreh se “me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare, la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit”.
Krijimtaria
Sulejman Krasniqi numëron mbi 20 vepra, të cilat janë kryesisht me karakter historik. Bajram Curri, Mic Sokoli, Shote Galica, heronjtë e lirisë do të zinin një vend kryesor në krijimtarinë e tij. E po kështu edhe ngjarje të mëdha si Lidhja e Prizrenit, masakra e Tivarit etj. “Pushka top Bajram Currit”, “Tri motra, tri histori”, “Lindita”, “Njeriu dy herë i pushkatuar”, “Qielli i përflaklur”, “Prijësja e komitëve”, “Mic Sokoli”, “Rebeli i bajraqeve” etj., janë disa nga titujt e librave që Krasniqi ka lënë pas. Sipas shkrimtarit Bardhyl Londo, kur Sulejman Krasniqi erdhi në Shqipëri nga Prizreni në vitin 1958, solli me vete botën e shqiptarëve të atjeshëm, por njëkohësisht edhe botën e shqiptarëve që gjeti këtu. “Iu kushtua kryesisht romanit historik, lëvroi me pasion të veçantë historinë e Shqipërisë, e ngriti atë në art në romanet e shumtë që ka lënë”, tha Londo. “Më printe mbrothësia në temën historike, secila më krijonte mundësi për t’iu përvjedhur censurës dhe konjukturave që atë kohë gëlltitnin male, siç më penguan të botoj veprën e parë për masakrën e Tivarit”, kështu do të shprehej kohë më parë shkrimtari kosovar, i cili me zgjuarsi i shpëtoi censurës dhe njëkohësisht i shërbeu edhe kauzës së lirisë së vendit të tij, të cilin ai nuk mundi ta shihte për 60 vjet me radhë, qysh se kaloi kufirin që ndante trojet shqiptare.
Jeta
Sulejman Krasniqi u lind në Hoçë të Vogël të komunës së Rahovecit më 7 dhjetor 1937, në një familje atdhetare kosovare. Studimet i nisi në gjimnazin e Prizrenit. Sulejman Krasniqi do të përballej shpejt me dënimet. Ndërsa vazhdonte shkollën e mesme, dënohet me 14 muaj burg me akuzën për “ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë”. Kishte nisur të shkruante e të botonte që në klasën e 4 në gazetën “Pioneri” në Prishtinë. Në gjimnazin e Prizrenit botoi përrallën “Pallati prej Dukati” me 1500 vargje. Kritika letrare e ka cilësuar si shkrimtar të faktit. Pas ndjekjes serbe u detyruar të lërë Kosovën e të vijë në Shqipëri, ku vazhdoi edhe studimet, pasi më parë provoi kampet e punës në Jug. Por pas la një premtim, të mos e ndalte për asnjë moment luftën për pavarësimin e Kosovës. Dhe, nëse do të kishte një lajm të madh në jetën e tij, ishte pikërisht shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Luftën e tij e vazhdoi me anë të letërsisë, madje u nderua edhe me çmime, çka e çonte edhe më larg jehonën e veprave të tij. Për romanin “Mic Sokoli ai do të vlerësohej me “Çmimin e Republikës”. Më pas do të vijonin edhe çmime të tjera.

Topi

Presidenti Bamir Topi, i dërgoi dje një mesazh ngushëllimi familjarëve të shkrimtarit Sulejman Krasniqi, i ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare. “Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit. Presidenti Topi nuk mund të mos kujtonte angazhimin e shkrimtarit në luftën për lirinë e Kosovës dhe lartësimin e imazhit të kombit shqiptar.

Berisha

Në homazhet e zhvilluara dje  mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha. “Letrat shqipe, bota intelektuale shqiptare humbi sot këngëtarin e atdhetarisë, heroizmit, trimërisë dhe përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarëve për liri e dinjitet. Sulejman Krasniqi në veprën e tij lë si trashëgimi apoteozën e heroizmit, patriotizmit, sakrificës, përkushtimit dhe trimërisë së shqiptarëve. Sulejman Krasniqi në të gjithë personazhet e tij, personalitete të historisë kombëtare, personazhet e tij të veprave letrare frymëzon shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga pushtimi”, u shpreh Berisha.

Krasniqi

“Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare që u ka lënë brezave të atdheut të tij të dashur”, kështu do të shprehej kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së shkrimtarit Sulejman Krasniqi. “Me lot në sy e me mall të pashuar për Kosovën, së cilës ishte detyruar t’ia kthente shpinën, Sulejmani shpesh thoshte, mos vdeksha pa u kthyer sërish atje dhe pa e parë të lirë vendlindjen time. Ai e jetoi ditën e çlirimit të Kosovës dhe e kremtoi pavarësinë e sovranitetin e saj”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura