Koncerti kushtuar pianistes së parë shqiptare Lola Gjoka bën bashkë artistët

May 25, 2022 | 16:02
SHPËRNDAJE

Pianistja e parë shqiptare Lola Gjoka është një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor shqiptar. Një ditë më parë, artistët u bënë bashkë në koncertin kushtuar pianistes.

-800-0-628dc44b851c3

Këngë të mbledhura dhe të përpunuara prej saj, të përfshira në dy CD erdhën për një publik të zgjedhur, në sallën “Tefta Tashko Koço” në Ministrinë e Kulturës. Aktiviteti bëhet i mundur nën kujdesin e z. Përparim Kalo.

Këngët në këtë koncert u interpretuan nga sopranot Mariana Leka, Feride Gillesberg, Erinda Agolli, pjesëmarrës edhe artistët Gerald Murrja, Antonio Zefi, si dhe pianistja Rudina Ciko.

Tenori danez Stig Fogh Andersen ka ndihmuar projektin e regjistrimit të albumit muzikor.

Koncerti u zhvillua nën drejtimin artistik të mjeshtrit Zhani Ciko. E pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, që shprehet se kënduar nga breza të ndryshëm artistësh, këngët erdhën si një mesazh i përcjelljes së stafetës nga pedagogu te studentët.

“Përmes zërave dhe interpretimit të bukur të sopranos Marjana Leka, tenorit Gerald Murrja dhe baritonit Antonio Zefi, shoqëruar në piano nga prof. Rudina Ciko dhe drejtimin e maestro Zhani Cikos, nderuam sot figurën e pianistes së parë shqiptare, Lola Gjoka.

Ky aktivitet i sotëm është pjesë e homazhit që Ministria e Kulturës dhe bashkëpunëtorët tanë i bëjnë një brezi artistesh “të para”, që guxuan t’i dedikoheshin artit në kohëra të pazakonta”, shprehet ministrja e Kulturës.

Margariti vijon se disa muaj më parë u kontribuua në botimin e librit të aktores Tinka Kurti, ndër të parat aktore shqiptare; këtë vit u çua në Bienalen e Venecias e para grua shqiptare me një ekspozitë vetjake, Lumturi Blloshmi, ndërsa në datën 2 qershor do të përkujtohet regjisorja shqiptare Drita Agollin.

“Çdonjëra prej tyre ka vendosur një gur themeli në artin shqiptar”, thotë Margariti.

Një figurë e rëndësishme në historinë e artit

Pianistja Lola Gjoka ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve të para artistike, duke punuar me përkushtim paralelisht edhe në formimin e artistëve të rinj. Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, “Rusalka” dhe “Ivani Susanjin”.

Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për “Koncertet e majit” 1978.

Thesari më i çmuar që na ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes. Në aktivitetin e saj Lola Gjoka u vlerësua me çmimin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966 dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978, për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore. Lola Gjoka u lind më 22 maj të vitit 1910, në Sevastopol të Rusisë në një familje emigrantësh shqiptarë me origjinë nga Korça. U nda nga jeta më 6 tetor të vitit 1985 në Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura