Kostandin Xhuvani i sëmurë, dështon seanca gjyqësore. Pritej mbrojtja për masakrën e 4-fishtë

Mar 6, 2015 | 12:55
SHPËRNDAJE

Seanca e djeshme në ngarkim të Kostandin Xhuvanit në Gjykatën e Tiranës zgjati vetëm pak minuta. Mungesa e të pandehurit e ka bërë të pamundur zhvillimin normal të saj.

Kostandin Xhuvani në gjyq

I akuzuari për vrasjen e katër personave në 4 nëntor 2014 në Rrugën e Elbasanit, ka paraqitur një deklaratë përmes së cilës njoftonte se nuk mund të paraqitej për arsye shëndetësore.

Në sallë ka qenë e pranishme avokatja Vjollca Pustina, e caktuar kryesisht për Xhuvanin në seancat e parafundit. Mbrojtësja ka kërkuar shtyrje të seancës, me qëllim praninë e të pandehurit. Për të njoftuar të pandehurin dhe për t’i dhënë kohë mbrojtëses për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, gjykata shtyu seancën për në 9 mars.

Në seancën e datës 10 shkurt, Prokuroria e Tiranës paraqiti konkluzionet përfundimtare duke kërkuar deklarimin e fajshëm të të pandehurit Xhuvani dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë për burgim të përjetshëm, dënimi përfundimtar i Xhuvanit shkon në 35 vjet heqje lire.

Xhuvani akuzohet si autor i vrasjes së shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaji, pas një grindjeje të çastit në ambientet e një lokali nate në Rrugën e Elbasanit. Nga të shtënat me armë zjarri kanë humbur jetën edhe shtetasi Arbër Demiraj, si dhe shtetasi italian Xhanpaolo Azzolo, i cili ka ndërruar jetë në spital.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura