KPK konfirmoi me “nivel minimal kualifikues” prokurorin Besnik Muçi, të parëndësishme pasaktësitë në deklarimin e pasurisë

Oct 21, 2018 | 16:18
SHPËRNDAJE

Ndryshe nga kolegët që janë penalizuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për pamundësi vërtetimi të ardhurash, për shkak se nuk kishin paguar tatimet, Prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muçi pati kohë të riparonte mosdeklarimin.

Muçi i cili u konfirmua në detyrë nga KPK pagoi në maj 2018, sipas vendimit të zbardhur disa muaj pas dorëzimit të kontratës veting dhe pasi procesi i rivlerësimit ishte përfunduar për disa subjekte, tatim dhe gjobë për vonesën për rreth 300 mijë lekë të ardhura nga qiraja e një apartamenti në vitin 2016.

Treshja që hetoi Muçin e kryesuar nga Lulzim Hamitaj me relator Olsi Komicin dhe anëtare Brunilda Bekteshin, arriti në përfundimin se ai mund të konfirmohej, megjithëse u gjetën disa pasaktësi në deklarimin e pasurive.Besnik-Muci1-533x400

Në vendimin e zbardhur del se prokurori, i cili u vlerësua në të treja kriteret, rrezikoi të penalizohej në kriterin profesional, për shkak të pushimit të hetimeve për një grup që akuzohej për vrasjen e  një biznesmeni dhe zhvatjen e pasurisë nga e veja e këtij të fundit. KPK thotë se disa vendime hetimore nuk ishin kryer, ndërsa vlerësoi se megjithatë edhe në këtë rast Muçi arrinte “nivelin minimal”. “Të metat dhe mangësitë e konstatuara nga Komisioni në hetimin e kryer nga subjekti nuk janë në nivelin e kërkesave që do të çonin në një vendimmarrje të Komisionit për shkarkim nga detyra”, thuhet në vendim.

Po ashtu në rastin e prokurorit Besnik Muçi, bazuar në vendimin e zbardhur, bien në sy ankesat nga individë të hetuar prej tij dhe të dënuar më pas për trafik narkotikësh apo vrasje. KPK në këto raste ka gjetur se vendimet e prokurorit ishin konfirmuar nga gjyqësori dhe kishin marrë formë të prerë.

Muçi ka nisur karrierën në vitin 2002 si prokuror në Tiranë ndërsa para se të kalonte në prokurorinë e krimeve të rënda ka punuar për një periudhë kohe në Policinë e Shtetit si drejtor i Krimit Financiar.

Prokurori që kandidon për të qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkoi konfirmin ndërsa siç del nga vendimi i zbardhur u përpoq të sqaronte me detaje problemet që hetimi gjeti në pasuritë e tij apo gjatë shqyrtimit profesional.

 

Pasaktësitë në pasuri

Problemet me pasuritë e Besnik Muçit datojnë sipas vendimit të zbardhur nga KPK që me tokat bujqësore dhe në një rast truall të përfituara në fillim të viteve 90’ nga ai dhe bashkëshortja. KPK thotë se hetimet zbuluan në një rast se mbi një truall 365 metra të përfituar në vitin 1991 pa pagesë nga shteti rezultonte sipas Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme një banesë.

Muçi sipas vendimit arriti të konfirmonte se banesa e shënuar mbi këtë truall ishte një gabim në ZVRPP dhe kjo e fundit e korigjoi dokumentacionin duke saktësuar se aty nuk kishte ndërtim. Megjithatë KPK e cilësoi përfitimin e këtij trulli si të paligjshëm.

Muçi u mbrojt duke iu referuar procedurave që ishin ndjekur në atë kohë për ndarjen e një parcele të lënë si tokë truall, ku kishin marrë pjesë 19 persona përfshi atë, si banorë të fshatit që mund të kishin nevojë për banesë në të ardhmen.  Ai tha se përndryshe pasi ishte larguar për të bërë shkollën dhe më pas kishte filluar punë si magjistrat nuk ishte interesuar më për truallin, nga i cili nuk kishte pasur asnjë përfitim.

KPK pranoi arsyetimin duke e cilësuar këtë si një shkelje pa pasoja. “Subjekti nuk ka kryer fshehje të pasurisë, deklarim të rremë dhe as nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit e, për rrjedhojë, nuk mund të konkludohet për shkelje ligjore që çojnë në shkarkimin e subjektit nga detyra”, thuhet në vendim.

Probleme të ngjashme prokurorit i dolën edhe me mos deklarimin e 2 mijë metrave katrorë tokë bujqësore që e shoqja kishte marrë po në bazë të ligjit 7501 në vitin 1991 dhe pjesës së supozuar takuese që kjo kishte në shtëpinë e prindërve.

Muçi argumentoi se toka dhe pjesa takuese në banesë nuk ishin prona të bashkëshortes. Ai tha KPK-së se ajo kishte hequr dorë nga këto prona në momentin që ishte larguar nga familja bujqësore që shfrytëzoheshin nga babai dhe nëna e saj dhe se ata nuk kishin pasur përfitim nga këto prona.

KPK pranoi argumentet dhe arsyetoi se nuk kishim të bënim me fshehje pasurie. Sipas KPK-së bashkëshortja e prokurorit ishte larguar nga familja bujqësore dhe ligji përcakton se në këtë moment ajo nuk kishte të drejta mbi tokën e përfituar sipas ligjit 7501.

Problemet kryesore në lidhje me pasurinë për prokurorin rezultuan nga një shtesë e ndërtuar në apartamentin në rrugën Ali Visha në Tiranë. Sipas KPK-së, ndërsa arriti të argumentonte burimin e të ardhurave, burimin të ligjshëm të të ardhurave të personave të lidhur huadhënës dhe provoi se nuk kishte fikitivitet në çmim e kontrata, Muçit iu kërkua të argumentonte një shtesë pa leje.

KPK gjeti deklarime të ndryshme të kohës kur ishte ndërtuar shtesa, mungesë dokumentacioni për shpenzimin e kryer, ndërsa në hetim u theksua se ndërtimi i saj në periudhën 2008-2009 mund të ishte vepër penale dhe se “cënonte figurën e prokurorit”.

Muçi u mbrojt duke theksuar se ai kishte qenë i detyruar të bënte shtesën. Sipas prokurorit shtesa ishte ndërtuar nga komshiu i katit të parë dhe nëse ai nuk ndërtonte pjesën e tij kjo e bënte banesën ku ai ndodhej të rrezikshme. Ai tha se për faktin që shtesa ishte ndërtuar mbi një shtesë tjetër të paligjshme, ai nuk kishte zënë tokë publike ose private.

Muçi argumentoi se ligji që e bënte ndërtimin pa leje vepër penale kishte hyrë në fuqi në vitin 2009, ndërsa arriti të provonte se shtesa, pjesa karabina e saj ishte ndërtuar para hyrjes në fuqi të ligjit. Ai argumentoi se në momentin e ndërtimit nuk kishte kryer vepër penale.

KPK pranpoi arsyetimet dhe e cilësoi deklarimin e pasurisë megjithë pasaktësitë të kalueshëm.  “Ka pasaktësi të vogla në plotësimin e deklaratave të pasurisë ndër vite; ka burime financiare të ligjshme, balancat financiare negative ndër vite janë të papërfillshme në lidhje me intensitetin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të kryera; nuk ka kryer fshehje pasurie; nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit”, thuhet në vendim.

Kriteri Profesional

Ndaj prokurorit rezultuan disa ankesa kryesisht nga persona të dënuar në çështje që ai kishte ndjekur. Sipas vendimit të KPK-së disa prej ankuesve i kishin shkruar komisionit se Muçi kishte qenë i njëanshëm apo kishte kryer veprime arbitrare në hetimin e çështjeve ndaj tyre.

Në vendim KPK thotë se shqyrtoi dosjet dhe nuk gjeti në to problemet për të cilat flitej në ankesa. Në një nga rastet një i dënuar me 354 vjet burg për pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal” ankohet se nuk i ishin respektuar të drejtat themelore dhe se ishte akuzuar mbi deklarime të pavërteta dhe në mungesë provash.

KPK shqyrtoi dosjen, në të ciolën ndaj prokurorit kishte ankesë edhe nga ana e viktimës së një tentative vrasje, dhe për të dy ankesat nuk gjeti indicie për mungesë profesionalizmi apo probleme të tjera.

Megjithatë hetimet që përfshinin disa persona të akuzuar për vrasjen e një biznesmeni dhe më pas zhvatjen me forcë të tre apartamenteve nga e veja e këtij të fundit, rrezikuan karrierën e Muçit.

Prokuroria e Përgjitshme e cila bëri një raport vlerësimi mbi këtë rast gjeti mangësi në hetim. “Baza ligjore nuk është plotësisht e saktë.  Dokumentacioni në dosjen e vëzhguar ka disa të meta. Mungojnë aktet procedurale për administrimin e kontratave dhe të dhënave nga sistemi TIMS. Mungon data në relacionin përfundimtar të oficerit të Policisë Gjyqësore. Nuk ka arsyetim mbi dispozitën ligjore të Kodit Penal në raport me të dhënat”, thuhet në raportin e Grupit të Punës të Prokurorisë së Përgjitshme.

Po ashtu hetimi i KPK gjeti probleme në dosje. Kjo e fundit pretendoi se Muçi duhej të kishte kryer veprime të tjera hetimore, përfshi hetim pasuror për persoinat që mendohet se u përdorën si emra në kontratat noteriale të trasferimit të pasurisë.

Prokurori u mbrojt duke pranuar disa nga mangësitë proceduriale, ndërsa shpjegoi se në dosje ndodheshin materialet që nuk ishin konstatuar nga Prokuorira e Përgjitshme. Qëndrimit të KPK-së për hetime më të thelluara ai e pranoi.

“Po ashtu, vlerësoj se në çdo procedim penal të pushuar ka vend gjithnjë për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, përfshi edhe këtë procedim. Nga ana ime mund të ishte ushtruar kontroll më i mirë ose të ishin ndërmarrë veprime vetë”, tha Muçi në shpjegimet për KPK. Ai argumentoi se disa nga problemet e tjera të gjetura nuk qëndronin dhe se hetimi ishte pushuar në mungesë të provave dhe për faktin se viktima, e veja e biznesmenit të vrarë, mohonte se kishte bërë kalimin e pronësisë e shtrënguar.

Në fund KPK arsyetoi se megjithë problemet dosja nuk ishte shkarkuese. Komisioni doli në përfundimin se “nga ana e subjektit nuk është kryer një proces hetimor i thelluar dhe i plotë”, ndërsa ai u penalizua me profesionalizëm në nivel minimal  për shkak të të metave procedurial dhe pasktësive në dosje.

Burimi: BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura