Koncesioni Milot-Morinë, ofertat ekonomike në mes të shtatorit

Jul 3, 2012 | 13:23
SHPËRNDAJE

Ofertat ekonomike të operatorëve që kaluan fazën e parë në tenderin për mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë, pritet të hapen në mes të muajit shtator. Aktualisht këto kompani janë duke hartuar planet e tyre financiare, si dhe skenarët me parashikime mbi ecurinë e koncesionit për një periudhë afatgjatë, e gjithë kjo bazuar mbi studimin që IFC kreu për llogari të qeverisë shqiptare. Burime nga Ministria e Transporteve bëjnë me dije se negociata me këto kompani janë duke u zhvilluar në mënyrë intensive, për faktin që ky është koncesioni i parë i kësaj natyre që jep vendi ynë dhe, si i tillë, merr një rëndësi të veçantë. Nga ana tjetër, kjo duhet të shërbejë si eksperiencë për Ministrinë, e cila në një afat tjetër do të kalojë me koncesion edhe rrugë të tjera në vend, sikurse është deklaruar edhe më herët. Aktualisht menaxhimin dhe mirëmbajtjen e autostradës po e bëjnë tri kompani shqiptare, të cilat fituan tenderin e zhvilluar në prill të këtij viti, kontrata e të cilëve zgjat deri në nëntor të 2012-s. Kalimi i menaxhimit dhe mirëmbajtjes tek koncesionari pritet të jetë pak më vonë sesa nëntori, për vetë faktin që paraqitja e ofertave parashikohet të jetë diku nga messhtatori apo dhe pak më vonë. Në fazën e dytë kanë kaluar pesë kompani, të cilat janë bashkime kompanish në vetvete dhe një pjesë e mirë kanë kryer edhe më herët punime për llogari të qeverisë. Fillimisht në kalendarin e parashikuar për ecurinë e tenderit mendohej se korriku do të ishte muaji kur do të paraqiteshin ofertat ekonomike të operatorëve, por zgjatja e këtij afati lidhet me faktin që kompanive u është lënë kohë që të bëjnë më mirë llogaritë e tyre mbi koston reale që do të kenë menaxhimi dhe mirëmbajtja e autostradës, duke dhënë kështu edhe një ofertë ekonomike të bazuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura