Komisar Dino Kalenja, dole malit për liri, Mallakastra të kish djalë, sot të ka hero në ballë…

May 6, 2024 | 10:14
SHPËRNDAJE

YLLI XH. DURAJYLLI XH. DURAJ

NË VEND TË PROLOGUT

Në panteonin e artë të historisë të kombit kulmon një nga ngjarjet më të mëdha, epopeja e ngadhënjishme e Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare. Kjo luftë në rrugëtimin e kombit shkroi lavdinë e tij. Sado që kohët ecën dhe largon madhështinë hyjnizues të kësaj epopeje, gjaku i derdhur i bijave dhe bijve të kombit thërret në histori, thërret për atë çka ata dhanë jetën në lulen e rinisë. Liria për të ishte gjëja më e shenjtë, ishte mbi jetën. Me patosin e shpirtit, rrokën armët qindra e mijëra vetë e iu ngjitën maleve në luftë ku shkruan një histori dritëdhënëse, përballë një armiku të egër, të madh, çnjerëzor, që kërkonte të rrënonte e zhdukte lirinë e kombit, ekzistencën e tij.

Por një popull i tërë, i etur për liri, që kishte treguar se atdheu ishte më i shtrenjtë se çdo gjë, shkroi histori të patreguar, që sot ngelen si gurë themeli të kujtesës së tij historike. Pëllëmbë e tokë, gjak e histori, partizanët, bijtë e tij, kumtuan mesazhin e madh se gjaku i derdhur do të ishte flamuri i kombit, lartësimi i tij në çdo moment të jetës, flamuri dhe ylli ishin që i udhëhoqi në përpjekje, në beteja, në gjakderdhje, kur dhe shokët i binin pranë, ata ngritën lart atë flamur që simbolizon sot qytetërimin tonë.

Histori gjaku në këngë
Flakë e zjarr merr Margëlliçi
Kërcet bomba e maliheri,
Në sulm hidhet Matohiti,
Rreh Shqiponja krahët në erë,
Në Kasnicë Dino Kalenja,
Mbi gjermanët grin e korr,
Në sulm Lefteri me Meleqin,
Në një ditë katër heronj…

JETA DHE RRUGA E HEROIT…

Kalenja, fshati në zemër të Mallakastrës, me bijë e bija që kishin marrë pjesë në kryengritjen e Rrapo Hekalit, në ngritjen e flamurit e shpalljen e Pavarësisë, në luftën e Vlorës në 1920, do të lindte edhe një trim, heroin e ardhshëm të popullit, Dino Kalenja.

Dinoja që në fëmijëri u ushqye me dashurinë për Atdheun. Në biseda e gëzime flitej e këndohej me krenari për Lulo Duraj, bashkëluftëtarin e Rrapo Hekalit, flitej për ngritjen e flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912 si dhe për luftën e 1920.

Në Liceun e Korçës, Dinoja do të brumosej me idetë e lirisë dhe si rrugë të mundshme shihte revolucionin francez. Dinoja ndante idetë patriotike me xhaxhain e tij, Xhafon, si pjesëmarrës në Luftën e Vlorës të 1920 si dhe me shokët e tij Ndreçi Plasari, Nesti Nase, Fatmir Gjata e shumë shpejt do të organizonin takime me komuniste të grupit të Korçës si Zisi Avrami, Kiço Qendro, Zisi Bojdani, Todi Manco etj..

Shkëndija e parë ku do të demonstronin idetë e tyre patriotike ishte pjesëmarrja e Dinos dhe shokëve të tij në demonstratën e madhe që u zhvillua me 7 Prill 1939 në qytetin e Korçës kundër pushtimit fashiste, ku së bashkë me 106 liceistë të tjerë do të përjashtoheshin nga shkolla.

Në gusht të vitit 1939 Dinoja dhe shumë të rinj nga Mallakastra, Tepelena, Vlora, Gjirokastra, Skrapari e shume krahina të tjera mobilizohen e dërgohen për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Itali, kryes ishte në Armen e Karabinierisë, ku u lidh me shumë shokë të idealit dhe të luftës. që vazhdonin studimet në Itali si me Asim Zenelin, dr. Nikolla Shurbanin, Hamid Shijakun e të tjerë.

1

Me lidhjet me shokë antifashistë italianë, Dino do të ishte ndër të rrallët shqiptarë që do të regjistrohej me korrespondencë në Universitetin e Romës për drejtësi, si dhe kursin e lartë për gjuhën frënge.

Në Itali Dinoja u njoh dhe lidhi miqësi me antifashistin e madh, fituesin e çmimit “Nobel” për letërsi, Salvadore Quasimodo. Studiuesi Moikom Zeqo në shtypin e shkruar shqiptar në 20 mars 2014 duke marrë shkas nga një foto e Dinos me Salvadoren shkruan: “Kartolina i paraqet ata si dy miq shumë të afërt, të ngushtë, të njohur prej kohësh, me respekt ndaj njëri-tjetrit në një park, pranë një skulpture. Nga pas kartolina ka të stampuar adresën e studios, firmës fotografike “DE ZARDO – BUC.FRESKURA – OTTIKA – FOTO – TREVISO”. Ajo më e rëndësishmja është autografi me shkrim dorë i vetë poetit të madh italian “Salvadore Quasimodo – Dino Bektashit, 29.9.1940 – XIX”. Është Quasimodo që ia ka dërguar Dinos, i cili mbante si mbiemër edhe Bektashi (emrin e babait). Kjo do të thotë se midis Quasimodos dhe Dinos ka pasur komunikim dhe letërkëmbim postar edhe të mëparshëm. Dino është shqiptari i vetëm në bote që ka fotografi me nobelistin Quasimodo, kjo tingëllon si “Radecki marsh” i Shtrausit në finale. Po çfarë e ka lidhur Dinon me Quasimodon? Ka vetëm një përgjigje mbushamendëse: Poezia, ideali antifashist. Poezitë e tij janë lirike, afrohen me ato të Lasgushit, ja disa vargje “vyshken zemrat, ndryshkën lulëkuqet”, “Çahet kraharori si shegë e kuqe”, “Malli thonjte ngul mbi dallgë”, “Po të pres te guva e Hënës/se të nesërmes s’i dihet”, “Pikë e lotit lot me zjarre”, “vështrimet ndër sy ciflosen”, “Si dy zogj në pafajësi ulur rrimë në korije/në xhepin e shpirtit tënd bluhen afshe dashurie”, “Eh, në sytë e lagur mësuam notin”. Dhe më poshtë Moikomi vazhdon: “Nga koha e qëndrimit në Itali kanë mbetur disa fotografi, por mbi të gjitha është edhe fotografia e vajzës italiane Loletta, që ai e deshi pakufishëm, që i kushtoi edhe disa nga poezitë më të frymëzuara. Një fotografi e dytë i tregon edhe bashkë. Njëra ka edhe mbishkrimin në italisht “A Dinucio Roma” dhe “Come pegno d’amore – LOLETTA”. E dashura e thërriste duke italianizuar emrin e Dinos në Dinucio. Dinua u vra në Shqipëri, ku vdiq Loletta? Kush mund ta rindërtojë sekretin e kësaj dashurie vallë? Heshtja është e pazhbëshme në jetë të jetëve. Dinon u gdhend në monumente dhe skulptura bronzi. Por vargjet janë më të forta dhe kumbuese sesa bronzi. Ai kishte mik një Italian antifashist, partizan në batalionin “Ismail Klosi” – quhej Borgomazh. Kur ai u vra, Dinoja i kushtoi një poezi:

Të mori plumbi në Qafë te Kiçokut.
Tani tek koka, atje majë malit,
Nuk ka asnjë emër, por veç një pejzash
në pllakën e hënës… gdhendur
“Borgomazh”.

2

DUKE PERSONIFIKUAR LIRINË ME GRYKËN E PUSHKËS QË DO TË LUFTONTE ARMIKUN, DINO THUR VARGJE

Harruam një çast të dashurojmë.
Lulet vyshkën ende pa çelur.
Pushka na u bë dorë,
për të përkëdhelur.

Për Moikom Zeqon miqësia e poetit italian, nobelistit, Salvatore Quasimodo me poetin dhe antifashistin shqiptar do ta frymëzonte të shkruante dedikim për këtë miqësi në librin e tij: “Në anën e trilluar të kohës”.

Në gusht të vitit 1942 Dino do ta gjente veten në Shqipëri e do të vendoste menjëherë lidhje të drejtpërdrejta me shokët e tij të idealit që luftonin për liri kundër fashizmit si me Gogo Nushin, Sekretarin Politik të Partisë Komuniste për Qarkun e Tiranës. Për të kryer misionin e tij do të bëhej kryesekretar në Sekretarinë Sekrete të Komandës së Xhandarmerisë, Tiranë. Qamil Poda, një nga drejtuesit e njësiteve guerile në Tiranë, në shtypin e shkruar shqiptar dhe në dokumentarin kushtuar Dino Kalenjës, shprehet: “Dino, me gjakftohtësinë, zgjuarsinë e talentin e tij si ilegal i sprovuar, u bë mbështetje e fuqishme për kryerjen e aksioneve nga njësitet guerile. Me miratim të Qarkorit të Tiranës, Dinoja, me disa shokë të njësiteve guerile, si dhe në koordinim me çetën e “Dajtit” kryen aksionin për nxjerrjen nga burgu i Spitalit Civil të 13 të burgosurve politikë që së shpejti do t’u behej gjyqi për t’i ekzekutuar. Dinua, i veshur me uniformën e kapitenit italian, u fut në spital dhe në prezencë të personelit, me zë të lartë e në gjuhën italiane, urdhëroi xhandarët e shërbimit që të nxirrnin menjëherë gjithë të burgosurit e t’i hipnin në kamionçinë, se do t’i çonin në gjykatë për t’i dënuar. Me pretekst se do shoqëronin e ruanin te burgosurit, në kamionçinën e shërbimit hipën të gjithë xhandarët dhe vazhduan rrugën deri te bregu i lumit Erzen, ku i prisnin partizanët e çetës së “Dajtit”. Edhe të njëmbëdhjetë xhandarët iu bashkuan çetës dhe dolën partizan.

dino7

Ishte ky aksioni i udhëhequr nga Dino Kalenja që bëri që Kuestura të krijonte dyshime për veprimtarinë e tij dhe organizoi survejimin e tij në çdo hap.

“Kemi të dhëna pasigurie për të burgosurit politik të cilët janë në ruajtje nga ana e asaj komande. Vetëm muajt e fundit kemi dy – tre grupe të burgosurish që janë arratisur…”

Ndërsa Qendra e SIM – it në Romë në mes të tjerash i jepte këto porosi qendrës së saj në Tiranë: “…Keni humbur vigjilencën. Armiku na është future në gji. S’ka rrugëdalje. Në Tiranë dhe në Durrës qarkullojnë zëra se në xhandarmërinë shqiptare kane depërtuar shumë elementë komunistë që kanë për qellim të provokojnë lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, qoftë nga burgjet, qoftë nga kampet e përqendrimit…”.

Lidhur me këtë aksion Kuestura e Tiranës njoftonte Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë: ” Mbrame rreth orës 20.30, trembëdhjetë të burgosur politike të shtruem në pavionin e posaçëm të Spitalit Civil të pjantonuem nga Gjindarmëria Mbretënore patën mundësi me hikë tue përdorur një autoqerre e cila me ndërmjetësinë e personelit shërbyes ishte kenë futun në oborrin e spitalit. Së bashku me të burgosurit politikë, të shtruem në këtë pavion special, u arratisën edhe nënoficeri graduat dhe 10 gjindarmët e urdhënuem me atë shërbim. Hetimet vazhdojnë. Rezervohemi me ju dërgue listën e të hikunve…”

Para se t’i bashkohej çetës së Pezës, me dokumente false, nxori nga burgu shokun e tij te shkollës fillore dhe më vonë bashkëluftëtarin e shquar, Heroin e Popullit Dervish Hekali, dhe e nisi për në Mallakastër. Qemal Ceka, ish kuadër lufte në Durrës, kujton: “Dervish Hekali transportonte armë e municione me një kamionçinë nga Durrësi në Mallakastër, me leje qarkullimi të përgatitur nga Dino Kalenja”.

Mbas aksionit të spitalit, Dinoja e kishte të pamundur të kthehej në Tiranë, prandaj Qarkori ngarkoi Qamil Podën dhe Zyhdi Radën, që ta ruanin e ta shoqëronin menjëherë tek Babë Myslymi në Pezë. Skënder Konica (mbas çlirimit një nga drejtuesit kryesorë të zbulimit shqiptar) kujton: “Në një takim që organizoi Beqir Balluku me mua, Lym Ketën dhe Qamil Podën, lidhur me masat urgjente që duheshin marrë mbi bazën e një informacioni të siguruar nga Dinoja, ndërmjet të tjerash na tha: “Dinua, mbasi filloi punë në Komandën e Xhandarmërisë, me rekomandim të Gogo Nushit dhe timin, u pranua në radhët e Partisë Komuniste. Prandaj, për pozicionin që ka dhe informacionet që na jep, kemi detyrimin e përgjegjësinë e madhe për ta ruajtur nga dekonspirimi dhe rreziku”.

“Qamili – tregonte Skënder Konica – ishte një ndër më të besuarit e Qarkorit të Partisë, prandaj ishte caktuar “prima korrier” për të transmetuar detyra, porosi e informacione midis Qarkorit dhe drejtuesve të njësiteve guerile të Tiranës, por edhe për të shoqëruar udhëheqës të luftës kur shkonin në Pezë, midis të cilëve edhe Enver Hoxhën”. Në Pezë, Dinoja u miqësua dhe u bë shok besnik me Babë Myslymin, Kajo Karafilin, Maliq Muçon, Sali Verdhën, Josif Zegalin (personazhi real tek filmi “Kolonel bunkeri”) e shumë të tjerë dhe bashkë me ta mori pjesë në aksionet që kryente çeta. Në njërin prej tyre u plagos rëndë.

Po sipas rekomandimeve të Qarkorit, Dinoja nuk i shkëputi lidhjet me shokët e idealit që vazhdonin punën në xhandarmëri dhe vinte shpesh herë si ilegal në Tiranë për ti takuar. Nëpërmjet tyre siguronte informacione sekrete për operacionet që fashistët italian planifikonin ndaj forcave partizane, për dekonspirim bazash, plane për arrestim ilegalësh apo për të zbuluar e demaskuar spiunët që rekrutoheshin nga italianët e dërgoheshin në rreshtat partizane dhe këto ua transmetonte.

drejtuesve të Qarkorit ose të njësiteve guerile. Ishin marrë masa që kur vinte Dinua në Tiranë, të strehohej në bazat sekrete siç ishin shtëpitë e Enver Maçit, Bedri Carës, Lutfi Sinoimerit dhe të Rexhep Fetishit (Dëshmor i Atdheut).

3

Veprimtaria e madhe, e dendur e Dinos, ishte aq e rëndësishme saqë Beqir Balluku, ministër i Mbrojtjes, pas shumë vitesh, nuk do të harronte kontributin e jashtëzakonshëm e të gjithanshëm, patriotik të njësiteve guerile të Tiranës e të Dinos, do të jepte porosi: “Ka ardhur koha që të bëhet një film për të përjetësuar kontributin e njësiteve guerile të Tiranës ku në qendër të jetë figura e Lymit, dhe për të qenë sa më e plotë, të përfshihet edhe veprimtaria e shokëve që punonin në gjirin e armikut, të përfaqësuar nga Dino Kalenja. Për realizimin e filmit do të rekomandoja skenaristin e talentuar Hysen Hakani. Ai ka bërë filmin “Debatik” dhe është duke përfunduar një film tjetër po me temë nga lufta. Shko takoje edhe në emrin tim, dhe, nëse është dakord, ndihmoje me materiale për të bërë skenarin e filmit. Konsultohuni edhe me Qamil Podën e Adnan Qatipin dhe po qe nevoja, hajdeni edhe tek unë”.

Shume shpejt u bë skenari dhe u realizua filmi me titull “Njësiti gueril”. Figura e Dinos në rolin e “Petros” iu besua aktorit shumë të talentuar durrsak, Vangjel Heba. Hysen Hakani, e kishte pikë të dobët shkrimtarin me botë të madhe shpirtërore, patriot dhe luftëtarin trim të Spanjës, Petro Markon, prandaj edhe në skenar, në respekt të tij, aktorit në rolin e Dinos, i vuri emrin Petro. Në vitin 1969 filmi u shfaq në publik dhe mori vlerësime të shumta për përmbajtjen e tij, për luftën e njësiteve guerile dhe për Dinon.

Në film ngeli si simbol kur “Petrua” (Dino Kalenja), për të konfirmuar arratisjen e një personi nga burgu, vizatoi në kapakun e paketës së cigareve një pëllumb duke fluturuar, identike me ato që Dinoja pikturonte në Kalenjë.

Në fillim të muajit gusht 1943, Dinua do të shkojë në Mallakastër dhe menjëherë do të vihet në kontakt me Bilbil Klosin, Gjon Banushin, Dervish Hekalin, Qemal Klosin, Zenel e Shefqet Hekalin, Hajdar Aranitasin, Shefit Fetiun, Feçorr Shehun e shumë drejtues të tjerë të luftës në krahinë. Në krye të Komandës së Vendit, Dinoja do të kontribuojë për kapërcimin e gjendjes së rëndë, që ishte krijuar pas Operacionit Fashist të Korrikut 1943. Në muajin tetor të atij viti Dinoja caktohet Komisar i Batalionit “Ismail Klosi”.

Si komisar batalioni mori pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan në Mallakastër, Tepelenë e gjetkë. Po përveç kësaj, Dinoja ndihmonte edhe për ringritjen e fuqizimin e këshillave nacional çlirimtarë si dhe për mobilizimin e popullit dhe ne veçanti të rinisë në luftë.

Sipas kujtimeve të Gjon Banushit, Halit Kacanollit, Ali Shehut, Tajar Asllanit, Myrteza Pepës etj., Dinoja, me eksperiencën që kishte fituar kur kryente shërbimin ushtarak në Itali, në njësitet guerile dhe sidomos si partizan në çetën e Pezës, kishte përgatitur një program për edukimin e stërvitjen e partizaneve të batalionit ku përfshihej: njohja dhe përdorimi i armëve, veprimet e sjelljet në sulm, në mbrojtje e tërheqje si të ruhej distanca, heshtja e mos pirja e duhanit në marshim, sidomos natën e në rrugë të pa njohura; si të ruhej gjakftohtësia dhe veprimet që duheshin kryer kur binin në pritë; si të shfrytëzohej tereni për tu mbrojtur nga goditjet e armikut etj..

Me përgatitjen e tij intelektuale, Dino do t’i kushtonte punë të madhe luftës kundër analfabetizmit, që në çdo kompani asnjë partizan te mos mbetej pa mësuar shkrim e këndim. Në kohën e lirë u fliste për historinë e popullit shqiptar, për luftërat për liri e pavarësi, për çetat e Rrapo Hekalit, Zenel Gjolekës, Çerciz Topullit, Mihal Gramenos, për shpalljen e pavarësisë nga Ismail Qemali në 1912, për luftën e Vlorës në 1920, për kryengritjen e Fierit në 1935 e shumë të tjera. U lexonte vjersha me përmbajtje patriotike të Naimit, Çajupit, Asdrenit, Pashko Vasës, Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Migjenit etj.. Në biseda u fliste për pabarazinë shoqërore, për shfrytëzimin kapitalist, për regjimin fashist e për ëndrrën që kishte për përhapjen e shkollave e universiteti, për ndërtimin e rrugëve dhe zhvillimin e ekonomisë, për elektrifikimin e vendit, për zhvillimin e industrisë dhe hapjen e minierave e për shume sfida të tjera me të cilat do të përballeshin pas lufte. Lufta për liri do të mëkonte edhe idealin për jetën. Dino sa patriot e luftëtar, aq edhe njerëzor, do të shkruante me ndjenja edhe poezi.

HTËPIA MAGJISTARE
Pse më tërheq kaq, shtëpi stërgjyshore?
Mos je magjistare, o shtëpi e vjetër?

Ku vanë ato këngë, ç’u bë lumturia,
Përrallëzat e gjyshes, përrallëza magjie,
Sado e gremisur, un’ të adhuroj,
Me sy mallëngjyer vij të ngushëlloj,
Nga ti diçka dua, dua lumturinë,
Ndaj të lutem nëma ti shtëpi e mirë!

RËNIA E HEROIT, DUKE BUZËQESHUR…

Mars ’44, luftime të ashpra kundër forcave gjermane në rajonin Patos – Belishovë – Kasnicë.

Në një prej ditëve Komanda e Grupit mori një informacion të sigurt se forcat gjermane dhe ato të Ballit Kombëtar me në krye Kadri Cakranin po përgatiteshin për një operacion tjetër ndëshkimi ne Mallakastër. Margëlliçi i fortifikuar, forcat gjermane të pajisura me artileri, mortaja, mitraloza të rëndë, automatik e bomba, krijuan domosdoshmërinë që të vinin në ndihmë të Grupit të III të Mallakastrës forca të tjera partizane. Sulmi u planifikua të fillonte më datën 29 Mars në orët e para te mëngjesit. Në krye të forcave partizane të Grupit III u caktua Dino Kalenja.

Po jo çdo gjë shkoi sipas planifikimit, çka bën të dyshosh se ka pasur rrjedhje të informacionit për përgatitjen e këtij sulmi, të kohës dhe drejtimeve nga do të bëhej ai.

Kështu kur forcat e Grupit të III që drejtoheshin nga Dino Kalenja po shkonin për të zënë vijën e sulmit, u goditën befasisht e me të gjithë forcën e armëve, me mitraloz, automatik e granata nga një detashment zbuluesish gjerman, që në fshehtësi të plotë kishte udhëtuar për gjithë natën nga Fieri dhe ishin pozicionuar në kodrën mbi Kasnicë, me objektiv që pasi të bllokonin e shpartallonin forcat e Grupit të III, të dilnin në shpinë të batalionit “Naim Frashëri” të Brigadës 6S.

Ishte meritë e Dinos që me gjakftohtësinë e aftësitë luftarake që e karakterizonin, organizoi menjëherë mbrojtjen e forcave dhe sulmin e furishëm për kapjen e kodrës. Ishte një nga aksionet më të guximshme e më të suksesshme se jo vetëm u ruajtën partizanët nga humbje të pa imagjinueshme, por u arritën të futeshin në llogoret e gjermanëve dhe ti shpartallonin plotësisht ata. Kjo e bëri të pamundur edhe planin e gjermanëve për të goditur mbas shpine e vënë midis dy zjarresh forcat e batalionit “Naim Frashëri”.

Në atë përleshje dhëmb për dhëmb e bajonetë për bajonetë, ranë në fushë të betejës për të mos vdekur kurrë partizanët Sabri Merkaj nga Drizari, Faik Dulja nga Aranitasi, Hamit Jonuzi nga Çorrushi, Dëshmorë të Atdheut.

Edhe pse një karikator i një automatiku gjerman, preu Dinon gati në fund të betejës, Dino nuk ra, por me dorën përpara drejtonte partizanët drejt armikut. Ai nuk do të binte lehtë pasi ideali i tij i hyjnizues për atdheun, flamurin e kombin, do të bënte ta priste vdekjen në këmbë. Kështu ngeli Dino Kalenja, hero në këmbë, duke shkruar me gjak historinë.

E njëjta situatë u krijua edhe ne Margëlliç. Kur forcat e batalionit “Naim Frasheri” po afroheshin për të zënë pozicionet, u goditën befasisht nga forcat gjermane me mortaja e mitraloz të rëndë. Po heroizmi e vetëmohimi partizan në Margëlliç e shkatërroi mbrojtjen gjermane dhe i detyroi ata të lënë pozicionet e të çorganizuar e në panik të tërhiqeshin në Fier, duke lënë 46 të vrarë dhe disa dhjetëra te plagosur. Po në atë betejë, flijuan jetën Heronjtë e Popullit Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti e Lefter Talo, si dhe 13 dëshmorë te tjerë te Brigadës së 6S.

Përpara se të binte në betejë, Dinos do t’i ngarkohej detyra e zëvendës komisarit të Grupit të III të Mallakastrës. Me 1 prill 1944 u be riorganizimi i Grupit të III të Mallakastrës dhe një batalioni u dha emri “Dino Kalenja”.

4

Kujtesa e babait, Bektashit, për heroin e rënë: “Isha tek lëmi i Velos kur shikoj tek Rrahu, afër kroit një grup partizanesh me një vig në sup. Me theri mu në zemër, mu errën sytë e bota më erdhi rrotull, mu zu gryka e nuk po mbushesha dot me frymë. Me ishte vrarë Dinua, drita e syve, shpresa ime. U vrave edhe ti Dino, po babai të fal, se për vatan e dhe xhanë. Dasmë pa mish dhe luftë pa gjak nuk ka. Hallall e paç qumështin e Hatemes që të lindi dhe i paharruar qofte kujtimi yt. Pastaj ngjita shkallët, u futa në shtëpi dhe nga sepetja nxora flamurin që na i dhanë në Vlorë, kur shkuam në ngritjen e flamurit dhe qëndruam roje për të mbrojtur Qeverinë e Ismail Qemalit, dhe me të mbulova trupin e Dinos”.

VËLLAI I HEROIT…

Djali tjetër i Bektashit, Xheviti, i cili në 1 Maj mbushte 17 vjeç, po i lidhur me LANC-in që në fillim dhe bashkë me disa show të tjerë mallakastriotë, ngritën të parën organizatë të rinisë antifashiste në krahinë dhe u zgjodh anëtar i komitetit drejtues. Një dite, mbasi u bënë të shtatat për Dinon, Xheviti me bekimin e prindërve shkoi partizan në Batalionin e sapo formuar “Dino Kalenja”.

Kur e pyeste ndonjë Bektashin, për kohën si kryetar i këshillit nacional çlirimtar të fshatit dhe anëtar për krahinën e Mallakastrës, thoshte: “Në kohë lufte çdo gjë është shumë e vështirë, por të bindësh popullin të hapi dyert e shtëpive e të ndajë kafshatën e bukës me partizanët, apo të dërgojnë djemtë partizanë, duhet të japësh vetë shembullin i pari në të gjitha drejtimet”.

5

S’kishte si të ndodhte ndryshe në një familje ku ideali i lirisë ishte ideal jete, në luftë u përfshi tërësisht i gjithë fisi Duraj. Xhafua u bë komandant i çetës së fshatit; Sabriu, Abazi e Zylua anëtar të çetës, kurse Sinani, Demua, Lulua, Qemali, Rrapua e Qerimi u hodhën në rreshtat partizane. Dhe jo vetëm kaq, po të gjitha shtëpitë e tyre i kthyen në baza të luftës.

Bektashi do të shpallej “Patriot” për pjesëmarrjen e tij në ngritjen e Flamurit në Vlorë në 1912 dhe në Kryengritjen e Fierit në 1935, kurse për kontributin në LANÇ do të dekorohej me Medaljen e Kujtimit, të Çlirimit dhe të Trimërisë.

SI KUJTIM TË DINOS…

Gjyshërit e mi, Bektashi e Hatemja në Kalenjë, të cilët jetonin me luftën heroike, rënies e lavdishme të Dinos, duke mos e përballuar dot vetminë e tyre, dhe për të simbolizuar vazhdimin e jetës që ajo të buzëqeshë, më morën mua të vogël si dashuri të veçantë të tyre. Kam jetuar me ta nga foshnje deri në klasën e tretë. Kujdesi, përkushtimi për të më rritur dhe dashuria pa kufi që më falnin, besoj se u largonte deri diku mendjen dhe mallin që kishin për Dinon. Mbaj mend kur një herë e pyeta gjyshen se pse më thoshte “Ylli i nënës”, ajo në moment e pa u menduar fare më tha: “Se re nga qielli dhe nëna të priti në fute”. Deri në vitin 1969 kur vdiq Bektashi unë pushimet e shkollës i kaloja në Kalenjë. Në kujtesën time janë skalitur shumë nga bisedat e kujtimet e të afërmve dhe shokëve të Dinos, për cilësitë, karakterin, dëshirat, interesat e prirjet qe kishte etj. Më bënte shumë përshtypje kur gjyshja futej tek dhoma e miqve dhe përkëdhelte e u fliste sikur të ishin gjallë dollapit, librave, aparatit fotografik, fotografive, dhe disa objekteve të tjera që i kishte sjellë Dinua. Shpesh shkonim bashkë tek ish varri i Dinos, se eshtrat e tij u çuan për t’u prehur tek Varrezat e Dëshmorëve. Gjithmonë merrte me vete ndonjë tufe borziloku, trëndelinë, lule blete, lofatë, xane, shege dhe e përmallur e me lotët që s’i pushonin nga sytë, vështronte varrin, e pastronte nga bari, hidhte ndonjë dorë pleh tek ulliri i mbjellë në krye dhe i fliste Dinos sikur bisedonte me të.

POPULLI, MBAS RËNIES SË DINOS NË LUFTË, I KËNDOI:

Komisar Dino Kalenja,
dole malit për liri,
në Pezë e Mallakastër,
luftove me trimëri,
Idealet e Atdheut i mbaje zjarr në gji
20 e ca shokë nga burgu i hodhe në arrati
Mallakastra të kish djalë
sot të ka hero në ballë
se linde trima luanë
Komisar Dino Kalenja,
Ramiz e Dervish Hekal

Dino Kalenja do të përjetësohej në këngë, me muzikë të kompozitorit Ferdinand Deda e tekst të Refik Kadisë. Heroi do të mbesë gjithmonë në kujtimet e brezave dhe historisë së popullit të tij… “Në luftën kundër okupatorit dhe tradhtarëve të vendit, si partizan i çetës së Pezës, në njësitet guerile në Tiranë dhe si Komisar i Batalionit “Ismail Klosi” ka treguar akte të shquara heroizmi. Duke qenë gjithmonë në ballë të luftës ka udhëhequr me shembullin e tij dhe partizanet e tjerë deri sa ra heroikisht në luftën kundër nazisteve gjerman dhe tradhtarëve të vendit”. Do të dekorohej me titullin më të lartë “Hero i Popullit” duke ngelur në panteonin e artë të historisë së një yll që ndriçon në historinë e kombit.

Tiranë, më 05.05.2024
Ylli Xh. DURAJ, Kolonel në lirim

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura