Kontrabandë me duhanin, 3 persona dërgohen për hetim nga Doganat

Jul 31, 2015 | 17:40
SHPËRNDAJE

Dy persona nga Shkodra dhe një nga Tirana janë dërguar për ndjekje penale për kontrabandë në tregtimit e duhanit.

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Në një njoftim për mediat, drejtoria e Përgjithshme e Doganave thotë se në kuadrin e luftës kundër informalitetit nëpërmjet strukturave të saj të hetimit dhe në bashkëpunim me ekspertët e Crown Agents, ka ushtruar kontrolle në qytetin e Tiranës dhe Shkodrës në subjekte që në mënyrë të paligjshme tregtojnë duhan. “Si rezultat i këtyre kontrolleve janë sekuestruar 300 kg duhan i hapur dhe një sasi e konsiderueshme paketa cigare pa pullë fiskale. Shtetasit Jak Gjergji dhe Ike Vuçiç, nga Shkodra janë dërguar për ndjekje penale për veprën ‘kontrabandë mallrash me akcizë’ ndërsa shtetasi Arjan Muharremi, nga Tirana për veprën penale ‘tregtim mallrash kontrabandë”,-thuhet në njoftimin për mediat.

Ndërsa shtohet se kjo drejtori do të vazhdojë kontrollet në terren për të parandaluar fenomenin e kontrabandës së mallrave me akcizë.

Ndërkaq, pak ditë më parë në lagjen “Rus” të qytetit të Shkodrës pati disa përplasje mes policisë dhe tregtarëve lokalë për shitjen e duhanit.

Për këtë çështje reaguan edhe përfaqësues të opozitës, të cilët akuzuan qeverinë për dhunë ndaj tregtarëve dhe rritje të papunësisë në vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura