VIDEO/ “Kostot e rrugës Tiranë-Elbasan u rritën me 138 mln euro”- PD reagon pas ‘gjobës’ së majme nga Arbitrazhi: Kë favorizoi kryeministri Rama

Sep 6, 2020 | 13:02
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike denoncoi sërish dënimin nga arbitrazhi me 44 milion euro për rrugën Tiranë-Elbasan. Nga selia e PD, ish-deputeti Gent Strazimiri, theksoi se Edi Rama gjobit shqiptarët me shumën e majme për interes të miqve të tij.

Ai shtoi se Edi Rama që favorizonte kompaninë e mikut të tij “Inerte Ekspress” të Edmond Begos vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë greke “Aktor”, duke shtuar se kompania u detyrua të merrte nënkontraktor nga qeveria dhe në fund u largua pa asnjë pagesë.

Strazimiri tha se në 2013, Edi Rama mori rrugën e përfunduar dhe shpenzoi edhe 138 mln euro shtesë.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, GENT STRAZIMIRI

44 milion euro është fatura e re që do të paguajnë shqiptarët për Edmond Begon, mikun e Taluant Ballës dhe të Edi Ramës.

Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar ka dënuar shtetin shqiptar pas padisë së kompanisë greke Aktor, e cila kishte fituar tenderin për të kryer punimet në rrugën Tiranë-Elbasan.

Kompania greke ishte kontraktuar nga qeveria shqiptare për të bërë punimet shtesë, por Edi Rama në mënyrë që të favorizonte kompaninë e mikut të tij dhe të Taulant Ballës “Inerte Ekspress” te Begos vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë Greke Aktor e cila mbasi mori nënkontraktorët e imponuar nga qeveria u largua pa marrë asnjë pagesë.

Për këtë arsye Aktor iu drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar duke paditur qeverinë shqiptare.

Me 1 shtator 2020, pra vetëm 5 ditë më parë, Arbitrazhi shpalli vendimin që i jep të drejtë kompanisë greke dhe dënon Shqipërinë ta dëmshpërblejë atë me plot 44 milion euro.

Pra, qeveria shqiptare, për të favorizuar kompaninë e Edmond Begos me shokë ngarkon në këtë mënyrë buxhetin e shtetit shqiptar i cili sigurohet me taksat e qytetarëve shqiptarë.

Edi Rama në 2013 mori një rrugë të përfunduar dhe shpenzoi 138 mln euro kosto shtese:

* nga 312 milion euro e parashikuar ne fillim, kostoja e rrugës përfundoi në 450 milion euro.

Pa asnjë bilanc në punë publike, pa asnjë rrugë të shtruar, ne 8 vjet edhe ato investime publike që gjetën të gatshme

* ose i dhanë me koncesion

* ose i përdorën për t’i vjedhur.

Në një kohë kur mijëra qytetarë jetojnë ende në çadra dhe 99 përqind e shqiptarëve vuajnë krizën e thellë ekonomike nga keqqeverisja, Edi Rama u shton një haraç të ri në kurriz.

44 milion eurot nuk i paguan as Edi Rama, as Taulant Balla dhe as Edmond Bego i cili mori miliona euro për tenderin e përfundimit të rrugës Tiranë-Elbasan.

44 milion eurot e kompanisë greke do t’i paguajë një më një çdo qytetar i Shqipërisë nëpërmjet taksave që do shtohen.

Kjo faturë që rëndon në xhepat e shqiptarëve dhe të ekonomisë së Shqipërisë, vjen vetëm pak muaj pas një tjetër ndëshkimi nga Arbitrazhi Ndërkombëtar.

Për shkak të banditizmit të Edi Ramës dhe interesit të Rilindjes, kjo gjykatë e ndëshkoi Shqipërinë dhe shqiptarët me faturën 110 milion eurove për një dëm shkaktuar pa shkak ligjor, biznesmenit italian Francescho Bechetti, media kritike dhe bizneset e të cilit u mbyllen arbitrarisht nga qeveria e rilindjes sapo erdhi në pushtet.

 

 

Janë plot 153 milion euro për dy muaj që Shqipëria duhet tu paguajë vetëm dy kompanive si pasojë e vendimeve të Arbitrazhit Ndërkombëtar.

153 milion euro të cilat do ti paguajnë shqiptarët, jo Edi Rama dhe miqtë e tij që sot ndajnë fitimet ndërsa shqiptarët vuajnë urinë.

Për shqiptarët ka vetëm një rrugë që të shpëtojnë nga mali i borxheve që po rrit çdo ditë keqqeverisja e Edi Ramës dhe banda e tij e Rilindjes.

Rruga është largimi një orë e më parë i kësaj qeverie dhe hapja e një rruge për një qeverisje normale që mendon për popullin, ekonominë, jo që i zhyt ata në borxhe pa fund.

Çdo orë më shumë që qëndron në pushtet, çdo herë më shumë që hyn në zyrën e Kryeministrit, Edi Rama plaçkit, tashmë, edhe mjerimin e shqiptarëve.

Të nderuar qytetarë!

Na kushton të gjithëve më lirë ta shporrim sa më parë e t’i heqim nga duart e felliqura, një pushtet që s’e ka marrë me votë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura