Rama: Mosintegrimi i Ballkanit, tragjedi edhe e BE-së. Merkel: Integrimin nuk e vonojmë ne, por standardet

Jul 9, 2015 | 8:17
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Në përfundim të takimit 80 minuta mes dy delegacioneve, Rama dhe Merkel iu drejtuan sallës së konferencave, e cila në sfond kishte një vepër të një artisti gjerman ku duken dy duar të shtrënguara.

Rama dhe Merkel ne konference shtypi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka deklaruar në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama se nuk është BE-ja ajo që po e vonon procesin e integrimit të Ballkanit, por janë standardet dhe kushtet e paplotësuara nga këto vende.

Në këtë mënyrë, kancelarja gjermane i është përgjigjur kryeministrit Rama, i cili kohët e fundit ka lëshuar deklarata kritike ndaj BE-së.

Merkel tha se BE-ja e do Ballkanin në gjirin e saj, por ka disa kushte dhe standarde për t’u plotësuar.

“Në momentin që diskutohet për procesin e anëtarësimit në BE dëgjoj të thuhet se BE-ja po e ngadalëson procesin në mënyrë të qëllimtë. Është në interesin tonë që vendet e Ballkanit të kenë një perspektivë të qartë drejt anëtarësimit në BE.

Kjo ka të bëjë me kredibilitetin që kemi për këto vende. Duhen plotësuar disa kritere dhe standarde, të cilat përcaktohen nga Komisioni Europian dhe jo nga ne”, ka thënë Merke.

Më tej kancelarja gjermane ka folur edhe për azilkërkuesit, ku deklaroi se shqiptarët që kërkojnë azil në Gjermani nuk do të trajtohen si azilantë. Ajo tha se Gjermania ka nevojë për fuqi punëtorë të specializuar dhe Shqipëria është një vend që mund të ofrojë të tillë.

Gjithashtu, Merkel foli edhe për marrëdhëniet në Ballkan ku shprehu kënaqësi që Shqipëria dhe Serbia kanë nisur t’i shkrijnë akujt. 

Në fjalën e tij kreu i qeverisë shqiptare tha se “E dinë të gjithë se sa shumë çështje dhe sa shumë njerëz kërkojnë kohë prej saj. Kriza e thellë në Greqi dhe sfidat brenda BE-së, problematika e emigracionit, të gjithë duan të dinë opinionin e Kancelares gjermane.

Ajo vijon të tregojë jo vetëm një vëmendje të veçantë por mbi të gjitha një kuptim të thellë të çështjeve të rajonit tonë. Kancelarja i kupton vështirësitë tona për të sjellë ndryshimet e dëshiruara”.

Sipas Ramës “ne patëm një diskutim të shkëlqyer në atmosferën e miqësisë, të mirëkuptimit, të cilën Kancelarja Merkel ka aftësinë ta krijojë. Kjo ishte hera e tretë brenda më pak se një viti që më jepet kjo mundësi. Kancelarë në emër të të gjithë shqiptarëve dua tu them faleminderit për mbështetjen që ju dhe Gjermania i jepni Shqipërisë”. 
 

KONFERENCA PYETJE-PERGJIGJE 

 E nderuara Kancelarja Merkel, Shqipëria ka një vit që ka marrë statusin e vendit kandidat. Gjatë kësaj kohe, qeveria e Kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë një sërë reformash, ndërsa politika e jashtme e Shqipërisë në raport me rajonin dhe më gjerë ka qenë pothuajse në të njëjtën gjatësi vale me Bashkimin Europian. A mendoni se ka ardhur momenti në përcaktimin e një afati për rekomandimin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim?

Kancelarja Angela Merkel:

Në fakt nuk jemi duke përcaktuar afate të qartë në këtë proces. Ajo çka na e përcakton ritmin është përmbushja e standardeve apo të qëllimeve dhe të objektivave. Që prej momentit të dhënies së statusit të vendit kandidat duhet të përpunohet një program i caktuar dhe arritja e standardeve të caktuara, duhet hartuar një plan i caktuar masash dhe veprimesh. Këtu ka prioritete të caktuara, të cilat nuk i vendos unë, por është Komisioni Europian, ai që  vendos nëse Shqipëria i ka përmbushur kushte apo prioritete të caktuara. Më lejoni të përmend, për shembull, prioritetin e reformës në sistemin e drejtësi. Janë bërë në fakt progrese në këtë drejtim, por nuk është realizuar në mënyrë të plotë. Sigurisht që Komisioni Europian i kushton rëndësi realizimit të plotë  dhe më pas, edhe faktit nëse ajo çka është në letër zbatohet në mënyrë të plotë. Unë e di tanimë që shumë vende presin që ky proces të shkojë përpara dhe thonë pse zgjatet kaq shumë ky proces. Por do të doja t’i siguroja se ky nuk është një proces që ne e ngadalësojmë në mënyrë artificiale. Ne duam anëtarësimin e vendit tuaj dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por është një proces, i cili vlerësohet herë pas here, në momente të caktuara. Gjithsesi, në përgjithësi mund të them se Shqipëria ka bërë progres mjaft të mirë.

  Zoti Kryeministër, a ka qeveria ndonjë strategji të posaçme për ta përshpejtuar procesin e çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian?

Kryeministri Edi Rama:

Duke mbështetur plotësisht atë që sapo shpjegoi Kancelarja dhe duke pasur në tryezën tonë të punës të gjithë listën e kërkesave që duhet të plotësojmë bazuar në pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Europian, ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë, që në fund të vjeshtës së këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha, përfshirë edhe paketën e reformës në drejtësi, që do t’i kalojë parlamentit për miratim si një nga reformat më rrënjësore të bëra ndonjëherë në Shqipëri, prej çerek shekulli tanimë. Në atë moment na lind  e drejta të përkojmë një datë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE. Unë jam i bindur që përsa na takon, ky është një proces që në radhë të parë, vlerën e ka këtu dhe e ka për ne. Gjithçka që po bëjmë nuk janë detyra që i bëjmë se na i kërkojnë në Bruksel, por janë detyra që i vlejnë modernizimit të shtetit dhe demokratizimit të shoqërisë këtu tek ne. Me të kaluar në fazën kur ne do të kemi përmbushur të gjitha detyrat, unë kam bindjen që Kancelarja do të jetë e para që do të na mbështesë për të hapur negociatat.

 Zoti Kryeministër, në Europë diskutohet momentalisht më pak për zgjerimin e BE-së, sesa për ndarjen e vendeve të caktuara, konsideruar këtu, Britaninë  e Madhe apo Greqinë, si dhe për zgjidhjen e problematikave të caktuara si ajo e refugjatëve, çka duket se në Europë nuk duket se po bëhet më e lehtë. Sa të besueshme e quani perspektivën e BE që ju ofrohet?

Kryeministri Edi Rama:

Së pari, unë besoj se perspektiva e BE-së nuk është një perspektivë e ndarë për vendet që janë sot në BE dhe për vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, por është një perspektivë e përbashkët. ashtu Sikundër besoj që integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është thjesht dhe vetëm një nevojë e jona, por është gjithmonë e më shumë edhe një nevojë e BE-së si projekt i paqes, si projekt i sigurisë dhe si projekt i mirëqenies së përbashkët. Nuk besoj që ka mendje normale në BE që duan ta shohim kufirin e konfliktit dhe të kërcënimit nga palë  të treta në anën tjetër të Adriatikut dhe ta lënë Ballkanin, si një zonë ku sot kemi në kushtet më të mira që kemi qenë ndonjëherë, vetëm sepse kemi shtypur të gjithë një fjalë kyç, që është Europa. Por nesër, nëse ne e humbasim këtë fjalë kyç, atëherë jo nuk është keq vetëm për fëmijët tanë, por është keq edhe për fëmijët tuaj, nuk do të ishte tragjedi vetëm për Ballkanin, por për gjithë Europën. Nga ana tjetër, për të qenë i sinqertë deri në fund, unë e di që dukemi pak si jashtë mode, ne në Ballkan, që duam të hyjmë me çdo kusht në BE, ndërkohë që ka të tjerë që duan të dalin. E kuptoj këtë, por ne preferojmë të jemi jashtë mode, sesa t’i bashkohemi një vale antieuropiane, që është një valë për të dalë nga historia. Për të dalë nga historia dhe për të shkuar në një drejtim tërësisht të paditur. Për më tepër, unë besoj që pavarësisht turbullirave të sotme, ka gjithmonë një moment për t’u tërheq pak mbrapa dhe për të bërë një pyetje të thjeshtë; Europa është një forcë për mirë, apo është një forcë për keq. Besoj që të paktën unë e di përgjigjen dhe një pjesë e rëndësishme e përgjigjes është Kancelarja e Gjermanisë.

Nga ana tjetër për sa i takon çështjes së migrimit, kjo është një çështje që po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha dhe kërkon një përgjigje gjithmonë më të përbashkët. Por në në shkallën tonë modeste ne mund të themi dy gjëra; Së pari jemi në bashkëpunim intensiv qoftë me Gjermaninë, qoftë me vende të tjera për të dekurajuar çdo prurje të kësaj natyre nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.

Edhe ne e kërkojmë nga Gjermania atë që ju pyetët lidhur me origjinën e sigurtë, sepse do të ishte dekurajimi më i mirë. Por nga ana tjetër, kemi folur me Kancelaren që paralelisht na duhet tu japim njerëzve një perspektivë, qoftë të natyrës politike dhe kjo është çelja e negociatave të Shqipërisë që do të shënonte përfundimisht dështimin e të gjithë propagandës armiqësore kundër BE, se Shqipërinë dhe shqiptarët BE i refuzon, pasi nuk janë kristianë, por janë të përzier. Nga ana tjetër do të ndihmonte që për të rinjtë të ishte e hapur perspektiva për shkuar në Gjermani, si forcë e kualifikuar pune, qoftë si infermier, qoftë si IT, qoftë siç kërkohet në tregun gjerman. Kjo është rruga dhe për këtë rrugë ne do të punojmë së bashku me Gjermaninë dhe me vendet e tjera të BE. Pra përgjigja nuk është unilaterale, por është komplekse. Më shumë bashkëpunim për siguri dhe më shumë bashkëpunim për ekonomi.

 Zonja Kancelare, sipas përshtypjes që ju keni fituar deri tani, sa janë shanset për ta karakterizuar Shqipërinë vend të origjinës së sigurt?

Kancelarja Angela Merkel:

Ne kemi folur rreth problematikës së azilkërkimit. Ka një bashkëpunim mjaft të mirë midis ministrive të brendshme në këtë drejtim, sikurse mes ministrit shqiptar dhe ministrit gjerman të punëve të brendshme. Nuk besoj se do të kishim gjë kundër në qoftë se Shqipëria do të kategorizohej si vend i origjinës së sigurt. Unë personalisht, qeveria federale nuk do të kishim gjë kundër kësaj, vetëm se duhet të jetë e realizueshme dhe e bazuar në bashkëpunim me landet federale. Ne duam të veprojmë, në mënyrë praktike, sa më shpejt në mënyrë që aplikimet për azilkërkim të mund të përpunohen, pra në një farë mënyrë që të rrëzohet ai efekti tërheqës i qytetarëve shqiptarë në Gjemani, duke iu ofruar atyre vende pune apo shërbime të caktuara. Mendoj se në qoftë se kjo procedurë do të shkurtohet, kjo do të japi efektet e duhura. Këtu jemi duke ndjekur të njëjtën linjë të punës sonë. Duke dëgjuar edhe fjalët e zotit kryeministër , mua më duket diçka e mirë që të flasim hapur rreth këtyre gjërave, sepse nuk mund të ndodhë që, nga njëra anë të bëjmë kërkesën për anëtarësim në BE dhe nga ana tjetër të kemi qytetarë të vendit tonë të cilët kërkojnë azil në vendet e Evropës Perëndimore. Praktika ka treguar që mund të diskutohet për një vend të origjinës së sigurt në rastin e Shqipërisë.

 Zonja Kancelare është i dukshëm vullneti që ju keni treguar për të mbështetur rajonin  e Ballkanit dhe këtë e keni treguar edhe me organizmin e Konferencës së Berlinit vitin e shkuar. Por ndërkohë pas kësaj konference të gjitha vendet e rajonit kanë hartuar projekte të përbashkëta të cilat duan mbështetje financiare. A ka konkretisht një projekt financiar për të mbështetur këto projekte të vendeve të rajonit apo do të mbetet në fatin e buxheteve të këtyre vendeve. Meqë jemi tek mbështetja financiare, ekonomia e Shqipërisë është një ekonomi që mbështete direkt nga kriza greke. A ka dhe për këtë një plan mbështetës financiar për Shqipërinë? Në fund të një kuriozitet ballkanik nëse ka mundësi. Të gjithë rajonet e kanë një lider edhe pse jo të zgjedhur, të gjithëpranuar. Ju sigurisht, zonja Kancelare jeni liderja e gjithëpranuar e Europës. Po Ballkani ka në këndvështrimin tuaj një lider që i përmbush këto cilësi? Sepse duket sikur ka një preferencë nga ana juaj për dy nga kryeministrat e rajonit të Ballkanit, zotin Rama dhe zotin Vuçiç. A është njëri nga këta të dy lideri i Ballkanit në këndvështrimin tuaj.

 Kancelarja Angela Merkel:

Nuk ka një lider në Evropë që të jetë kompetent për të gjitha çështjet. Ka kryetarë komisionesh, ka shefa qeverish, drejtues shtetesh dhe mendoj qe e njëjta gjë vlen edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Është e arsyeshme që të ndodhë kështu. Ka projekte konkrete që janë marrë në kuadër të konferencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, ai i autostradës, përgjatë bregut Adriatiko-Jonian. Kemi diskutuar edhe rreth kësaj pike se si mund të realizojmë. Sigurisht që ka konceptime të caktuara për sa i përket mbështetjes financiare të kombinimit të fondeve të BE me fonde të tjera. Sigurisht që gjatë seancës tjetër konferencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të diskutojmë rreth këtyre mundësive. Mesazhi im është që edhe pse nuk është dikush që të jetë kompetent për të gjithë rajonin, kompetent apo përgjegjës është demokracia që garanton lindjen e projekteve të mira të bashkëpunimit.

Referuar pyetjes së mëparshme, në Shqipëri jetojnë shumë myslimanë, por po kështu edhe në Gjermani jetojnë shumë myslimanë. Kështu që mendoj se perceptimi i mosdashjes së përfshirjes së popujve myslimanë në BE  është totalisht i gabuar. Jemi angazhuar në mënyrë të fuqishme për integrimin e emigrantëve të ndryshëm. Nuk duhet të ketë asnjë lloj shqetësimi publik lidhur me këtë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura