Ruçi: Veliaj nxori në dritë një ministri që s’ndihej, Majkon e vë President që sot

May 27, 2015 | 17:03
SHPËRNDAJE

Kryetari i Grupit Parlamentar socialiste, Gramoz Ruçi vlerësoi kandidatin e maxhorancës për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, si reformator në ministrinë që e drejtoi për një vit e gjysëm.

I ftuar në emisionin “Studio e hapur” në News24 me gazetaren Eni Vasili, Ruçi vlerësoi Pandeli Majkon, një nga emrat pretendentë për bashkinë e Tiranës, si një kandidat të vlefshëm për president, ndërsa kritikat e Blushit i cilësoi si normale brenda debateve të brendshme që vazhdimisht ka në Partinë Socialiste. 

Gramoz Ruci

Zoti Blushi ka pasur disa shkrime kritike ndaj qeverisjes së zotit Rama. A mendoni se ai ka të drejtë në kritikat e tij?
Mos prisni ndonjë përgjigje eksplicite lidhur me këtë për arsyet që ju thashë më parë. Ka pasur edhe një spekulim para dy javësh, duke keqinterpretuar fjalën time në qytetin e Lushnjës në lidhje me deklaratat e Blushit. Unë asnjëherë nuk kam debatuar me kolegët e mi publikisht. Po të kisha ndonjë gjë, do t’ia thosha në tavolinë zotit Blushi apo brenda familjes sime politike. Mos prisni që brenda PS, që nga ‘91-shi e deri më sot, të mos ketë mendim ndryshe dhe të mos ketë aktorët të saj që për probleme të ndryshme të kenë qëndrime të ndryshme. Kjo është adrenalina e forcës sonë politike, çudia do të ishte që kjo të ndodhte te partia tjetër. Unë do të ftoja Blushin dhe kolegët e mi që të jemi pjesë e fushatës dhe unë mendoj që, nëse ne do të bëjmë për atë që nuk kemi bërë mirë apo që nuk kemi realizuar, do të bëjmë edhe kritikë, edhe autokritikë. Jam i bindur që elektorati do na mirëkuptojë, do na mirëbesojë dhe do na votojë më shumë nëse do të jemi statikë në ato që ne paraqitemi para elektoratit shqiptar.

Edhe ju keni qenë kritik, duke thënë: “zotërinj ministra, duhet të mendoni se kur vini këtu në Parlament nuk jeni kryeministra, por për të dhënë llogari dhe jo të fshiheni pas Kryeministrit… Konvergon pak me mendimet e zotit Blushi…
Unë i kam thënë hapur në Parlament edhe për një arsye, se kishte kohë që opozita nuk ishte në Parlament dhe të mos kesh opozitën kështu siç e kemi që nuk bën vërejtje konstruktive, është një mangësi e madhe. Unë, kur kam folur në Parlament, kini parasysh që ne kemi një ekip shumë të mirë qeverisës, sigurisht që është përzgjedhja e Kryeministrit, është normale në çdo vend demokratik. Vërtet u mungon përvoja qeverisëse, por kanë energjinë, vizionin, përkushtimin dhe sigurisht që ne si forcë politike u kemi lënë kohën e duhur që të bëjnë reformat e duhura, të ngrenë stafet e duhura, por qëndrimi që unë kam mbajtur, ka të bëjë me vërejtjet me personelin që ishte dje, në CEZ dhe sot në OSSHEE që kanë krijuar një gjendje skandaloze, sa u përket humbjeve nga mospagimi i faturave të energjisë elektrike. Atë ditë që unë fola, folën dy-tre ministra, folën në parim dhe nuk folën për përgjegjësitë e tyre dhe konkretisht. Unë përsëri edhe sot them që jam i pakënaqur nga veprimtaria e shumë punonjësve. Kam mjaft vërejtje për faturistët, elektricistët, mirëpo falë këtij aksioni të qeverisë është arritur goxha.

Ju thatë se u keni dhënë kohë 2 vjet kohë ministrave. Pas dy vjetësh, ju keni një mendim për punën e këtyre ministrave?
Vlerësimet e mia janë mjaft pozitive jo pse i përkas kësaj force politike, por unë mendoj se Shqipëria është në rrugën e duhur.

Pra, ju jeni plotësisht i kënaqur nga qeveria në këta 18 muaj?
Unë nga natyra nuk jam euforik, nuk jam as pesimist, por jam realist. Për këto që fola, nuk po e përshkruaj me superlativa që qeverisja po shkëlqen, por po them që qeverisja e ka kapur demin për brirësh me këto reforma që po bën.

A duheshin marrë seriozisht kritikat e zotit Blushi?
Kur e shtroni problemin kështu, do të ishte shumë normale që brenda familjes tënde politike jo vetëm zoti Blushi të diskutojë, por të analizojmë në strukturat politike të forcës politike. Sigurisht që ne nuk jemi të pagabueshëm. Kemi edhe ne defektet tona, dhe pikërisht është edhe kjo që kur merr pushtetin dhe lë partinë, lë jetën aktive brenda staturës institucionale të të gjitha niveleve organizative partiake. Ne këtë jo se e zbulojmë sot, jo se e kemi bërë pa dashje. Ne vijmë pas 18 muajve në qeverisje. Kemi dashur të bëjmë një bilanc të punëve. Tashmë që kanë kaluar 18 muaj nga qeverisja jonë, tashmë që ne do të ritestohemi në nivelin lokal dhe ju garantoj që menjëherë pas zgjedhjeve strukturat e partisë do të ulen për të parë me vëmendje, si në planin politik, ashtu edhe në planin organizativ, nivelin e përfaqësimit tonë, brenda partisë, duke bërë një reformë të plotë dhe të thellë brenda partisë, edhe të qeverisjes sonë, dhe për të bërë rifreskimet përkatëse në të gjithë nivelin e strukturave tona politike.

E keni fjalën edhe për kryetarin e partisë?
PS-ja e ka kryetarin. Unë mendoj që deri në zgjedhjet e ardhshme kryetarin e partisë e ka. Ky është Edi Rama. Po të më pyesësh mua, unë s’kam qenë për këtë sistem zgjedhor. Kam qenë për sistem maxhoritar të pastër. Dhe, kur bëhen zgjedhjet, është një zgjedhje e pastër dhe në listën e votimit kanë qenë 3 emra e më tej, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, Bamir Topi etj. Si kryetarë të partive të tyre. Edhe statuti i PS ka defekte. Është statut i një force politike në opozitë, nuk është statut i një force në pushtet. Kur të thashë që ka nevojë për një reformë të thellë dhe të fortë, edhe statuti i PS-së ka nevojë për një ndryshim, aq më tepër që është bërë edhe një reformë administrativo-territoriale. Kështu që kërkon një riformatim. Shkelje në frymë nuk ka. Ky është një defekt që ne e kemi pranuar vetë dhe nuk janë rregulla të plota.

Kur do ta mblidhni asamblenë, kur do diskutoni për kritikat e Blushit?
Sigurisht pas zgjedhjeve. S’ka nevojë për iniciativa individuale të miat apo të dikujt tjetër. Është një domosdoshmëri dhe është diskutuar edhe me zotin Rama.

Pse nuk u kandidua Pandeli Majko për kryetar bashkie në Tiranë?
Kur vjen puna tek emri si Pandeli Majko për Tiranën, p.sh. nuk ka nevojë të dëgjoj sondazhin e 2015 që Pandeliu është bërë me thinja. Bile, po ta shikosh, ai ka thinja më shumë se mua, kur është sa gjysma e moshës sime. Pandeli Majko ka qenë kandidat për kryetar bashkie që në 2000 me Edi Ramën. Që në ato zgjedhje Majko ka qenë i kooptuari i parë si kandidat. Edhe kur e kemi zgjedhur Pandeli Majkon kryeministër, mua Gramoz Ruçit më kanë ardhur dhe më kanë thënë: Ore, çfarë bëni? Ai është pa librezë pune! Mos bëmë gabim me Edi Ramën që e kandiduam për Bashkinë e Tiranës? Jo, koha tregoi se ishte kryebashkiaku më i suksesshëm që ka pasur Tirana.

Pse nuk e kandiduat Pandeli Majkon për kryetar bashkie?
Ju thashë që unë Pandeli Mjakon e vë të parin kryeministër. Sot, po të më thuash, e vë President. Nuk kam asnjë rezervë. Një forcë politike i mat gjërat në kohën dhe vendin e duhur për sot dhe nesër. Erion Veliaj është një njeri me ambicie. Këtu ku është dhe ka ardhur nuk ka ardhur as për hatër të emrit të babait apo përkrahjes së xhaxhait. Unë do ta merrja atë djalë si simbol të disa gjërave. Do ta shikoja se si mund të jesh jetim dhe ta përballosh jetën me punë. Se si mund të jesh fukara dhe të kesh dashuri për arsimimin, mund të shkollohesh në shkollat më të mira të botës. Mund të jesh i ri në moshën e Erion Veliajt dhe, po të kesh ambicie në politikë, mund të futesh dhe të konkurrosh në politikë edhe me forca të mëdha politike, siç ka qenë Partia Socialiste. Me pabesueshmëri të madhe, pse u bë Erion Veliaj ministër i Çështjeve Sociale, por ai mori një ministri që nuk ishte ndier ndonjëherë për 22 vjet dhe doli në dritë kjo Ministri me reformat që u bënë në të. Duke filluar nga reforma e pensioneve, nga qëndrimi i zbatueshmërisë së ligjit për ish-të persekutuarit, për shtresat në nevojë, për ata që merrnin asistencën sociale, e deri te hapat që kjo Ministri hodhi për zyrat e punës, apo arsimi profesional. E kam pritur mirë prezencën e zotit Veliaj në strukturën tonë politike dhe kandidimin e tij si kryetar bashkie. Jam i bindur se me energjinë që ka, vizionin dhe ambicien që ka, qytetarët e Tiranës do kenë besim të plotë dhe do ia shikojnë produktin e punës që ai paraqet me programin dhe realizimin e tyre në katër vitet e ardhshme

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura