Korrieri i heroinës fsheh njohjen me Gëzim Çelën

Jun 15, 2014 | 16:36
SHPËRNDAJE

Kujtim Çela dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj shtetasit Gëzim Çela, i dyshuar si pronar i vilës 3- katëshe në Fushë-Kuqe të Laçit, ku u zbulua një laborator droge.

Me kërkesë të prokurorit të çështjes, togat e zeza lanë në burg tre persona të akuzuar deri tani në lidhje me këtë çështje. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka nisur ndërkohë një hetim rreth dyshimeve e mundësisë që aksioni për kapjen e shtetasit Gëzim Çela të jetë dekonspiruar. Gjithashtu po hetohet edhe ndonjë gabim taktik i policisë, që ka sjellë zbulimin e veprimeve operacionale duke i mundësuar të dyshuarit shpëtimin nga arrestimi. Në kushtet e mungesës për shkak të mosarrestimit të tij, gjykata caktoi masën me burg për shtetasin Gëzim Çela, tashmë i shpallur në kërkim. E njëjta masë veçse me praninë e personit u vendos nga gjykata për shtetasin Kujtim Çela, 44 vjeç, vëllai i pronarit të vilës 3-katëshe në Fushë-Kuqe të Laçit. Prokurori tha dje në seancën me dyer të mbyllura se shtetasi Kujtim Çela është arrestuar në flagrancë në vilën 3-katëshe që përdorej si laborator lëndësh narkotike ku janë gjetur droga si heroinë, kokainë e hashash, si dhe sasi armësh e municionesh. I përfaqësuar nga një avokate kryesisht, shtetasi Kujtim Çela konfirmoi gjeneralitetet e tij, por theksoi se nuk kishte deklarime për të dhënë në këtë fazë të çështjes. Në vilën 3-katëshe në Laç, u kapën 22 kg heroinë, 107 kg marijuanë, 22 bidonë me nga 25 litra secili me açeton që shërben si përzierës i drogës.

“PENDOHET” KORRIERI KOSOVAR
Personi i tretë që doli dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda ishte Reald Hysolli, 25 vjeç, i dyshuar si korrier i lëndëve narkotike që trafikoheshin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Personi në fjalë ra në pranga katër ditë më parë pasi me vete mbante 7 kilogramë heroinë, të cilën po e transportonte nga Kosova drejt Shqipërisë dhe dyshohet se do ta dorëzonte në vilën 3-katëshe në pronësi të Gëzim Çelës në Laç. “Droga që më është kapur në pikën kufitare të Morinës është e imja. Nuk i njoh personat që janë arrestuar në Shqipëri dhe nuk kam asnjë lidhje me ta. Drogën unë e kam blerë në Kosovë te disa persona nëpërmjet një të njohurit tim. Nuk kam dijeni për laboratorë droge apo gjëra të tilla”, mësohet të ketë pohuar para gjykatës shtetasi nga Kosova. Ai ka thënë madje se nuk e njeh as shtetasin Gëzim Çela, i shpallur në kërkim si drejtues i veprimtarisë së trafikut. Nga ana tjetër, prokuroria tha se shtetasi nga Kosova po sillte në laboratorin e drogës në Laç 7 kilogramë heroinë, të cilat i kishte marrë në Kosovë. tr.so

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura