Koncesioni i ri për skanimin, batutat me Canin e Tony Blair. Ministri citon Nard Ndokën, Ristani: U bë edhe Cani filozof

Jul 8, 2015 | 10:32
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ligjeve ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës rishikimin e kontratës me kompaninë amerikane “Rapiscan System”, e cila skanon kontejnerët dhe automjetet në pikat doganore.

Opozita ka abstenuar gjatë miratimit të marrëveshjes, duke theksuar se qeveria shqiptare i ka paguar 500 mijë euro kompanisë së gruas së Tony Blair për t’i dhënë si këshillë që të negociojë me kompaninë amerikane, e cila e kishte çuar çështjen në Arbitrazh.

Ministri Cani dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve

Deputeti i PD-së, Arben Ristani, tha se qeveria nuk është konsultuar me biznesin për skanerat e doganave, por e ka vendosur gjithçka vetë. Ai akuzoi ministrin Cani se ka gënjyer Parlamentin. Gjatë prezantimit, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se me rinegociomin e kontratës është ulur një kosto prej 180 milionë eurosh, ndërkohë që, nëse do të ishte humbur çështja në Arbitrash, qeveria shqiptare do t’i paguante kompanisë amerikane një dëm prej 360 milionë eurosh.

Cani ka kritikuar qeverinë e mëparshme, duke thënë se ka bërë gabim me kontratën e nënshkruar dhe votuar në Parlament. Gjatë debatit, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, ka shprehur kundërshtinë për miratimin kontratave të tilla koncesionare, duke thënë se skanimi i kontejnerëve duhet të bëhet nga shteti. “Të gjitha kontratat janë korrupsion i pastër në vlerësimin tim. Shteti s’mund të lëshojë kaq lehtë përgjegjësitë e veta në funksion të interesave të disa individëve”, tha Xhafaj.

BATUTAT
Deputeti i PD-së, Arben Ristani, ka ironizuar me ministrin e Financave, duke thënë se kanë shpenzuar 500 mijë euro për avokaturën e shtetit, vetëm që të mos e çojë çështjen në Arbitrazh, por të negociojë me kompaninë amerikane.

“Është paguar e shoqja e Tony Blair-it. Tani, para se ajo të merrte 500 mijë euro për t’ju thënë që mbylleni këtë histori, se nuk ecën më tutje. A nuk do ishte më mirë që të kishit negociuar vetë dhe t’ia kursenit popullit këto 500 mijë euro që harxhuat me gruan e Tony Blairit?”, tha deputeti i PD-së. Por, në përgjigje, ministri Cani tha se deputeti i PD-së po e ofendonte, çka u shoqërua me batutat e Ristanit: “Pse çfarë e ke Tony Blair-in ti?!. Më tej, deputeti bashkim Fino ka kaluar më batutë, duke thënë se ministri “e ka djalë xhaxhai”. Edhe deputeti Pandeli Majko ka ironizuar me Ristanin, duke thënë se ai nuk ishte shok i Tony Blair-it. Më tej, deputeti Bashkim Fino ka kërkuar sqarime nga ministri i Financave për kompaninë që ka fituar tenderin e skanimit të kontejnerëve, duke thënë se pas kësaj kontrate fshihen të afërm të përfaqësuesve të opozitës. Por ministri Cani nuk ka përmendur emra, duke cituar thënien e deputetit Nard Ndoka.

“Në këtë rast bie dakord me deputetin Nard Ndoka që duhet të jetë veprimtari armiqësore e deputetëve që e mbrojnë kontratën, kur ne i zbritëm 180 milionë euro nga qeveria”, tha Cani. Por përdorimi i argumentit të Ndokës është ironizuar nga Ristani, duke kujtuar faqen e famshme Facebook “Nard Ndoka Filozof”, duke vendosur emrin e ministrit, “Shkëlqim Cani Filozof”, çka shkaktoi të qeshura në sallë.

Të qeshura në sallë shkaktoi dhe deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, e cila kritikoi deputetët e opozitës të mos pinë verë para mbledhjeve, por Fatmir Xhafaj ironizoi duke thënë se deputetët i “dehu euro dhe shifrat e mëdha të kontratës”.

REPLIKAT TE LIGJET

Eduard Halimi: Sa para keni paguar rrugëve të Arbitrazhit këto dy vjet për të arritur asgjë…?!
Shkëlqim Cani: Ne kemi vetëm një kosto për të paguar që është ajo e firmës së Avokaturës së Shtetit, dhe pagesa duhet të jetë diku te 500 mijë euro apo 500 mijë paund. Kurse të gjitha kostot e tjera, Arbitrazhin e paguan pala amerikane dhe ne nuk paguajmë asgjë.
Arben Ristani: Thatë që keni bërë takime me biznesin, mund të na thoni kur dhe me cilin biznes jeni konsultuar?! Dhe kur do na i sjellin?
Shkëlqim Cani: Po, jemi konsultuar.
Arben Ristani: Nuk është e hijshme që të vish në Parlament dhe të gënjesh Parlamentin.
Shkëlqim Cani: Detyra ime është të sjell konsultimet. Dhe ju me thoni që gënjej. Kjo që bëni ju nuk është pyetje, por konkluzion.
Shkëlqim Cani: Kjo kontratë u bë e mbyllur, nuk merr “Rapiscan”-i mbi 200 milionë euro. Çfarë do të ndodhë në 15 vite, le të rritet numri i deklaratave…
Fatmir Xhafaj: Zoti ministër, mos fol më për kontrata me 100-ra miliona eurosh, se po u bie të fikët deputetëve. Po më shohin të gjithë në sy dhe nuk do të vijnë më në mbledhjet e komisionit këta pastaj…, do shkojnë të merren me këto kontratat…
Shkëlqim Cani: 100 deri në 180 milionë euro është kursimi konservator. Nuk e luan topi. Nga kontrata e vjetër me kontratën e re. Ekonomisë shqiptare i janë kursyer 180 milionë euro.
Arben Ristani: Ju thatë që Avokatura e Shtetit është paguar 500 mijë euro. Në dijeninë time, është paguar
kompania e Tony Blair-it 500 mijë euro. A mundet që ta rinegocioni këtë kontratë pa i dhënë Blair-it 500 mijë euro… Për t’ju thënë vetëm që nuk fitoni gjë me këtë çështje, por duhet të negocioni.
Fatmir Xhafaj: Sheri, Sheri Blair.
Arben Ristani: Avokatja, gruaja e Tony Blair-it…
Pandeli Majko: E ke shok ti Tony Blair-in?
Arben Ristani: Po ç’rëndësi ka, mor burrë? Rëndësi ka që është paguar e shoqja e Tony Blair-it. Tani, para se ajo të merrte 500 mijë euro për t’ju thënë që mbylleni këtë histori, se nuk ecën më tutje. A nuk do ishte më
mirë që të kishit negociuar vetë dhe t’ia kursenit popullit këto 500 mijë euro që harxhuat me gruan e Tony Blairit? 
Shkëlqim Cani: Ju e keni të lehtë kur ofendoni, ndërsa unë e kam shumë të vështirë.
Arben Ristani: Të ofendova? Pse, çfarë e ke Tony Blairin ti?
Bashkim Fino: Djalë xhaxhai…(Deputetët qeshin)
Fatmir Xhafaj: Duhet të jeni më të kujdesshëm, Tony Blair është një personalitet.
Arben Ristani: Unë s’e ofendova.
Shkëlqim Cani: Ju keni mësuar me këto lloj debatesh. Me ofenduat, se më thatë që gënjej. Ju jeni të shqetësuar për 500 mijë euro, por duhet thoni faleminderit për 180 milionëshin e eurove që qeveria u kurseu shqiptarëve…
Bashkim Fino: Dua të di kush e ka këtë biznes dhe pse nuk duan këta të opozitës tani që po ikën ky 180 milionë eurosh. Hë, si isha?
Petrit Vasili: Si shoku Enver në OKB ke fol…(qesh)
Shkëlqim Cani: Që ishte gabim kjo çështja e kontratës së hapur është e sigurt.
Arben Ristani: Po të jetë ministri juaj i Financave etaloni i të vërtetës, edhe e pranojmë.
Bashkim Fino: Po çojeni dosjen në prokurori, çfarë prisni?
Shkëlqim Cani: E kemi çuar dosjen. Në Prokurori është.
Arben Ristani: Gënjen se nuk ka përgatit asnjë dosje.
Nard Ndoka: Do ketë ndonjë grup armiqësor.
Shkëlqim Cani: Në këtë rast bie dakord me deputetin Nard Ndoka që duhet të jetë veprimtari armiqësore e deputetëve që e mbrojnë kontratën, kur ne i zbritëm 180 milionë euro nga qeveria.
Arben Ristani: Po tamam, Shkëlqim Cani filozof…(deputetët qeshin)
Fatmir Xhafaj: Zoti Halimi, keni fjalën!
Eduard Halimi: Atë e di unë…
Fatmir Xhafaj: Po, pse kot jam unë këtu?…
Eduard Halimi: Po kot je, dihet ajo. I lë mbledhjet pasdite.
Vasilika Hysi: Po mos pini verë ju! Do jeni mirë.
Fatmir Xhafaj: Do të plasë gallata këtu. Vazhdo, pra, fol për cilësinë e verës…
Oerd Bylykbashi: Zoti kryetar, bëhuni më seriozë.
Fatmir Xhafaj: Ju zuri euro më duket me gjithë këto shifra të mëdha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura