Korrigjimi i kufijve, Ahmeti: Asnjë platformë të shkruar, mbi të cilën do të negociohet. Duhet…

SHPËRNDAJE

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, thotë në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se debatet për ndryshimin e kufijve janë më tepër mediatike, ndërsa nuk ka një platformë të hartuar dhe të shkruar, mbi të cilën do të negociohet. Ai e vlerëson idenë si një nevojë për shënimin e vijës kufitare të Kosovës me Serbinë, ndërkohë që thotë se problemet historike nuk mund të zgjidhen. Z. Ahmeti nënvizon se debati për çështjen nuk prodhon efekte negative ndaj sigurisë në rajon.

ali-ahmeti-2

Z. Ahmeti, si i shikoni debatet për ndryshimin ose korrigjimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë dhe a do të mund të realizohej kjo ide në kushte paqësore?

Sa i takon këtij debati, unë them se më tepër i ngjan një debati mediatik se sa një platforme që shtrohet për zgjidhje. Demarkacioni me Serbinë nuk do të jetë një çështje e lehtë, ashtu siç nuk ka qenë e lehtë as shënimi i linjave të demarkacionit me Main e Zi e me Republikën e Maqedonisë. Unë mendoj se shumë herë ky shënim do të jetë më i vështirë. Mendoj se akoma nuk është hapur një debat që do të mbështetej në faktografi, që do të mbështetej në platformat e palëve në negociata, por një gjë dihet se Kosova pas përfundimit të demarkacionit me dy vendet fqinje, si me Maqedoninë po ashtu dhe me Malin e Zi domosdo që të bëjë shënimin e vijave të kufirit edhe me Serbinë, sepse Kosova duhet pranuar në organizatat ndërkombëtare si në OKB dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë. Sigurisht që Serbia është një nga vendet që paraqet pengesa të mëdha në këtë drejtim, prandaj sa më parë që të mbyllet ky problem aq më mirë do të ishte për të dy vendet, edhe për Serbinë edhe për Kosovën, sepse nuk mund të kemi një rajon stabil duke patur konteste të tilla në mes shteteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mendoj se ky kontest, aq sa është historik po aq është edhe problematik sepse dihet botërisht që janë bërë padrejtësi të mëdha në drejtim të shkëputjes së territoreve, të shpërnguljes së shqiptarëve nga viset e tyre autoktone. Tani, po t’i kthehemi kontestit historik, sigurisht që ky problem asnjëherë nuk do të mund të zgjidhjej. Por, duhet t’i kthehemi racionalitetit, arsyes, sepse ky problem tani më është politik dhe si i tillë duhet zgjidhur. Palët duhet të shtrojnë për zgjidhje çështjen. Unë mendoj që Kosova ka pasur aleatë, partnerë, ka pasur NATO-n, SHBA-të, BE-në dhe më tutje partnerë më të rëndësishëm i ka po këto vende dhe organizata dhe ky problem, unë mendoj që pa lehtësimin e këtyre mekanizmave ndërkombëtarë: lehtësimin që do ta bëjë BE-ja, përkrahjen që do t’ia japin SHBA-të këtij lehtësimi dhe NATO-ja… Kosova ka autoritetet e veta, institucionet e veta duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, opozita që gjithashtu është e organizuar. Gjithashtu, mendoj se kjo çështje do të diskutohet në të gjitha nivelet sepse nuk është çështje e një mekanizmi shtetëror, por është çështje për çka nevojitet mendim, analizë dhe të gjitha organet drejtuese dhe ligj-zbatuese në Republikën e Kosovës të marrin përgjegjësi.

Z. Ahmeti, hapja e konceptit për ndryshimin e kufijve ka hasur në kundërshtime të fuqishme pothuajse tek të gjitha partitë politike në Kosovë, madje edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur kundër. Si mendoni, çfarë efektesh mund të ketë kjo ide në rajon, konkretisht në Maqedoni?

Kjo çështje diskutohet në mes dy palëve të cilat kanë një kontest. Dmth, në mes palës shqiptare (Kosovës) dhe asaj serbe. Dhe unë mendoj se nëse arrihet një pajtim mes palëve të cilat do të negociojnë në të ardhmen, ndërsa unë mendoj se kjo rrugë domosdo të kalohet, nuk mendoj që mund të ketë pasoja për vendet fqinje si Republika e Maqedonisë dhe Mali i Zi. Mali i Zi tani më është në NATO; Maqedonia ka marrë ftesë për anëtarësim në NATO. Jemi në procese të mira duke i ecur punët. Dhe në këtë rast, nëse në mënyrë paqësore dialogojnë palët dhe dakordohet për shënimin e vijave të demarkacionit, mendoj që nuk do të ketë efekte negative brenda këtyre shteteve. Por, në qoftë se imponohen zgjidhjet sigurisht që kjo nuk do të reflektonte mirë në rajon, jo vetëm në Maqedoni por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sepse, kështu do të hapeshin çështje nga më të ndryshmet, konteste të ndryshme historike dhe nëse thirremi në konteste historike, këto çështje asnjëherë nuk mund të zgjidhen. Nuk mund të rregullohet çështja e shpërnguljes së shqiptarëve që nga 1878-a, pas Konferencës së Shën Stefanit e deri tek padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve në Konferencën e Versajës dhe kjo duhet thënë hapur. Unë mendoj që shumë më e dobishme do të ishte për të gjithë ne dhe për të gjitha palët që kanë konteste në mes tyre, të thireshin më tepër në procesest euro-atlantike, në proceset euro-integruese. Shumë me rëndësi është për rajonin tonë deri para njëzet vitesh të trazuar nga luftërat me gjakderdhje të mëdha, që sot të shtrihet dora e pajtimit dhe e mirëkuptimit dhe si tërësi të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Vetëm proceset e integrimit mund të sigurojnë një rajon më të paqtë dhe mund të sigurojnë një dinamikë më të fortë drejt anëtarësimit të të gjitha atyre vendeve në BE. Sepse, po të hapet historia… ajo është e dhimshme dhe asnjëherë nuk do të mund të rregullonim ato çështje që janë shkaktuar në të kaluarën.

A keni pasur këto ditë komunikim me presidentin Thaçi dhe me drejtuesit e tjerë shtetërorë e politikë të Kosovës, – me që keni qenë bashkëveprimtarë dhe bashkëpunëtorë të vjetër me ata – dhe çfarë epilogu pritni konkretisht nga e gjithë kjo ide?

Unë kam pasur takime me autoritete të Kosovës; kam pasur një takim të mirë edhe me Presidentin Thaçi. Vërtetë, deri më tani nuk mund të them se ka diçka që mund të bisedohet për diçka që ofrohet nga palët. E gjitha kjo që bëhet deri më tash është më tepër një debat mediatik se sa një debat real mbi një substancë që palët të mund t’i japin mendimet. Mendoj se nuk janë indiferentë as komuniteti ndërkombëtar dhe lehtësues të drejtpërdrejtë këtu do të kemi Brukselin dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Ende në institucionet e Kosovës, me sa unë u njoftova, nuk ka një platformë të hartuar dhe të shkruar mbi të cilën do të negociohet. Mbi të gjitha, për Presidentin Thaçi ishte që ky moment duhet të marrë epilog dhe ai epilog duhet të jetë pozitiv sepse është në dobi jo vetëm të Kosovës, jo vetëm të Serbisë por edhe të gjithë rajonit. Dhe unë mendoj që këto bisedime jo shumë larg edhe mund të fillojnë.

Ka mendime se debatet rreth kufijve do të kenë efekte negative tek referendumi i pritshëm për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Si mendoni ju, z. Ahmeti?

Nuk mendoj që këto çështje, ky debat që është hapur të mund të reflektojë negativisht në Republikën e Maqedonisë, aq më tepër në organizimin e referendumit. Qytetarët në Republikën e Maqedonisë janë të vetëdijshëm se ne ndodhemi përara një momenti historik: më 30 shtator mbahet referendumi dhe deri në fund të dhjetorit të 2018-s duhet të ndodhin edhe ndryshimet kushtetuese që të bëhet ratifikimi i ftesës për anëtarësim në NATO të Republikës së Maqedonisë dhe të hapet dialogu përmbajtësor drejt anëtarësimit të Maqedonisë në BE, ndonëse dialogu realisht është i hapur, por formalisht pritet në qershor të vitit të ardhshëm. Kështu që, për rajonin tonë dhe për vendin tonë prioritet më të madh se sa anëtarësimi në NATO dhe në BE…, nuk mendoj që ka ndonjë alternativë më të sigurtë dhe më të mirë. E vetmja alternativë, jo vetëm për ne por për të gjithë rajonin është që të kemi qëndrueshmëri, paqe, zhvillim dhe mirëqenie. Nuk duhet të humbim kohë, por të jemi aktivë dhe të realizojmë programet tona që na i sigurojnë te mirat që përmenda më lartë.

Z. Ahmeti, a janë shqiptarët e Maqedonisë faktorë që mund të vulosin rezultatin e referendumit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe nga ana tjetër, a rrezikon të thellohet hendeku ndëretnik tash që retorika nacionaliste e partive djathtiste është shtuar?

Çështjet që kanë të bëjnë me stabilitetin, me sigurinë, me fqinjësinë e mirë nuk janë vetëm në dobi të shqiptarëve. Dhe përgjegjësi përpara këtyre proceseve kaq të rëndësishme kanë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Unë mendoj që referendumit duhet t’i përgjigjen shumica dërrmuese e qytetarëve. Efektet, sigurisht që janë të mira dhe nuk ka ndonjë arësye për të hyrë në garë etnike lidhur me Marrëveshjen midis palës greke dhe Republikës së Maqedonisë. Sepse, nga kjo marrëveshje nuk përfirojnë vetëm shqiptarët por të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Maqedonisë dhe bartës të sovranitetit dhe integritetit janë të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe nga ky moment përfitojnë të gjithë. Duhet të jemi afër njëri tjetrit dhe bashkë ta ndërtojmë të ardhmen sepse përgjegjësia na takon të gjithëve.

Cili është qëndrimi i BDI-së në lidhje me kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Kjo është një çështje që do të diskutohet jo vetëm në nivel partish por edhe në takimet që i kemi bashkë me opozitën. Çka është interes shtetëror, çka është në interes të përshpejtimit të proceseve të integrimit evropian, do të ishte e pranueshme për BDI-në. Duhet dakordësi nga të gjitha palët dhe ne nuk do të na pengonte që zgjedhjet të mbaheshin në afatin e zgjedhjeve presidenciale (maj, 2019). Mirëpo kjo do të varet nga bisedimet e marrëveshjet që do të arrihen në mes partive politike. BDI nuk është parti që dëmton proceset. Është parti e cila ka ndihmuar dhe do të ndihmojë në afrimin e palëve dhe në shtytjen e proceseve drejt realizimit përfundimtar.

Z. Ahmeti, si i komentoni zërat në disa media për pretendime nga struktura brenda BDI-së për zëvendësimin tuaj në postin drejtues të partisë?

Unë nuk kam njoftime të tilla, edhe pse do të ishte mirë në qoftë se ka një garë të tillë. Unë jam më tepër i angazhuar për të bërë një BDI shumë më të fortë, për të bërë një strategji për 20 vjetët e ardhshëm se si do të duket Bashkimi Demokratik për Integrim. Ne kemi mbyllur një kapitull historik, gati 20 vjet, ku BDI ka qenë fitues në të gjitha ciklet zgjedhore. Tash jemi në momentin ku po shtrohet për diskutim strategjia për platformën dhe filozofinë e 20 viteve të ardhshme të BDI-së.

Zeri i Amerikes 

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.