Konkursi për “Kryekomisar”, konkurrenti fitues ishte dhe mbikëqyrës

Nov 21, 2018 | 10:46
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Konkursi për gradën “Kryekomisar”, ku u shpallën fitues 30 oficerë, deri tani është konsideruar i rregullt, ndonëse është shoqëruar me kontestime deri në akuza për manipulim të pyetjeve.

shkolla-e-policise-se-shtetit-700x465

Kandidatët për këtë gradë kanë pretendime se janë përdorur standarde të dyfishta, jo vetëm për vetë procesin, por edhe për krahasuar me konkursin e mëparshëm, atë të gradës “Komisar”. Në një kohë kur për këtë gradë, testimi u anulua nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, vendim ky i bazuar vetëm në dyshime, nuk ka ndodhur e njëjta gjë për gradën “Kryekomisar”.

Shkeljet në këtë konkurs duket se kanë qenë shumë herë më të rënda, madje edhe të provuara. Një ndër shkeljet, për të cilën flasin disa prej oficerëve që morën pjesë në këtë konkurs, është fakti që një prej kandidatëve, i cili rezultoi fitues në vendin e tretë, ishte edhe mbikëqyrës i procesit. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, ata kanë të dhëna se ishte pikërisht ky oficer, i cili duke qenë me detyrë specialist në kurrikulat e Akademisë së Sigurisë, ka përgatitur edhe çelësin e 5 pyetjeve me zhvillim, që kishin edhe vlerën më të madhe të testimit, plot 60 pikë.

Faksimile e listës me emrat e fituesve për gradë “Kryekomisar"
Faksimile e listës me emrat e fituesve për gradë “Kryekomisar”

Bëhet fjalë për oficerin Arjan Zoto. Siç shihet në fletën ku janë shpallur rezultatet e konkursit, Arjan Zoto rezulton të ketë dalë i treti në listën e fituesve. Ai ka arritur të 87 pikë, nga të cilat 40 pikët e plota nga vlerësimi me “Scantron”, i pyetjeve me alternativa dhe 47 pikë në 5 pyetjet me shtjellim, që janë korrigjuar në bazë të çelësit të përgatitur nga vetë ai.

Faksimile e dokumentit me emrat e mbikëqyrësve të procesit
Faksimile e dokumentit me emrat e mbikëqyrësve të procesit

Ndërsa në një tjetër dokument, të siguruar nga gazeta “Panorama”, emri i tij renditet mes mbikëqyrësve të testimit me shkrim. Konkretisht Arjan Zoti ka qenë mbikëqyrësi i tretë në sallën nr.1, kur përgjegjës ishte Agron Çeli, me gradën drejtues.

PARREGULLSITE

Sipas ankesave të pjesëmarrësve në konkursin për gradën “Kryekomisar”, përveç shkeljes së paprecedent, që një mbikëqyrës i procesit ishte edhe vetë konkurrent e për më tepër fitues, testimi ka pasur disa probleme të tjera.

I pari lidhet me faktin se një pjesëmarrës në konkurrim ka bërë çelësin, gjë që nënkupton se ai, por të paktën edhe disa miq të tij, kanë pasur dijeni për përgjigjet.

E dyta, për konkurrentët shihet si i papranueshëm edhe fakti që pyetjet me zhvillim të kontrollohen me çelës. Sipas tyre, në këtë mënyrë kontrolloheshin vite më parë pyetjet me alternativa, në mungesë të leximit elektronik, që tashmë është aparatura “Scantron”. Kjo shpjegon edhe faktin që shumica dërrmuese në konkurrim kanë marrë shumë pak pikë në 5 pyetjet me shtjellim, pasi përgjigjet janë krahasuar me çelësin. Oficerët pretendojnë se gjithkush që përgjigjet, mund të mos vlerësohet objektivisht nëse nuk lexohet me vëmendje shtjellimi i pyetjes.

“Ajo që ka ndodhur në konkursin për gradat ‘Kryekomisar’ është shumë më e rëndë se ajo që ndodhi apo u pretendua të kishte ndodhur në konkursin e ‘Komisarëve’. Ai testim u anulua nga një vendim i bazuar në dyshime, ndërsa te kryekomisarët është i organizuar nga vetë personat përgjegjës, me shkelje dhe gabime tepër të rënda që kanë deformuar e tjetërsuar rezultatin”, shprehen disa oficerë në kushtet e anonimatit.

ANKESAT

Përveç ankesës në Sindikatën e Policisë, kandidatët që kanë humbur në testimin për gradën “Kryekomisar”, kanë kërkuar rivlerësim të testeve të tyre, siç e njeh edhe procedura. Në diskutimet paraprake me personat përgjegjës të procesit, ata kanë marrë si përgjigje edhe mundësinë e ndonjë ngatërrese gjatë vlerësimit.

Për këtë arsye kanë kërkuar që t’u vihen në dispozicion testet që ata vetë kanë plotësuar. Nga ana tjetër, ata pretendojnë se përgjigjet e tyre edhe mund të jenë fshirë me gomë, duke qenë se në provime të tilla përdoret lapsi. Për këtë arsye kërkojnë që t’i shohin testet, për të kuptuar nëse është bërë manipulim apo jo, edhe pse deri tani u është refuzuar kjo kërkesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura