Kosovë-Serbi, BE: Atmosferë konstruktive

Mar 28, 2011 | 9:24
SHPËRNDAJE

PRISHTINE- Dialogu mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë  vazhdoi ne date 28 mars sot në Bruksel. Mbledhja mbahet me ndërmjetësimin e britanikut Robert Cooper, këshilltar i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Burimet nga BE-ja thonë se atmosfera në takim edhe kësaj radhe është konstruktive dhe se presin që në këtë dialog të avancohen disa çështje që shkojnë drejt zgjidhjeve të disa problemeve praktike në të mirë të një përmirësimi të jetës së përditshme të njerëzve.

Palët sot, para se të nisej takimi, po ashtu thanë që janë optimistë se do të mund të gjendet zgjidhje për disa çështje.

Edita Tahiri, kryesuese e delegacionit të Kosovës, (cituar nga REl) përsëriti se po bëhet fjalë për afrimin e agjendave që kanë Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Tahiri tha se do të diskutohet edhe për ndikimin e Serbisë në sistemin e telekomunikimit dhe të energjisë në Kosovë, që sipas saj, është negativ dhe po ka pengesa për Kosovën, por edhe për bashkëpunimin rajonal.

Në anën tjetër, homologu i saj nga Serbia, Borko Stefanoviq, tha se ai pret që të parashtrohen si tema në takimin e sotëm, edhe furnizimi me energji elektrike për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, por edhe mundësia e përfshirjes së kompanive të telekomunikimit të Serbisë në Kosovë.

Stefanoviq, po ashtu, tha se do të vazhdohen bisedimet edhe për temat që ishin nisur në takimin e mëparshëm, e siç dihet atëherë ishte folur edhe për eksportin e mallrave për tregtinë e lirë, për vulat, për librat kadastralë dhe disa tema të tjera.

Zyrtarë në BE pohojnë se atmosfera që po mbretëron në këtë dialog jep shpresë se në të së shpejti do të mund të ketë edhe rezultate konkrete, mirëpo për momentin, nuk mund të garantojmë se për çfarë do të pajtohen palët.
Me rëndësi është se dialogu ka filluar dhe se ai do të vazhdojë thonë zyrtarë të Bashkimit Evropian, pa dhënë ndonjë hollësi rreth dialogut në këtë moment.

Ceshtjet ne diskutim

Në raundin e dytë, do të trajtohen disa çështje: furnizimi me energji elektrike, librat e regjistrimit civil, kadastrat dhe doganat.

Udhëheqësja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri ka thënë se pala kosovare do të kërkojë të hapet edhe çështja e targave të automjeteve.

Tahiri ka deklaruar se BE-ja ka kërkuar që dialogu teknik të jetë konstruktiv dhe të arrihen rezultate konkrete, dhe se do të shikojë me vëmendje se kush nuk po u përmbahet këtyre kërkesave.

Prishtina zyrtare shpreson që do të përfitojë nga ky dialog, jo vetëm sa i përket zgjidhjes së çështjeve konkrete, por edhe liberalizimit të vizave dhe mundësisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së stabilizim-asociimit mes Kosovës dhe BE’së.

Si rezultat i dialogut, pala serbe pret që deri në fund të vitit t’i hapet rruga për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura