Kosove, 13 vite burg për serbin që akuzohet për terrorizëm

Jun 29, 2016 | 19:20
SHPËRNDAJE

Një gjykatë në Prishtinë ka dënuar me 13 vjet heqje lirie një shtetas nga Serbia, për akuzën e terrorizmit.

Gavric1Slobodan Gavriç u arrestua në Prishtinë, në Dhjetor të vitit 2014. Në makinën me të cilën po udhëtonte, policia gjeti 12.2 kilogramë lëndë shpërthyese.

Në Korrik të vitit të shkuar, Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë kundër shtetasit serb, që sipas saj, “me qëllim që seriozisht të frikësojë popullatën dhe të destabilizojë e të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit”.

Në akuzë thuhej: “I pandehuri, gjatë muajit Dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më 25 pajisje eksplozive, me peshë totale mbi 12 kilogramë, që përmbajnë eksploziv të fuqishëm “Pentaerythritol Tetranitrate” (PETN), i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale, të cilat pastaj me veturën e tij, më 25 Dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi”.

Me këtë, i pandehuri ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”,

Ekspertiza e mjeteve shpërthyese është kryer nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe autoritetet e Kosovës.

Gjatë procesit gjyqësor ai nuk e pranoi fajësinë, ndërsa tha se lëndët shpërthyese i kishte dërguar në Prishtinë për t’i shitur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura