Kosovë, Clinton: Ruajtje integritetit territorial. Dialog

Oct 31, 2012 | 11:52
SHPËRNDAJE

PRISHTINE- “Nuk jam e sigurt nëse ndonjë popull ka bërë aq shumë progres në një periudhë kaq të shkurtë si Kosova”, ka thënë në hapje të fjalimit të saj para mediave në Prishtinë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Ajo ka thënë se ndodhet sot në Prishtinë, e shoqëruar nga shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Catherinë Ashton, për të mbështetur plotësisht aspiratat e Kosovës për integrim në BE dhe NATO.

“Dialogu është esencial, ky siguron një rrugë të prosperitetit afatgjatë. Ne po punojmë bashkërisht me Bashkimin Evropian në këtë drejtim, dhe unë dua që personalisht ta përshëndes kryeministrin Thaçi, që ka marrë guximin politik për takimin me kryeministrin Daçiq në Bruksel. Ky ka qenë një veprim i guximshëm”, ka thënë Clinton, e cila në të njëjtën kohë ka përshëndetur edhe angazhimin e presidentes së vendit, Atifete Jahgaja, në procese të rëndësishme të vendit.

Clinton ka thënë se SHBA-ja u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve dhe të bien dakord edhe për marrëveshje të reja, që janë të domosdoshme për progresin e të dyja vendeve.

“SHBA-ja krenohet me miqësinë me Kosovën… Të rinjtë e Kosovës meritojnë integrim të plotë në Evropë, e në do të punojmë bashkërisht në ndërtimin  e një të ardhme të sigurt drejt rrugës tuaj të integrimit në BE dhe NATO. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara edhe në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Clinton.

Ngjashëm me sekretaren Clinton është shpehur edhe baronesha Catherine Ashton, e cila ka deklaruar se të gjitha vendet e rajonit duhet ta vazhojnë rrugëtimin e tyre drejt realizimit të aspiratave për integrim në Bashkim Evropian.

“Dialogu nuk është i lehtë, për asnjërin nga kryeminsitrat, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Ky dialog ka për qëllimin ndërtimin e një jete më të mirë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që janë në veri të vendit. Kjo bëhet duke biseduar hapur dhe lirshëm. Thaç dhe Daçiqi janë treguar guximtarë për takimin e mbajtur në Bruksel”, ka thënë Ashton.

Ndërsa, kyreministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se i ka siguruar baroneshën Ashton dhe sekretaren Clinton se Kosova do t’i përmbushë të gjitha kriteret drejt realizimit të synimeve të qytetarëve të Kosovës për rrugën drejt integrimit në BE dhe në NATO.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura