Koncesioni në Portin e Durrësit, KLSH: Abuziv, dëm 16.9 milionë euro

May 31, 2014 | 12:46
SHPËRNDAJE

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar Autoritetin Portual Durrës dhe pas mbylljes së auditimit ka dalë në përfundimin se menaxhimi i keq i fondeve dhe zbatimet e gabuara të procedurave kanë sjellë një dëm 16.9 milionë euro. Shkeljet kryesore të renditura në raportin e KLSH përfshijnë procedurat e dhënies me koncesion të një pjese të aktivitetit të APD-së, zbatimin e kontratave me subjektet private që operojnë në Autoritetin Portual Durrës, prokurimet apo edhe administrimin e vlerave materiale financiare të APD-së. Por, përkundër renditjes që u bën KLSH shkeljeve të gjetura gjatë kontrollit, duket se ajo më kyçe është parregullsia e dhënies së koncesionit në Portin e Durrësit. “Nga auditimi i procedurave për dhënien me koncesion të një pjese të aktivitetit të APD-së, u konstatua që procedura e përgatitjes së dokumentacionit të tenderimit, zhvillimi i procedurave të tenderimit, kualifikimi dhe shpallja fitues, lidhja e kontratave me shoqëritë koncesionare, si dhe zbatimi i tyre, nuk kanë qenë konform dispozitave përkatëse ligjore. Si pasojë e këtyre veprimeve, në lidhjen e kontratave koncesionare nuk janë mbrojtur interesat e shtetit”, thuhet në raportin e KLSH-së. Ky institucion vëren se të ardhurat e krijua nga tarifat operacionale nuk kanë shkuar në përqindje të drejtë në llogari të arkës së shtetit. Lidhur me këto shkelje, nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë bërë edhe kallëzimet penale ku përfshihen ish-drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, katër ish-drejtorë të tjerë të drejtove përkatëse në këtë autoritet, si dhe katër nëpunës të Ministrisë së Transportit. Auditimi i kryer i KLSH përfshinte periudhën nga data 01.09.2010 deri më datë 31.10.2013.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura