Koordinatori i PD kundër ministrave teknikë: Mos kemi filluar të qeverisim bashkë me PS?

1
SHPËRNDAJE

Koordinatori i PD-se, Dritan Shano ne një koment publikuar sot në “Panorama” me titull “Prova teknike?” teksa analizon hyrjen dhe qendrimin edhe sot e kesaj dite te ministrate teknike ne kabinetin e Rames, gre mes te tjerash nje pyetje te rendesishme: Mos kemi filluar të qeverisim bashkë me PS?

shano

DRITAN SHANO

Për të gjitha llojet e inercive të tjera ekzistojnë forcat e fërkimit, që ndërpresin inercitë. Forca të fërkimit në politikë janë morali, identiteti politik, përgjegjshmëria etj. Vijimi i kësaj lloj inercie “teknike” duket sikur i ka eliminuar këto forca fërkimi dhe ajo vetë po shndërrohet në një gjest tjetër politik, të cilin nuk po dimë më si ta lexojmë.

Hyrja e ministrave teknikë të Partisë Demokratike në qeveri ishte një gjest politik. Një triumf politik mbi Edi Ramën, që synonte të garantonte paprekshmërinë e votës së shqiptarëve. Ky ishte gjesti politik, që na futi ne si PD në zgjedhje. Ky gjest politik shkaktoi mbylljen e një gjesti tjetër politik tonin, mbylljen e çadrës së lirisë, e cila qëndroi për 3 muaj në mes të bulevardit si protestë ndaj mungesës së garancive për zgjedhje të lira e të ndershme dhe gjithçkaje që ka bërë deri më sot qeveria e Edi Ramës për shqiptarët. Arsyeja e qëndrimit të këtyre ministrave teknikë në qeverinë e kryeministrit Edi Rama, de fakto mbaroi në datë 25 qershor 2017, kur u mbyllën kutitë e votimit. Kishin bërë, ç’kishin bërë ministrat teknikë nuk kishin më arsye të rrinin më gjatë në postet teknike. Ne, nuk i kishim çuar ministrat të qeverisnin, të çonin përpara reformat apo tenderat e PS-së. Por të ruanin votën. Vota u hodh në kuti. Partia e numëroi votën dhe pranoi rezultatin. Por këta ministra vazhdojnë të qëndrojnë në qeveri. Pa lëvizur… Pse? Mos kemi filluar të qeverisim bashkë me PS-ne, por nuk e kemi marrë vesh akoma?

Gjatë korrikut u tha se këta ministra do të rrinin në post derisa të mbaronin Raportin për Zgjedhjet. Nuk e kuptoj pse duhet të vazhdosh të rrish ministër për të shkruar një raport të detajuar për zgjedhjet, a thua se në PD nuk ka zyra. Në fakt, unë mendoj se sot për sot, dokumentimi i parregullsive në zgjedhje nuk është detyrë e administratës, por e forcave politike. Sa për çfarë ka ndodhur kuti më kuti, më mirë se e di struktura e partisë, nuk kanë për ta ditur kurrë ministrat teknike. Zgjedhjet kanë dy muaj që kanë mbaruar dhe ministrat tanë teknikë ende nuk e kanë mbaruar së shkruari raportin për zgjedhjet. Ose janë krejtësisht të paaftë dhe nuk dinë të shkruajnë, ose nuk kanë se çfarë të shkruajnë. Ose jemi përballë një raporti stil Penelope. Personalisht, nuk besoj se ata do të shkruajnë ndonjë raport më të mirë se ai i OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, edhe sikur të rrinë ministra teknikë për një vit tjetër kalendarik.

Ka të tjerë dashamirës që thonë se ministrat teknikë nuk ikin dot, se nuk kanë kujt t’ia dorëzojnë detyrën, se duhet garantuar funksionimi i administratës. Zotërinj, ky nuk është problem i PD-së, por i atij që ka qeverinë. Dua të sqaroj se ministri në një qeveri është personi që garanton zbatimin e vizionit të forcës politike që ai përfaqëson, apo koalicionit ku bën pjesë. Prapë, a jemi ne në qeveri? A jemi në koalicion? Në dijeninë time zyrtare, jo! Pra, kur ministri nuk është duke bërë sa më lart, mbarëvajtja dhe funksionimi i Ministrisë garantohet fare kollaj nga zëvendësministrat dhe sekretari i përgjithshëm i çdo ministrie. Si bëhet kjo?

Në rastin konkret, të gjitha shkresat që lidhen me përditshmërinë e funksionimit të ministrisë përkatëse mund t’i firmosi zëvendësministri socialist. Për këtë, mjafton një shkresë, e cila depozitohet në Protokollin e ministrisë, ku titullari delegon kompetencat e veta tek zëvendësministri. Ky i fundit, këtë kompetencë e ushtron duke firmosur: Në mungesë me porosi. Kaq. Ministrat tanë mund të ikin të qetë administrativisht. Në rast se ka ndonjë interpretim kushtetues që ua ndalon këtë gjë, le të hiqen si të sëmurë. Dhe qeverisja e socialistëve le të vazhdojë pa teknikët tanë, “në mungesë me porosi”. Mendoj se çdo orë e qëndrimit të ministrave teknikë në qeverinë socialiste është një gjest që zhvlerëson çadrën e lirisë, stërmundimin tremujor të qindra mijëra demokratëve për të krijuar frymën dhe shembullin se PD është shpresa. Mendoj se qëndrimi, i pajustifikuar nga ajo ç’dimë dhe ç’njohim i ministrave teknikë në qeveri, është një mesazh çoroditës që PD jep në raport me zgjedhjet, në raport me PS, me Edi Ramën dhe me të ardhmen. Aq sa ndokujt, në këtë vapë afrikane, i duket sikur LSI është opozita.

Çdokush ka të drejtë të pyesë, në mos të tjerët, veten e tij. Ai ishte gjesti politik i PD-së, hyrja e këtyre ministrave për të mos lejuar vjedhjen e votave, apo është qëndrimi i tyre i tejzgjatur në qeveri, gjesti i vërtetë politik? A është kjo prova teknike e bashkëqeverisjes? Sepse gjesti politik mbetet i tillë. Ai nuk mund të arsyetohet tani si çështje burokracie, si lexim administrativ apo kushtetues. Jo çdo gjë mund të përthyhet dhe rrumbullakoset sipas nevojës. Gjesti politik nuk mund të shihet më si një inerci e çastit, për aq kohë sa vazhdon me këmbëngulje dymujore dhe krejt i shurdhët e ndoshta shumë i bezdisur nga nevoja e thjeshtë, por ulëritëse që çdo anëtar i PD-së ka për qartë- si.

Prandaj, ministrat teknikë që i çuam të na ruanin votën, duhet ndoshta të bëjnë një sakrificë, qoftë edhe personale. Ata duhet të ikin. Edhe pa leje. Sepse PD ka nevojë të tregojë se jo vetëm nuk është e çoroditur, nuk po tenton eksperimente, por se është akoma e zonja për një gjest politik që shpreh vendosmëri, identitet, moral dhe vizion të qartë politik, atë të opozitës që fillon të ringrihet. Dhe kjo nuk vjen kurrsesi nga vazhdimi i llokoçitjes së njerëzve tanë në atë qeveri, të cilën donim, por për shumë arsye, dështuam ta rrëzonim.

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakDelegacioni amerikan që mbledh fakte, ambasada zbardh takimet e tyre me politikanët shqiptarë
Artikulli tjetërHeroi i Skënderbeut ka një makth, ja cili është sulmuesi që e ka trembur Shehin

1 KOMENT

  1. hyne qe ruajne voten hyne qe ruajne pronen private dhe te shtetit hyne qe ne emerimet shteterore te vej me i miri e jo hajduti kurre te mbarojne keto atehere te ikin 2 milion banore ska nevoje per opozite kemi 27 vjet me opozite dhe vjedhje kemi

Comments are closed.