Përplasen fizikisht drejtori i policisë dhe shefi i komisariatit në Kukës. Çela për “Panorama Online”: S’ka patur dhunë, debat normal. Huti: Shefi më ofendoi, Çakos i kërkova t’më transferojë

Apr 4, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Drejtori i Policisë së Kukësit dhe kreu i komisariatit të këtij qytetit janë përfshirë në një konflikt mes tyre që ka degjeneruar në konfrontim fizik mbrëmjen e djeshme në ambientet e Drejtorisë së Policisë Kukës, mësoi “Panorama Online” nga burime jozyrtare.

Drejtoria e Policisë Kukës

Nga këto burime u mësua se rreth orës 19:30 të së enjtes, Adriatik Huti, me detyrë shef i Komisariatit të Kukësit dhe Alban Çela, me detyrë drejtor i policisë së Qarkut Kukës janë konfliktuar ashpër mes tyre, fillimisht verbalisht, e më pas kjo përplasje ka degjeneruar në përdorimin e grushtëve mes njëri-tjetrit.

Konflikti ka ndodhur në zyrën e Çelës në ambientet e Drejtorisë së Policisë Kukës. 

Mbeten ende të qarta arsyet e këtij konflikti mes dy zyrtarëve të lartë të policisë së Kukësit. Por burime jozyrtare thanë se Huti dhe Çela janë thirrur me urgjencë mbrëmë në Ministrinë e Brendshme mbi ngjarjen e rëndë. 

Drejtori i Policisë Kukës për “Panorama Online”, Çela: S’ka patur dhunë, por vetëm kemi debatuar 

Drejtori i policisë së Kukësit, Alban Çela i kontaktuar me telefon nga “Panorama Online” mohoi të ketë patur konfrontim fizik mes tij dhe shefit të komisariatit, Adriatik Hutit.

“Me personin kam marrëdhënie tepër normale pune. Thjesht një debat, siç mund të keni ju debate me eprorët apo vartësit. Debatet janë pjesë normale e çdo pune. S’ka dhunë, as përplasje….”, tha Çela.

Çela tha se është në krye të detyrës. “Jam në krye të detyrës. Ndihem keq nga lajmi”, tha ai.

Zoti Çela dje rreth orës 19:00 a jeni takuar në zyrën tuaj me zotin Hutin dhe çfarë ka ndodhur? 

Unë takohem përditë me 100 veta…S’ka patur asnjë dhunë, kam përgjegjësi ligjore për këtë që po them. 

A jeni thirrur me urgjencë në Ministrinë e Brendshme mbrëmë ose sot? 

Jo, unë jam në detyrë. Edhe dje edhe sot. Jam transparent.  Se di pse doli e nga kush ky lajm, që është sulm ndaj institucionit…Ne punojmë, kemi edhe lodhje…stres! Por s’ka patur asgjë për të përbërë lajm!


Shefi i komisariatit të Kukësit flet për “Panorama Online”, Huti: Çela më ofendoi, vura në dijeni Çakon 
 

Shefi i Komisariatit të Kukësit, Adriatik Huti, i kontaktuar me telefon nga “Panorama Online” ka sqaruar atë se çfarë ka ndodhur mbrëmë në zyrën e eprorit të tij, Alban Çelës.

Zoti Huti a ka patur një konflikt mes teje e zotit Alban Çela?

Debat verbal ka patur ditën e djeshme për hir të së vërtetës. Pastaj ai kaloi në ofendime dhe u tregua denigrues.

I thashë: Nuk pranoj të më ofendosh, nuk lejoj.

Pastaj i thashë që do të njoftoj për këtë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.

Çfarë ndodhi më pas zoti Huti? 

Më pas ai nuk më lejoi, më tha: S’do shkosh, s’të lejoj unë. Unë jam që të jap leje ose jo…

Por arrita lashë takim dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë pranoi t’më takonte. U takova me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe i thashë  që unë jam në këtë gjendje…

Për çfarë gjendje e keni fjalën?

Nuk duroj fyerjet dhe i kërkova të më çojë në një tjetër detyrë.

Me zotin Çela jeni konfrontuar fizikisht?

S’jemi rrahur. Ne jemi të dy intelektualë, me shkollë…, vijmë nga familje intelektuale dhe kemi mbi 20 vite në polici. 

U takuat me zotin Haki Çako në Tiranë?

Po me atë që është tani drejtor i Përgjithshëm…

Çfarë ju tha?

Më tha që do të verifikojë e sqarojë ngjarjen…

Ju jeni rikthyer sot në punë?

Po, po jam në punë…

Keni patur kontakt pas ngjarjes së mbremshme me zotin Çela?

Ai i qëndron versionit tjetër…

Cilit?

Variantit të parë…Por rrahje s’ka patur!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura