Kodheli kujton heqjen e nenit të tradhëtisë ndaj atdheut: Policëve iu hoqën pistoletat e iu dhanë shkopat e gomës

Apr 24, 2015 | 19:30
SHPËRNDAJE

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli i është referuar sot Tiranës së para 25 viteve, “e zhytur e gjitha në atmosferën e heqjes së pistoletave nga brezat e punonjësve të policisë dhe krekosjen e tyre me shkopinjtë e dhunshëm të gomës”.

“Vizita e pritshme e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Shqipëri në mesmajin e viti 1990 duhej shoqëruar me pamje sa më pak represive e totalitare. E për këtë arsye, në fillim të atij maji të largët, u ndryshua legjislacioni penal me heqjen e nenit të tradhëtisë ndaj atdheut.

Mimi Kodheli, Ministrja e Mbrojtjes

Por “izaurat”, furgonët famëkeq të policisë, gjithsesi lëviznin kudo nëpër Tiranë për të ndaluar, rrahur e mbajtur nën mbikëqyrje të gjithë të padëshiruarit e regjimit”,-tha Kodheli.

Duke folur për evoluimin e Shqipërisë në këto 25 vite, Kodheli ka përmendur një frazë të diplomatit peruvian Perez de Kuelar, se “është për t’u vlerësuar evoluimi hap pas hapi i Shqipërisë”, për të cilin tha se ka qenë lajtmotivi i këtyre 25 viteve demokraci e tranzicion për vendin tonë.

“Sepse neve na është vlerësuar gjithnjë evoluimi, por rezultatet varet se nga cili kënd i shohim. Kemi bërë shumë e kemi dalë jashtë natyrës sonë për të mirën e shoqërisë dhe vendit? Apo e kemi nisur nga hiçi dhe sado pak të kemi bërë, gjithsesi do të kishte ndryshim? Nuk mendoj se ndonjëri prej nesh këtu hyn në radhët e pesimistëve, por jemi të gjithë të aftë të analizojmë me skepticizmin e nevojshëm atë që është arritur, apo nuk është arritur në këtë çerek shekulli”,- tha ajo.

Kodheli ka folur edhe për lëvizjet e shqiptarëve jashtë vendit, të ndikuara siç tha ajo nga kushtet e vështira ekonomike të shoqërisë.

“Nëse deri para 25 vjetësh, lëvizja brenda vendit ishte e kontrolluar, kurse jashtë ishte e pamundur, në 1991 gjithçka iu la në dorë rrëmujës që akoma na karakterizon. Dhe të gjithë të lëvizurit, ndihmuan ekonomikisht familjet që kishin lënë pas…Sot, ky fenomen po bëhet shqetësues, pasi lëvizja e lirë e njerëzve nuk presupozon qëndrimin me synim jetesën në vendet e Europës perëndimore. Por më lejoni të bëhem pak kontroverse dhe të vë në dukje faktin se drejt cilit rajon synojnë instinktivisht shqiptarët? Shqiptarët që kërkojnë Perëndimin, megjithë shqetësimin e madh që krijojnë, janë një shembull shumë më i mirë se ai grusht njerëzish që shkojnë drejt Lindjes fanatike fundamentaliste. Im bir ka lindur, është rritur dhe bërë burrë duke ndjerë, perceptuar e dëgjuar fjalën tranzicion. Detyrimi ynë si pushtetarë sot është të flasim me gjuhën e rezultateve, për ta bërë Shqipërinë një vend të aftë që të shfrytëzojë zotësitë e veta dhe t’i transformojë ato në histori suksesi ekonomik dhe shoqëror, me qëllim që fëmijët e djalit tim fjalën tranzicion ta gjejnë vetëm në librat e historiesë”,- tha ministrja e Mbrojtjes.

Kodheli ishte e ftuar në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë: “Transformimi i Madh: 25 vjet përvoja shqiptare e tranzicionit dhe demokratizimit”, në kuadër të “Ditëve të studimeve shqiptare” të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura