Koronavirus COVID-19, refleksione

May 27, 2020 | 11:00
SHPËRNDAJE

SAMI REPISHTI, PH.D sami_repishti

Ridgefield, CT- Këtu, fillimi i vitit të ri 2020 ka qenë i qetë, por shpejt u shfaq nji kërcënim me përmasa shkatërrimtare. Sipas të gjithë përshkrimeve, besohet se zanafilla e kërcënimit, nji virus pak i njohun ma parë dhe që u quejt koronavirus COVID-19, ka qenë krahina kineze Wuhan, ku virusi u përhap shpejt dhe alarmoi mbarë botën.

Sot, ma shumë se 38.6 milionë amerikanë kanë humbë punën papritmas. Qeveria ka vue në dispozicion 2.2 trilionë (2.2 + 12 zero) për ndihmë, dhe demokratët kërkojnë me shpenzue edhe ma shumë për lehtësimin e vuejtjeve, sidomos të klasave të vorfna. Miliona qytetarë të tjerë kanë humbë sigurimet shëndetësore në pamundësi me pague kuotat mujore, dhe luftojnë me sigurue mbijetesën e familjeve të tyne me shumë fëmijë. Sot numërohen afërsisht 98.000 viktima nga sëmundja dhe 1.6 milionë të infektuem. Ekonomia ka pësue nji ramje të shpejtë e të randë. Pyetja: çka duhet të bajmë për rimekambje ashtë ba subjekti kryesor i diskursit publik, tue fitue përparësinë mbi problemin e pandemisë. Që tani duket se do të gjindemi para nji situate ku do të detyrohemi jo me rindertue ekonominë, por “me ndryshue”, frazeologji revolucionare jo e zakontë për Shtetet e Bashkueme. Ka mundësi që ky qëndrim do të jetë rezultati final i pandemisë që përjetojmë sot…

Disa shtete, si Koreja e Jugut dhe Tajvani ishFormosa) përballuen me guxim virusin që në fillim dhe dolën me sukses. Të tjerë, sidomos kolosët e ekonomisë botënore, SHBA, Rusia, dhe Kina ndoqën dy rrugë të ndryshme. Kina dhe Rusia, dy shoqëni të mbylluna, preferojnë me mshehë sekretin e virusit nga bota e jashtme për arsye politike. SHBA preferoi mos me e përfillë fillimisht. Presidenti Trump e neglizhoi fare, pohoi se kishte vetëm 1 të infektuem që mbahej nën kontroll, ma vonë vetëm 15 veta të infektuem. Ndërsa Kina ka pasë nji dozë suksesi ma vonë, SHBA përballohet sot me nji pandemi që kalon çdo parashikim. Perspektivat janë dëshpruese dhe frika e popullsisë mbulon vendin. Ekspertët në mjekësi parashikojnë se në fillim të muejit gusht numri i viktimave do të arrijë rreth 150.000…..

Si do të përfundojë kjo krizë? “Simbas historianëve”, shkruen analistja Gina Kolata e “NY Times”, “pandemitë përfundojnë në dy tipa: shërim “mjekësor” që rezulton në pakësimin e viktimave dhe të masave të infektueme deri në shumje të plotë; ose, përfundim “social”, kur pandemia arrin kulmin e zhvillimit me dame të mëdha dhe mbyllet në shumje, bashkë me frikën e përgjithshme të popullsisë.

Suedia paraqet nji solucion të tretë: imunitetin e masave (“herd immunity).

Në përgjithësi, rruga e ndjekun nga SHBA ka marrë karakter politik të imponuem nga Presidenti Trump, me rrjedhime të frikshme. Arsyeja e këtij qëndrimi ashtë dami i madh që i ka kushtue ekonomisë, sot të mbyllun, amerikane dhe shumave marramendëse që shpenzohen me furnizue organet qeveritare: vendore, shtetnore e federale. Sot, SHBA ashtë e mbytun në borxhe publike, pagesa e të cilëve do të nxirret nga taksat e reja për popullsinë tashma të lodhun…..!

“Përfundimi i pandemisë zakonisht ashtë shumë, shumë i vështirë”, shkruen Prof. Dora Vargha (Exeter U.). Për cilin përfundon pandemia? Sigurisht jo për të vorfnit që mbeten të vorfën…! Punëtori, bujku, nëpunësi i vogël, polici, zjarrfikësi, pastruesët e tjerë punëtorë krahu ose të dalun krejtësisht të vorfnuem dhe në nevojë ndihme urgjente shtetnore të përjetshme! Ka shumë mundësi që kërkesa kryesore e klasave të vorfënueme do të jetë sigurimi shtetnor afatgjatë për rastet e vështira, siç janë mungesa ose humbja e të ardhunave të zakonshme. Punëdhanësit dhe ruejtësit e pasunive të mëdha do të gjinden para presionit me bashkënda nji pjesë të pasurisë së tyne me vuejtësit e vorfën, me anë taksash mujore, ose taksash me përqindje ma të naltë, për krijimin e fondeve të asistencës së përgjithshme.

Ish-Presidenti Barak Obama e përcaktoi këtë situatë në SHBA “absolutely a chaotic disaster”. Edhe sot, udhëheqësit politikë dhe institucionet tona janë të paaftë ose pa dëshirën me zgjidhë problemin racial në Amerikë, milionët e dënuem me vorfëni të përjetëshme; me zgjidhë problemin e qytetarëve të moshuem dhe pa mjetet e nevojshme me përballue jetën e përditshme, dobësimin e bërthamës familjare që krijon batalionet e fëmijëve dhe të rinjve pa strehë, dobësimin e arsimit, sidomos atë foshnjor dhe fillor, veçanërisht për të vorfnit, dhe kaosin ekonomik që dëshmojmë çdo ditë për arsye të punës shfrytëzuese. “Atëherë,-pyet analisti Matthew Walther,- pse duhet të veprojmë sikur nuk kemi deshmue të përditshmen, ramjen tonë të vazhdueshme?”. (“The Nation”, 13 maj ’20)

Akademikët dhe specialistët e mjekësisë mendojnë se fundi i pandemisë do të jetë “social” para se të deklarohet “i sheruem” nga medicina. Prof. Naomi Rogers (Yale U.) mendon se “…elementi psikologjik i lodhjes dhe kufizimeve shtrënguese do të përfundojë në nji moment kur populli do të thotë: Mjaft! Na meritojmë me u kthye në jetën tonë normale”. Me nji popullsi prej ma se 38 milionë kryetarë familjesh të pa punë “stomakët e zbraztë” do të rrezikojnë me përfundue në dëshpërim. Atëherë, arsyeja humb autoritetin e saj; uria predominon mendimin e aksionin tonë.

Keqësimi i situatës në çdo vend të botës, detyroi organizatën ndërkombëtare UNICEF, që kujdeset veçanërisht për fëmijët, me deklarue botënisht me 15 maj se “nji rrezik i ri kërcënon fëmijët dhe nji valë sëmundjesh mendore vjen pastaj”. Qeveritë e vendeve të ndryshme kanë vrejtë edhe nji rrjedhim të mbylljes mbrenda mureve të shtëpisë dhe kufizimeve tjera: dhunën në familje… Miliona fëmijë janë të rrezikuem nga vdekja, njoftoi UNESCO, jo nga COVID-19, por nga shkaqe që mund të evitohen. Në pamundësi me shkue në spitale për kurim, sepse janë të zanuna vendet nga të smurët me virus, ma shumë se nji milion fëmijë (në botë) nën moshën pesëvjeçare do të vdesin çdo gjashtë muej”, shkruhet në Raportin e UNICEF-it. (“The NY Times”, 15.V.2020).

OBSH (WHO), grupi për shëndetësi që punon me koordinue përpjekjet globale që luftojnë smundjet e virusit, paralajmëron nji krizë nga sëmundjet mendore, si rezultat i “izolimit, frikës nga vdekja, pasigurisë dhe kaosit ekonomik”. Zhvillim dëshpërues!

* * *

Në nji editorial nga fletorja “The New York Times, e datës 1 maj, dedikue rolit të udhëheqësit në momente kritike të historisë, thuhet: “Shprehja ‘udhëheqje’ ashtë e vështirë me u përcaktue në kohë krize, por ashtë e lehtë me u identifikue. Ajo gjindet aty ku ka kurajë, vendosmëni, empati, respekt për shkencën dhe nji ndershmëni elementare. Kështu dhimbja e popullit në krizë pakësohet… “Nji fenomen i këtill u përjetue me qëndrimin e vendosun të disa udhëheqësve në të katër anët e globit: Zelanda e Re përjetoi kufizimet ma të mëdha në historinë moderne nga populli dhe të imponueme nga Zonja Jacinda Ardern Kryeministër, sepse ky ishte shansi ma i mirë me ndalue zhvillimin e virusit. Njëkohësisht, ajo kërkoi: “Ju lutem, bahuni të fortë, të njerëzishëm dhe të bashkuem kundër Covid-19”. Të njajtën shembull ndoqi edhe KM Scott Morrison i Australisë. Të dyja vendet dolën me sukses. Me 25 maj, Sllovenia deklaroi fitoren mbi virus COVID-19 si rezultat i masave kufizuese.

Shembuj të këtillë udhëheqje treguen edhe Gjermania (KM Angela Merkel), Norvegjia (KM Erna Solberg). Tajvan (KM Ing-wen), Danimarka (KM Mette Frederiksen), Finlanda, (KM 34- vjeçare Sanna Marin), Islanda (KM. K. Jakobsdottir), Koreja e Jugut, Greqia, etj. Ajo që tërhoqi vëmendjen e publikut botënor ashtë fakti se pothuajse të gjitha këto vende drejtohen nga zonja të edukueme e të kushtueme mirëqenies së vendeve të tyne (nji dëshirë e ime e vazhdueshme!). Ata u duertrokitën në vendet e tyne dhe në botën mbarë për aftësitë e tyne udhëheqëse. Edhe në Greqinë fqinje, KM Mitsotakis mori masa energjike që në fillim dhe shpëtoi vendin nga katastrofa njerëzore dhe ekonomike. “Karakteristikë e përbashkët: shtete kompakte, homogjene dhe të përparueme”, shkruen gazeta. Edhe Kosova meriton mirënjohje me gjithë situatën e saj të ngarkueme politikisht.

Vendosmënia me marrë masa të forta dhe të menjiherëshme pa marrë parasysh çmimin që mund të paguhet “politikisht” ashtë pa dyshim nji cilësi superiore e nji udhëheqje të vërtetë. Kjo cilësi shpjegon arsyen pse Kina dhe Rusia ruejnë sekretin e sëmundjes që të mos damtojë prestigjin e udhëheqjes së vendit para syve të botës, me rezultate shkatërrimtare për popujt e tyne. E kundërta ashtë me KM Angela Merkel të Gjermanisë: e thjeshtë, modeste, e ndershme në qëllimet e saj, në mendime e në aksion. Në nji fjalim lamtumire, ajo u shpreh: “Kujdesohuni për vehten tuej dhe dueni të afërmit tuej!”. Thjeshtësi madhështore që nuk blihet me dollarë…

Kështu ngjau me Depresionin e madh të viteve të para 1930-ës. Fenomeni i depresionit hodhi në rrugë miliona dhe zbuloi thyeshmëninë e ekonomisë dhe pabarazinë e viteve mbas-1920 qartësisht të dhimbshme. Por Amerika u përgjegj me rishikimin e rregullave në punë e afarizëm, dhe na mund ta bajmë përsëri”, shkruen Prof. Margaret O’Hara. Ashtë imperative! Na duhet të përfitojmë nga kjo tragjedi e pameritueme të paktën dobinë e rishikimit të terrorit të L2B dhe akoma ma shumë terrorin e diktaturave të posakalueme. Koha po shlyen gjurmët fizike e kujtimet që kalojnë në botën e harresës dhe duhet të ndërgjegjësohemi se kemi ra në gjumin e nji epoke plot andrra të frikshme e duhet të zgjohemi. Polarizimi që dëshmojmë sot në Shqipëri ashtë në esencë ma shumë mosrespekt, nji valë e madhe urrejtje për njeni-tjetrin. Ky qëndrim ashtë nji lloj forme “dehumanizimi”, zhveshje e kundërshtarit nga natyra e tij njerëzore. Sot gjindemi para derës së të ardhmes, pa asnji synim me u kthye mbrapa, “Me u rilindë”, pavarësisht se si kuptohet, ashtë ideja që na kemi për identifikimin e disa ideve unifikuese, siç ashtë p.sh. ideja e shërbimit kombëtar vullnetar dhe përqendrimi rreth saj në këto ditë të vështira.

Prof. Gene C. Sperling, ish-këshilltar i Presidentit W. J. Clinton, i quen deklarata të këtilla “qytetari universale akademike”. Subjekti i të cilave ashtë shqetësimi për qytetarët me të ardhuna të kufizueme, sidomos qytetarët studentë, të cilët janë potenciali për nji motor të fuqishëm me ngritë mobilizimin e vendit tonë, studentë të vorfën dhe klasave punëtore. Na duhet të ndertojmë nji shoqëni me barazi, dhe bisedimet për nji orientim të këtill të fillojnë tashti, nën presionin e virusit që na mundon.

Shtypi amerikan ashtë i mbushun me sugjerime dhe ide për të ardhmen post-virus dhe shumica e ideve janë “progresive”, me theks përmirësimin e jetës së klasës së lanun mbas dore e të vorfnueme. Presioni publik ashtë sidomos për klasën politike udhëheqëse, kryesisht për Partinë Demokratike Amerikane, që mban flamurin e reformave. Udhëheqësit demokratë deklarojnë se në rastin kur ata marrin pushtetin (kallnor 2021) do të jenë të përgatitun me shpenzue shuma kolosale në ndihmë të ekonomisë së damtueme, me ndërtimin e superstrukturës së vjetrueme (rruga, ura, hekurudha, aeroporte etj.), shumë ma shpejt se kanë veprue ma parë, me nji program progresiv për ndihmë punëtorëve dhe bujqve, legjislaturën e nevojshme, me zgjanue rrjetin e shërbimeve mjekësore dhe sigurimet, në ndërtimin e banesave për të pastrehët, si dhe programe shërbimesh për fëmijë. Nji shembull që meriton studimin tonë ashtë rasti i vendeve skandinave.

Ashtë fjala për nji program të gjanë dhe “transformativ” që na kujton periudhën rosveltiane të mbaskrizës botënore (1929-1933). Qytetarët amerikanë që kanë nevojë për ndihmë, duhen ndihmue në se dëshirojmë me mbajtë të gjallë “the american dream”: liri e drejtësi për të gjithë! Në nji fjalim të mbajtun pak ditë ma parë, ish-nënpresidenti Joseph Biden bani të qartë se pikësynimi i tij nuk ashtë me “rindertue ekonominë”, por “me ndryshue ekonominë”. Tue komentue këtë deklaratë, Lee Saunders, udhëheqësi i njenës nga sindikatat e mëdha amerikane tha: “Unë mendoj se ai (Biden) dëshiron me përpunue nji plan dhe me përkrahë familjet punëtore, dhe se ashtë i interesuem me studjue programe. Ai (Biden) shpreson me ringjallë demokracinë liberale tue marrë iniciativa të mëdha për ndryshime të mëdha. Vëmendje e veçantë u dedikohet përpjekjeve me përkrahë idenë e “nji të ardhmeje të sigurueme për të gjithë” ose “me ofrue të ardhuna për të gjithë të garantueme nga nji premtim federal”. Tue ndryshue rregullat e punës, kandidati Biden mendon me rritë sa ma shumë fitimet nga puna për punëtorët tashti me të ardhuna të ulëta… Senatori demokrat Michael Bennett (D.Colo) ish-kandidat për President, shpreson se “Presidenti Biden do të ndjekë nji politikë ekonomike, e cila do të fuqizojë punëtorët dhe klasën e mesme që u damtuen, e jo klasën “super-rich” shumë të pasun, shkruen gazeta “The New York Times” e 18 majit.

Vendi i parë industrial në botë, Shtetet e Bashkueme të Amerikës, duket si i paralizuem nga pandemia, i pa aftë me furnizue landët e nevojshme për luftimin e virusit, pa orientim të studjuem, me nji presidencë që ka humbë iniciativën e organizimit –siç e shohim në vendet nordike. Me folë shtrue, Amerika përballet sot me “nji anarki në terma politike”, shkruen Prof. Walther – “The Nation” të 13 majit. “E gjithë kjo në Amerikën fortesë, që gjatë L2B Presidenti F.D. Roosevelt mobilizoi të gjithë potencialin industrial të vendit në luftën kundër nazifashizmit gjerman e italian dhe militarizmit japonez, mobilizim që prodhoi katër aeroplanë luftarakë çdo orë, ditë e natë, deri në fitoren e plotë”.

Ajo që kemi mësue nga eksperienca jonë me COVID-19 nëse dëshirojmë ballafaqimin e suksesshëm me virusin, ashtë se kemi nevojë për nji orientim të ri dhe udhëheqje ma të ndërgjegjshme e profesionalisht ma të aftë. Shpresojmë që populli i zhgënjyem nga paaftësia federale të marrë mësimin e duhun: na duhen udhëheqës të pjekun, seriozë dhe të përgatitun me udhëheq, udhëheqës që refuzojnë aventurën, që tregojnë kujdes dhe empathi, dhe që i dedikohen shërbimit të përgjithshëm.

Amerika ka nevojë për nji udhëheqje të këtillë.

Këtu dhe tashti! Tue dëshmue para Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, drejtori i Autoritetit për Studime të Avancueme dhe Zhvillime Bio-mjekësore, Dr. Rich Bright, deklaroi:

“…Ne kemi shkencëtarët ma të mëdhenj në botë e ata duhet të lejohen me udhëheqë. Ndërsa ashtë e frikshme me pranue përmasat e sfidës (së pandemisë), me të cilën përballohemi aktualisht, fakti i pamohueshm ashtë se do të ketë nji ringjallje të COVID-19 këtë vjeshtë, tue komplikue në masë të madhe sfidat e gripit sezonal, dhe tue vendosë nji tension të papamë në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor. Pa planifikim dhe zbatim të qartë të hapave që unë dhe ekspertët tjerë shkencorë kemi parashtrue, viti 2020 do të jetë dimni ma i errtë në historinë moderne”, raporton “Zëri i Amerikës”.

Në situata të këtilla shkenca flet; na, të gjithë na, duhet të ndigjojmë mesazhin e saj, nëse dëshirojmë me evitue rrjedhimet katastrofike që na kërcënojnë. “Publikut duhet t’i thuhet e vërteta, jo e filtrueme politikisht!”, përfundon Dr. Rich Bright. Nuk duhet të harrojmë: COVID-19 ashtë ende nji mister për ne (Shënim: Sot, fletorja “The NY Times” e datës 21 maj, f. 1, botoi shkrimin me titullin: “Ndërsa prisnim për mbylljen me kufizime, na humbëm 36.000 jetë njerëzore”.

“Sikur SHBA të kishin fillue masat e kufizimit të lëvizjeve, “distancën shoqënore” nji javë ma parëm rreth 36.000 jetë njerëzore do të ishin kursye nga koronavirusi, simbas vlerësimeve të bame nga Columbia U.

Dhe sikur vendi të kishte izolue qytetet dhe të kishte kufizue kontaktet shoqënore më 1 mars, dy javë para se popullsia filloi të vetëizolohet, shumica dërmuese e viktimave, rreth 83 për qind, do të kishte evitue vdekjen….. “Kjo ashtë nji diferencë e madhe. Ajo sasi kohe e shkurtër, po të kishim kapë në dorë fazën e rritjes së sëmundjes do të kishte qenë jashtëzakonisht kritike në pakësimin e numrit të vdekjeve”, deklaroi Prof. Jeffrey Shaman, epidemiolog në Columbia U. dhe udhëheqës i skuadrës së kërkimeve mjekësore……

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura