Komisioni i Sigurisë apo rrezik kombëtar!

Sep 30, 2015 | 12:28
SHPËRNDAJE

piro_ahmetajGJENERAL PIRO AHMETAJ

   Paska thënë një burrë i mençur se çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Meqenëse emri im është “diskriminuar” jo 3 ditë, por 3 javët e fundit, për respekt të mijëra miqve, profesionistëve (jo të deformuar) brenda dhe jashtë vendit, si dhe për të qetësuar shtetarët, që u keq-devijuan/investuan te ndëshkimi i “armikut të fjalës” dhe jo me faktet dhe rreziqet që kërcënojnë përditë shoqërinë, më duhet të riqartësoj disa aspekte.

SË PARI
Ka pasur një “keqinterpretim” nga disa media në shërbim të oligarkëve për një “gjyq shembullor” të orkestruar nga ish-mbeturinat e Sigurimit të Shtetit, në lidhje me statusin në FB. Nuk kam thënë kurrë që më është vjedhur fjalëkalimi (password-i). Kam thënë që është deformuar në mënyrë kritike (p.sh. fjala pervers dhe emrat), me qëllim për të shtrënguar “radhët e partisë”, në betejën për “të ndëshkuar, denigruar dhe gjunjëzuar kurajën dhe integritetin profesional që “gjeneral- armiku” ka demonstruar në vijimësi. Dhe për të mos lodhur as “shtetarët e ndritur, si deputetët referencë”, po ricitoj: kam ndarë me miqtë e mi në FB rezerva për përbërjen dhe produktet e Komisionit të Sigurisë Kombëtare (në analizën time duket Rrezikut Kombëtar) në reformën në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Faktet janë vërtet “tronditëse”, Komisioni i Sigurisë drejtohet nga një ish-hetues “me eksperiencë të shquar?!”, sekretari është ish-drejtues dege i Sigurimit Kriminal të Shtetit; në përbërje ka deputetë të akuzuar për prostitucion; për vrasje, trafik, “bandit” që qëllon në Kuvend kolegun; deputeti që brenda strukturave të sigurisë publike; (!) me armën e shtetit qëllon si “terrorist” mbi bashkëqytetarët e vet, dhe disa mediokër që mbiemrin e kanë të ndryshëm, por nga vizioni janë më keq se rilindësi i ndritur Çuko! Në eksperiencën time në 27 vende anëtare dhe 20 vende partnere të NATO-s, një pjesë kaq të frikshme të KSK, nuk e gjej as në Bjellorusi dhe Korenë e Veriut.

Më tej, kam ndarë përgjegjësinë e këtij Komisioni në: deformimin e balancave të pushteteve; mungesën e konsensusit në votimin e paketës ligjore (73/140); skandalin/shpërdorimin propagandistik të objekteve, infrastrukturës dhe burimeve të mbrojtjes në FA; arrogancën me personelin dhe gjendjen e solidaritetit & kohezionit në FA, dhe renditjen “në fundin e listës së NATO-s për përmbushjen e angazhimeve ushtarake (p.sh. buxhet 0.84% GDP” etj. Asnjë problem individual s’kam pasur kurrë me askënd, as me “KKSK”, nuk kam përmendur as emra, as parti, pavarësisht se secili është vetakomoduar në “vendin e vet!”.

Meqë jemi këtu, nuk mundet ta lë pa përmendur se profesionalisht ndihem tërësisht “i zhgënjyer” nga pjesa tjetër e KS, që për “mungesë vizioni”, apo për të “kapitalizuar rehatinë”, nuk kanë “pipëtirë fare”, thua se çështjet e stabilitetit dhe sigurisë të jenë në fundin e listës së prioriteteve të këtij vendi. Në inventarin e marrëzive, si mitingjet te dera e SHQUP, një letër “Guinness!” në 2012 për sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës etj., do të shtohet edhe një “letër lajthitje”, me protagonistë të njëjtët autorë. Sqaroj, “letra e hapur” drejtuar ministres së Mbrojtjes, kryetarit të Parlamentit dhe Presidentit, nuk ka kaluar procedurat e rregullores së Kuvendit dhe kështu për nënshkruesin është një tjetër shpërdorim detyre që do të inventarizohet si një akt “diskreditues” shtesë në memorien e këtij Komisioni.

SË DYTI
Për akuzën e rëndë personale e ndiej detyrim të informoj publikun dhe këdo të interesuar se s’kam pasur asnjë lidhje të çfarëdolloj forme me ish-Sigurimin e Shtetit. Konfirmoj se kryetari i KSK dhe deputetët shpifë do të përballen në gjykatë për “shpërdorim dhe denigrim të figurës”. Në shkresën e dorëheqjes i kam kërkuar me përgjegjshmëri të plotë (pasojat përfshirë) kryetarit të Shtetit, të vërë në lëvizje mekanizmat institucionalë (SHISH) për të certifikuar pastërtinë e figurës time, jo vetëm për periudhën 21 muaj në këtë funksion, por që në ushtrimin e detyrave të larta shtetërore, si përfaqësues Ushtarak Kombëtar në NATO, zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm, dhe në 32 vjet në FA. Po ashtu, rikonfirmoj se nuk kam qenë hetues apo drejtues dege në strukturat e krimit të regjimit komunist dhe shtoj me krenari se unë edhe familjarët e mi nuk kemi pasur asnjë lidhje me oligarkët e dixhitalizuar, me bandat kriminale, me trafikantët, banditët, dhe kontrabandistët.

SË TRETI
Dëshiroj ta bëj publike, vetëm një shqetësim: në letrën e dorëheqjes i kam kërkuar ndërhyrjen e Presidentit, në cilësinë kushtetuese të komandantit të Përgjithshëm, të investohet institucionalisht që: të gjitha ngarkesat politike, sjelljen me dy standarde dhe arrogancën e KS dhe Ekzekutivit, në adresën institucionale dhe personale, të mos transferohet tek ushtarakët, sepse kjo do të përbënte një precedent shtesë dhe në dëm të imazhit, kohezionit dhe solidaritetit në FA.

Kjo pasi mbështetur në Kushtetutë dhe Ligjin nr.8097, dt. 21.3.96, përcaktohen statusi politik dhe shtetëror i pozicioneve të këshilltarëve të Presidentit, përfshi edhe këshilltarin Ushtarak. Kështu, jo gjeneral AHMETAJ, por funksioni nuk është subjekt i rregulloreve të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë ushtrimit të detyrës si këshilltar i Presidentit, për me tepër Autoriteti i MM nuk mundet të legjitimohet jashtë tabelës së Organizimit dhe Pajisjeve (TOP), të miratuar me VKM, 194, datë 04.03.15, ku specifikisht ky pozicion me insistimin/arrogancën e MM nuk është i përcaktuar si ushtarak aktiv.

Nga ana tjetër, i siguroj të gjithë aspiruesit, protagonistët, të shpërdoruarit dhe konformistëthallexhinj se paqartësitë ligjore në 25 vjet, deviacionet, terminologjia akademike, qasja me dy standarde e MM (insistimi për të mos e trajtuar në vijimësi sipas protokollit të ushtarakut aktiv etj., ndërsa vullneti, referencat, terminologjia dhe qasja për “ta ndëshkuar” si ushtarak aktiv tregojnë për prapavijën e hakmarrjes politike të këtij procesi propagandistik.

Në këtë kontekst, i bëj thirrje edhe kryetarit të Parlamentit dhe Kryeministrit, dhe institucioneve relevante, të ndalin këtë fushatë staliniste kundër gjeneralit, i cili sa për shkeljen e “kodit të etikës në FB si zyrtar i lartë dhe ushtarak” ka vetëmarrë dy masa ekstreme njëherësh (a) ka dhënë dorëheqjen nga funksioni dhe i (b) i ka kërkuar komandantit të Përgjithshëm (eprorit të drejtpërdrejtë) daljen para kohe në rezervë.

SE KATËRTI
Jam pyetur nga gazetarë, miq, kolegë dhe partnerë strategjikë e të zakonshëm, brenda dhe jashtë vendit për “zhgënjimin deri në kockë”. Paraprakisht, rikonfirmoj se para dorëheqjes i kam kërkuar ndjesë zyrtarisht edhe publikisht Presidentit NISHANI, kolegëve të institucionit të Presidencës, ushtarakëve të FA, për ngarkesën institucionale dhe në raport me funksionin dhe gradën e lartë ushtarake që përfaqësoj.

Në shtesë të arsyeve të paraqitura në kërkesën për dorëheqje, dëshiroj të konfirmoj se përveç ”statusit agjitacion e propagandë” në FB, një arsye e fortë për dorëheqjen ka qenë kodi i etikës së ushtarakëve, shoqëruar me standardet perëndimore të besimit ndërmjet komandantit dhe vartësit të drejtpërdrejtë në zinxhirin e Komandimit Strategjik të FA. Pa asnjë mëdyshje, mbetet një privilegj, kënaqësi, eksperiencë dhe përgjegjshmëri e papërsëritshme të punosh për/me kryetarin e Shtetit.

Dhe, jam në paqe me veten se përtej detajeve specifike (që nuk kanë asnjë rendësi për publikun) edhe me rastin e dorëheqjes kam bërë aktin e duhur dhe në kohën e duhur. Me këtë rast, dëshiroj t’i siguroj të gjithë aktorët dhe faktorët e interesuar se kjo rrethanë (përfshi edhe konsekuencat) më bëjnë më të ndërgjegjshëm, më të motivuar dhe më të vendosur për të kontribuar me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri shtesë.

SË FUNDMI, POR JO NGA RËNDËSIA
Kam marrë të gjitha përgjegjësitë dhe po përballem me pasojat edhe pse në rastin konkret, nuk e gjej në raport me motivimin, përkushtimin, shkollimin, profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe kontributet në këtë pozicion, në detyrat e larta brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, jam në paqe dhe krenar me veten, se përtej “një gabimi fatal elektronik”, kam trajtuar shqetësime të vërteta për përbërjen dhe produktet e KSK, që në analizën time profesionale mbetet më i diskredituari në historinë e parlamentarizmit të RSH, në NATO, dhe jo vetëm.

Përtej modestisë se tepruar, nuk besoj se të jem një “ushtar i panjohur”, pasi në 32 vjet shërbim në FA, kam kontribuar 10 vjet në strukturat strategjike të reformave të Sigurisë dhe Integrimit; i shkolluar në Kolegjin e NATOs, rreth 6 vjet përfaqësues Kombëtar në Komandën Supreme të Aleancës, zëvendësshef i SHP, dhe produktet/risitë si këshilltar i Presidentit, është një udhëtim krenarie, por besoj edhe për familjen dhe miqtë e panumërt. Kështu, përmbyllja e përkohshme e një marrëdhënieje burokratike nuk më pengon, përkundrazi më ndihmon për të qenë një zë me “arsye të fortë”, dhe premtoj publikisht se do vijoj të kontribuoj edhe me më shumë përkushtim dhe përgjegjshmëri për modernizimin e sistemit të sigurisë jo në dobi të oligarkëve të sofistikuar, por në shërbim të qytetarëve, prosperitetit të shoqërisë dhe interesave strategjike mbarëkombëtare. Dhe për këdo që gjen ekspertizë, vlera dhe inspirohet nga profili im profesional, do të isha jo vetëm i gatshëm, por edhe i lumtur të më kontaktonin në çdo kohë në [email protected]!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura