Kongoli dhe lustracioni

Aug 31, 2013 | 13:01
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

  Rileximi i librit të Fatos Kongolit për vetveten ishte një shëtitje e dytë në rrugën e gjatë të trishtimit. I ndodhur në makinerinë më të kontrolluar të sistemit, atë të krijimtarisë artistike, i afruar dhe larguar në pozicionet kulturore jo nga merita apo pameritimi i tij, por nga tekat politike, Kongoli ka arritur të hedhë penelatat e njeriut të ri që kërkonte partia – të njeriut pa formë, pa kurajë. Një poezi e frikës e rrëfyer në prozë nga Kongoli, në fakt shpjegon edhe për shumë nga ajo që kemi kaluar në këto 23 vite ndryshimesh, ku ka qenë e vështirë apo thuajse gati e pamundur që ai njeri i brumosur nën frikë, nën presionin e humbjes së identitetit, të arrijë të lidhet në mënyrë të vërtetë me Lirinë, ose ta praktikojë atë në mënyrë të drejtë për veten e aq më pak për të tjerët.
Në rrëfimet e tij Kongoli ka shpjeguar pagjumësinë e tij ndaj dy ngjarjeve ku sistemi e ka rreshtuar në krahun e vet, ku i duhej të ishe dëshmitar për një mësuese në Elbasan dhe ish-kolegun në shtëpinë botuese, Hysenil Dume. Në fakt, rrëfimet e shumta (pse jo edhe me krenari ndonjëherë) të shumë eksponentëve të ish-Sigurimit famëkeq në këto vite lirie, tregojnë se çështja e daljes dëshmitar në atë kohë ishte thjesht formale, nëse ishte vendosur dënimi i dikujt. Por Kongoli ka guxuar të shpjegojë pagjumësinë e tij në këto 20 vite ndryshimesh, pagjumësinë e një njeriu që kishte mundur të ishe pjesë e institucioneve krijuese, e njëkohësisht me një të shkuar sa komuniste nga i ati, aq edhe të një të shkuare ish-pronarësh nga e ëma.
Në fakt, duke iu mbështetur një etike që duhej të ishte kapërcyer, Kongoli ka dhënë me emra të plotë ata që janë treguar njerëzorë në rrugëtimin e tij dhe me iniciale ata që në mënyrë të hapur kanë qenë pjesë e mekanizmit persekutor. Do të ishte në fakt shumë më e vlefshme që ata emra, të cilat sipas Kongolit pas vitit 1991 kanë bërë karrierë në politikë apo administratën publike, të ishin dhënë me emra. Natyrisht që një pjesë e shoqërisë nuk e ka pasur të vështirë të identifikojë aty as Nevzat Haznedarin e as Njazi Jahon. Por megjithatë, Kongoli mund të kishte thyer atë ngurrim e të fliste hapur edhe për emrat që ishin mbikëqyrës antinjerëzorë.
Ky përshkrim “pa doreza” hap një rrugëtim tejet të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, atë të hapjes së dosjeve. Edhe në qofshin të dëmtuara, të reduktuara, dosjet duhet të hapen, nëse nuk duam që ta kthejmë kokën me turp pas. Jo më shumë për të dënuar, por për të kuptuar atë që ka ndodhur e për t’u dhënë fund përrallave që mundohen të ringrenë ish-figurat famëkeqe të diktaturës përmes kujtimeve të tyre. Se duhet pranuar që, në mënyrë paradoksale, kujtimet kanë pasur mundësi financiare t’i botojnë ish-përfituesit e atij sistemi, ish-sigurimsat dhe ish-komunistët, e jo vuajtësit, pasi shumica e tyre ende është në mbijetesë, pas familjeve të shkatërruara, të syrgjynosura, të divorcuara e të përdhosura.
Kongoli, ashtu si Fatos Lubonja me “Ridënimin”, ka hapur një derë të rëndësishme të funksionimit të mbretërisë së frikës së shoqërisë shqiptare nën diktaturë, një frikë që fundosi njerëzoren deri në pikën e mosnjohjes së vetvetes. Por ndryshe nga At Zef Pllumi apo Ejll Çoba e Lubonja, që e kanë përshkruar çnjerëzoren edhe nga qelitë, Kongoli e ka përshkruar atë në një mbijetesë brenda sistemit. Madje, duke qenë në dy raste të jetës së tij edhe pjesë e ndëshkimit të të tjerëve. Në këtë pikë Kongoli ka mundur ta kapërcejë vetveten dhe të hedhë tej dyzimin. Të marrë kurajën, si shumë pak të tjerë, e të rrëfejë. Një rrëfim që u shërben brezave që, falë Zotit, nuk e kanë jetuar atë kohë. Por një rrëfim të cilin ne kemi detyrim ta dokumentojmë, nëse dëshirojmë që të mos ndërtojmë një shoqëri të gënjeshtërt, nëse dëshirojmë që t’i shohim fëmijët dhe gjyshërit tanë në sy.
Kongoli ka hapur një shteg të rëndësishëm, duke mos ngurruar të përfshijë vetveten në axhendën e absurdit të të ndëshkuarit të tjetrit. Për ta falënderuar atë në këtë leksion njerëzor, duhet të gjejmë kurajën për të shkuar më tej me njohjen e së djeshmes që vijon ende të qëndrojë si hije mbi të ardhmen e kësaj shoqërie.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura