Konflikti si pasojë e kriminalizimit politik

Mar 27, 2015 | 12:11
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ISLAMI

   Situata politike në Shqipëri është ekstremisht e tensionuar dhe marrëdhëniet e maxhorancës me opozitën e institucionet kushtetuese karakterizohen nga konfliktualiteti i lartë. Hapja e negociatave për anëtarësim në BE duket larg; përveç mosplotësimit të objektivave të përcaktuar në 5 shtyllat, një nga kërkesat themelore, dialogu politik midis maxhorancës e opozitës mbetet sfida kryesore. Dialogu politik jo vetëm mungon, por ai është i zëvendësuar nga konfliktualiteti i lartë, në rritje, jo vetëm midis maxhorancës e opozitës, por edhe midis maxhorancës e institucioneve kryesore të shtetit. Shtrohet pyetja: përse ka një konflikt kaq të lartë politik dhe përse maxhoranca ka synuar të marrë me shpejtësi drejtimin e pothuajse te gjithë institucioneve kushtetuese apo kryesore, duke i vënë ato nën kontroll të plotë, përmes dhunimit të Kushtetutës, kurse me disa institucione të tjera është futur në konflikt dhe i bën presion për t’i nënshtruar apo orientuar sipas interesave të saj? Përgjigjja është e thjeshtë: ndërkohë që gjatë 25 vjetëve arsyeja e kësaj situate lidhej me korrupsionin, trafiqet dhe krimin e organizuar, që prej 23 qershorit kësaj bashkësie arsyesh i është shtuar edhe prezenca e krimit në Parlament, pra të bërë njësh me politikën. Rritja e konfliktualitetit politik është bërë në përpjesëtim të drejtë me rritjen e kriminalizimit politik e anasjelltas. Është e pamundur që të ketë dialog midis maxhorancës të kriminalizuar dhe opozitës e institucioneve të shtetit. Maxhoranca e kriminalizuar është arrogante me opozitën e institucionet kushtetuese dhe së fundmi ka filluar të shfaqet arrogante, ofenduese, cinike e agresive edhe me përfaqësuesit apo institucionet e BE…
1) Sjellja e maxhorancës të pas 23 qershorit 2013…
Maxhoranca e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit ka demonstruar gjatë të gjithë periudhës një tendencë të vazhdueshme për i) konflikt me institucionet kushtetuese, ii) ndërhyrje dhe imponim të vullnetit të saj në funksionimin e tyre, iii) dobësim, tkurrje e marrje të kompetencave të Presidentit të Republikës dhe të institucioneve të tjera kushtetuese përmes miratimit të ligjeve me shumicë të thjeshtë, iv) mosrespektim e shpërfillje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; v) shkatërrim në disa raste të mekanizmit të kontroll-balancës të përcaktuar në Kushtetutë për marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Presidentit apo edhe me institucionet e tjera kushtetuese; v) emërime në krye institucioneve kushtetuese, në shkelje të hapur të Kushtetutës së individëve klientelistë të kësaj maxhorance. Teknologjia e vënies nën kontroll ka qenë e njëjtë: i) sulm mediatik mbi drejtuesin e institucionit kushtetues për detyrimin e tyre për dhënie të dorëheqjes apo vetëlargim; ii) dërgimi i një “grupi të kontrollit” të tipit koreano-verior në institucionin kushtetues me deputetë të maxhorancës dhe hartimi, në dhunim të Kushtetutës, të ligjit përkatës të organizimit të institucionit kushtetues apo Rregullores së Kuvendit, të një raporti për shkarkimin e drejtuesit të institucionit; iii) shkarkimi i drejtuesit të institucionit në dhunim të Kushtetutës, shpërfillje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese apo ligjit përkatës dhe procedurës parlamentare; iv) dhe, së fundmi, ndryshim i ligjit të emërimit të drejtuesit të institucionit kushtetues, duke i marrë kompetencat Presidentit. Kjo ka ndodhur me pothuajse të gjitha institucionet kushtetuese dhe ato kryesore, të tilla si INSTAT, ILDKPKI, KLD, AMA, madje qëllimi është realizuar që në vitin e parë të qeverisjes.
2) Arsyeja themelore e konfliktualitetit politik në Shqipëri…
Gjatë 24 vjetëve, Shqipëria është karakterizuar nga një luftë politike e ashpër dhe nga një konflikt i fortë midis institucioneve vazhdimisht në rritje. Arsyeja themelore e kësaj lufte të ashpër politike ka pasur një shpjegim: pasurimin e paligjshëm përmes korrupsionit, trafiqeve, e krimit të organizuar. Që nga 23 qershori 2013, këtyre elementeve u janë shtuar: veshja e krimit dhe bartësve të parave të dyshimta me kostum politik, pra instalimi i krimit dhe oligarkisë në Kuvend, administratë e në institucionet e shtetit. Kjo ka bërë që konfliktualiteti politik të arrijë nivelin maksimal. Konkretisht, problemi më shqetësues aktualisht lidhet me ekzistencën e një maxhorance, në përbërje të së cilës ka individë me rekorde kriminale, profile oligarkike dhe të trafikuar nga radhët e opozitës përmes joshjeve korruptive. Media e analistët klientelistë, monopolet e bizneseve të dyshimta, të fortët dhe individët nga bota e krimit, janë pjesë e kësaj amalgame të oligarkisë e banditizmit. Pas 23 qershorit, kjo amalgamë ka bërë përpjekje maksimale për të vendosur me shpejtësi nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit, veçanërisht sistemin e Drejtësisë dhe paralizuar apo kontrolluar mekanizmat e shoqërisë civile.
3) Funksionimi shqetësues i Kuvendit…
Kuvendi ka qenë një nga vendet ku konfliktualiteti politik është shfaqur në mënyrë të qartë. Pas 23 qershorit 2013, këtij konfliktualiteti i janë shtuar kërcënimet fizike dhe së fundmi edhe programimi apo planet e vërteta a të “sajuara” për vrasje të deputetëve. Më konkretisht, mund të thuhet se funksionimi i Kuvendit që në fillim të këtij mandati ka qenë dhe vazhdon të mbetet problematik dhe i karakterizuar nga konfliktualiteti ekstrem. S’bëhet fjalë në asnjë rast për përpjekje nga maxhoranca për të ndërtuar një proces përfshirës me opozitën dhe vendimmarrje konsensuale maxhorancë-opozitë, madje as për reformat e rëndësishme dhe ato integruese. Denigrimi dhe shtypja e opozitës kanë karakterizuar veprimet e maxhorancës. Prej 6 muajsh opozita bojkotoi Kuvendin. Bojkot i cili erdhi për shkak të disa veprimeve të maxhorancës, që kishin të bënin me përjashtimin e opozitës nga miratimi me shumicë të cilësuar të reformave integruese dhe mohimi i së drejtës kushtetuese për hetim parlamentar, veprime të cilat kulmuan me sulmin fizik dhe kërcënimin fizik të deputetëve të opozitës. Së fundmi, për shkak të një ngjarjeje shumë të rëndë në gjirin e maxhorancës, e mbajtur e fshehtë prej 6 muajsh, funksionaliteti i Kuvendit është rikthyer në pikën minimale, debati është shkatërruar, Rregullorja është shkelur, klima është tejet e tensionuar, madje seancat e fundit janë zhvilluar tërësisht në prezencë të rojeve të sigurisë, duke krijuar te publiku imazhin e një Kuvendi të rrënuar.  
4) Marrëdhëniet e tensionuara të maxhorancës me Presidentin…
Maxhoranca aktuale është përpjekur gjatë të gjithë kohës të i) denigrojë figurën e Presidentit, ii) të reduktojë apo eliminojë kompetencat kushtetuese të Presidentit përmes ndryshimeve ligjore të miratuara me maxhorancë të thjeshtë; iii) të mos pranojë të konsultohet me Presidentin për emërimin/shkarkimin e drejtuesve të institucioneve kushtetuese, madje të refuzojë kandidaturat e propozuara në respekt të Kushtetutës nga Presidenti e të tjera. Maxhoranca ka hedhur poshtë 5 herë kandidaturat e propozuara nga Presidenti për anëtarë të KLD dhe ka kthyer mbi 10 herë ligje për të cilat Presidenti ka vendosur veton, të tilla si ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Ndarjen Territoriale, për Shërbimin Civil, të cilat janë ligje që miratohen me maxhorancën e cilësuar prej 3/5 të votave të Kuvendit, si dhe Ligjin për ILDKPKI apo kërkojnë konsensusin e opozitës. Kompetencat kushtetuese të Presidentit janë cenuar edhe për sa u përket emërimeve dhe gradimeve në forcat ushtarake, përmes ndryshimeve ligjore antikushtetuese. Shumë i rëndë është fakti që sa herë Presidenti reagon sipas Kushtetutës, drejtues, deputetë apo zëdhënës së maxhorancës aplikojnë një retorikë ofenduese e denigruese ndaj Presidentit, e shoqëruar kjo nga një “bateri” sharjesh e ofendimesh nga gazetarët e analistët klientelistë.
5) Vënia nën kontroll e institucioneve kushtetuese…
Disa nga institucionet kryesore dhe më të rëndësishme kushtetuese, të tilla si KLD, ILDKPKI, AMA apo Gjykata e Lartë,  janë vendosur që në vitin e parë të mandatit qeverisës nën kontrollin e maxhorancës duke shkarkuar/zëvendësuar drejtuesit e tyre përmes teknologjisë së demaskimit mediatik, veprimeve antiligjore e antikushtetuese, duke anashkaluar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, madje në disa raste (KLD, ILDKPKI) maxhoranca ka ndryshuar edhe ligjin përkatës të institucionit kushtetues, duke shkatërruar mekanizmin e kontroll-balancës dhe dhënë kompetencën e emërimit të drejtuesve të tyre maxhorancës parlamentare dhe shmangur Presidentin në emërimin e drejtuesit të tyre.
KLD. Një nga qëllimet kryesore të kësaj maxhorance, që në ditët e para të konstituimit të saj, ka qenë vënia nën kontroll e KLD dhe e të gjithë sistemit të Drejtësisë. Konkretisht, gjatë kësaj periudhe i) maxhoranca ka refuzuar kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës për në KLD, pa dhënë arsye të qenësishme dhe ii) më tej ka ndryshuar në shkelje të Kushtetutës ligjin për Gjykatën e Lartë, duke ndërhyrë në kompetencat e Presidentit për përzgjedhjen e gjyqtarëve. Në mesin e muajit dhjetor 2014, maxhoranca miratoi me nxitim dhe pa asnjë konsultim paraprak disa ndryshime në ligjin për Gjykatën e Lartë, duke ndërhyrë në mënyrë antikushtetuese në veprimtarinë e Presidentit të Republikës për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pas vlerësimit, Presidenti i Republikës e riktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin, duke argumentuar në mënyrë të plotë arsyet mbi nevojën e rishikimit të tij. Opozita parlamentare kërkoi që miratimi i ligjit të pezullohet dhe ai t’u nënshtrohej diskutimeve në Komisionin e posaçëm parlamentar për realizimin e Reformës në Drejtësi, duke qenë se reformimi i Gjykatës së Lartë është një nga shtyllat e kësaj reforme. Mirëpo, me arrogancë dhe pa bërë asnjë përpjekje për konsensus me opozitën parlamentare, pavarësisht parashikimeve të pikës 1 të rezolutës së datës 24 dhjetor 2014, deputetët e maxhorancës miratuan në janar 2015, duke shpërfillur opozitën, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë.
AMA. Që me ardhjen në pushtet, maxhoranca tentoi të vendoste nën kontroll Autoritetin  e Medias Audivizuale. Një nismë fillestare ishte ajo e deputetit të maxhorancës, zotit Peza, e cila ndeshi në kritikat e forta të opozitës dhe u tërhoq edhe pas vërejtjeve të OSBE e të Komisionit Europian. Më tej u krye një studim i titulluar INDIREG në emër të BE për të përcaktuar de jure dhe de facto pavarësinë e kësaj agjencie rregullatore të medias. Metodologjia e përcaktuar në këtë rast konsideronte shkelje të rëndë të pavarësisë shkarkimin apo zëvendësimin e drejtuesit të këtij institucioni me ndryshimin e maxhorancës në Kuvend. Por, drejtuesit e maxhorancës, ndonëse tërhoqën “amendamentin Peza” dhe i dhanë në dukje konsensus studimit të BE, ndërmorën tinëzisht veprimin për shkarkimin e drejtuesit të AMA përmes një rruge të tërthortë dhe emëruan në vend të tij një individ që kishte punuar në një nga mediat klienteliste të maxhorancës, duke vënë nën kontroll edhe këtë institucion rregullator të medias.
Pavarësia dhe funksionimi normal i Prokurorisë janë të kërcënuara. Gjatë javëve të fundit edhe Prokuroria është vendosur nën kërcënimin e maxhorancës. Me bërjen publike të çështjes Doshi, e cila është një çështje tërësisht e brendshme e maxhorancës, funksionimi normal dhe i pavarur i Prokurorisë është kërcënuar sepse i) deputeti i maxhorancës, Doshi, e ka akuzuar prokurorin e Përgjithshëm për anësi në trajtimin e kësaj çështjeje dhe nxjerrje të informacioneve në publik në favor të zyrtarëve të lartë; ii) Prokurori i Përgjithshëm është thirrur dy herë në Kryeministri në prezencë të personave të akuzuar apo që duhet të dëshmonin për ngjarjen, të kryetarit të Kuvendit, ministrit të Brendshëm, Kryeministrit  dhe të kryetarit të Komisionit të Sigurisë; iii) media pranë maxhorancës ka bërë publike shumë informacione që janë grumbulluar në mënyrë konfidenciale nga Prokuroria në këtë fazë të hetimit.
6) Në vend të përfundimit…
Krimi është bërë njësh me politikën, në Kuvend, administratë dhe institucionet e rëndësishme. Për këtë arsye, konfliktualiteti politik s’është ulur, ndërkohë që duhej të ndodhte e kundërta në një vend të NATO-s e kandidat të BE. Madje, arroganca, ofendimi, cinizmi e agresiviteti janë shtrirë edhe në marrëdhëniet e komunikimin me përfaqësuesit apo institucionet e rëndësishme partnere. Arsyeja është e thjeshtë: Në Kuvend gradualisht krimi është bërë njësh më politikën. Prandaj sfida e dekriminalizimit është po aq e rëndësishme dhe e vështirë, sa vetë rrëzimi i diktaturës komuniste apo sfida e antikorrupsionit. Shqipëria mund të bëhet një vend me demokraci liberale, vetëm nëse kalon me sukses edhe fazën e tretë të tranzicionit demokratik, atë të procesit të dekriminalizimit, i cili duhet të kryhet i plotë, i thellë dhe i pakthyeshëm…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura