Kodi i ri, rriten gjobat për shkeljet në rrugë. Korpa: Plan të ri masash për zbatimin e ndryshimeve

Apr 21, 2015 | 16:20
SHPËRNDAJE

Masat administrative të parashikuara në Kodin Rrugor u ashpërsuan për të gjithë ata që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit, por e njëjta gjë vlen tashmë edhe për ata që ndërhyjnë në rrugë.

“Rruga e Kombit”

Drejtori i Standardit dhe Monitorimit në Ministrinë e Transporteve, Arjan Korpa, në një intervistë për gazetën tha se ndryshimet në fuqi do mbështeten nga një plan zbatimi për t’i bërë ato efikase. Ai shprehet se kjo bëhet për të ruajtur sinjalistikën dhe investimet e bëra në rrugë, që për vitin 2014 ishin katër herë më të larta se në 2013 dhe në disa prej akseve kryesore në vend.

Z. Korpa, ka një ashpërsim të masave sa u përket ndërhyrjeve që mund të bëhen në rrugë. Cili është hapi i radhës për ta zbatuar këtë?

Masat administrative ndaj kundërvajtësve të ligjit janë forcuar më tepër me ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor. Qëllimi edhe ashpërsimi i këtyre masave administrative është kryesisht ndaj kundërvajtësve administrativë për dëmtimet e sinjalistikës rrugore, vendosjes së reklamave dhe hyrje-daljeve të paautorizuara apo ndërtimit të pikave të karburanteve pa korsi ngadalësimi apo përshpejtimi dhe me hyrje-dalje të paautorizuara. Zbatimi i masave administrative për dëmtuesit e infrastrukturës rrugore, dëmtime të cilat përkthehen menjëherë në një risk shumë më të lartë për përdoruesit e rrugës, përbën prioritet për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës dhe për këtë është menduar edhe një plan zbatimi, kjo edhe në bashkëpunim me institucionet e tjera të varësisë apo ministritë e linjës.

Sipas jush, a është i mjaftueshëm ashpërsimi i masave? Cila mendoni se është zgjidhja përfundimtare për këtë problem që kthehet në kërcënim për jetën e atyre që qarkullojnë me mjete në akse ku mungon sinjalistika apo ndërhyhet në rrugë?

Hapi i parë pa dyshim që ishte plotësimi i sinjalistikës, ndërkohë që ashpërsimi i masave është një mundësi për të dekurajuar ndërhyrjet. Zgjidhja afatgjatë do të kërkojë më shumë punë. Rregulli i ri teknik që Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës është duke përgatitur do të vendosë standarde të reja dhe fokus të veçantë në drejtim të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore. Kompanitë që do të kryejnë mirëmbajtjen e rrugëve do të duhet të mbajnë nën vëzhgim edhe pikat e rrezikut dhe të ofrojnë edhe ndihmë në rast problemesh dhe aksidentesh. Për më tepër, projektimi dhe ndërtimi i rrugëve të reja në të ardhmen do të bëhet në bazë të rregullit të ri teknik që do të fillojë të zbatohet së afërmi me qëllim që të kemi infrastrukturë të projektuar dhe ndërtuar tërësisht sipas specifikimeve të standardeve dhe praktikave europiane me materiale cilësore të certifikuara, që do të mundësojnë edhe jetëgjatësi më të madhe të rrugëve.

Dy vitet e fundit theksi është vënë te siguria rrugore. Çfarë është bërë konkretisht me këtë pjesë?

Investimet nga buxheti i shtetit për vitin 2014 u katërfishuan krahasuar me vitin 2013 dhe konkretisht kanë shkuar në kompletimin me sinjalistikë dhe elemente të tjera të sigurisë rrugore në akset Plepa – Rrogozhinë – Fier – Vlorë – Sarandë dhe Tiranë – Durrës – Qafë Kashar – Rinas. Fatkeqësisht, marrja e masave për përmirësimin e sinjalistikës në akset kombëtare është shoqëruar edhe nga veprime të papërgjegjshme në drejtim të dëmtimit dhe vjedhjes së saj dhe ndërhyrjeve të palejuara në elementet e tjerë të rrugës, veprime këto të dënueshme në zbatim të masave administrative të parashikuara në Kodin Rrugor.

Dëmtimet e rrjetit rrugor dhe sinjalistikës komprometojnë shumë rëndë sigurinë e qarkullimit dhe sjellin një kosto shtesë për riparimin e tyre. Kjo kosto shtesë rëndon para së gjithash qytetarët, të cilët janë taksapagues në këtë vend dhe çdo gjë bëhet me kontributin e tyre. Në masat administrative parashikohet që çdo dëm që shkaktohet tashmë do të paguhet nga ai që e shkakton këtë. Synimi është që të kemi një frenim të ndërhyrjeve të paligjshme.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura