Klubi grek hyn në garë për Maget, Partizani pret ofertën zyrtare

May 2, 2024 | 8:55
SHPËRNDAJE

Duket se Maget Gueje po luan javët e fundit te Partizani, ku është prej tri vitesh, por në sezonin e fundit e ka çuar performancën e tij në një tjetër nivel.

Maget

Për 21-vjeçarin kanë shfaqur interes disa klube, teksa “Panorama Sport” mëson se së fundmi në skenë kanë hyrë edhe gjigantët grekë të Panathinaikos. Senegalezi është titullar fiks dhe pikë kyçe e formacionit në këtë sezon dhe si i tillë talenti i tij ka bërë jehonë në klube të rëndësishme jashtë vendit, që e shohin Kategorinë Superiore si një “market” për blerjen e lojtarëve. Drejtues të lartë të Panathinaikos e kanë pëlqyer Magetin dhe nëpërmjet kontakteve të tyre në vendin tonë kanë pyetur për të ditur më shumë rreth të dhënave të tij, personalitetit dhe situatës kontraktuale me Partizanin.

Pritet që në vijim të nisin edhe kontaktet e para mes klubeve, me Partizanin, që është i hapur për oferta në këtë verë. Burime për gazetën bëjnë me dije se një skaut grek ka qenë në stadium në ndeshjen kundër Dinamos, ku ka ndjekur Magetin, por edhe ndonjë element tjetër që mund të spikasë. Mesfushori në të shkuarën është ndjekur edhe nga klubi turk i Sivasporit. Gjithashtu, ka kontakte të vazhdueshme mes Partizanit dhe kroatëve të Osijek, ku trajner është Zoran Zekiç.

Ky i fundit e ka stërvitur Magetin dhe ka besim të plotë se senegalezi mund të ndihmojë ekipin, por edhe në të ardhmen mund të shitet për një shifër të lartë në klube të rëndësishme. Sa i përket financave dhe prestigjit, mund të themi se Panathinaikos është më lart sesa të interesuarit e tjerë që janë zbuluar deri më tani. Grekët blenë Enis Çokajn për rreth 1.2 milionë euro në verën e vitit 2022. Maget numëron 40 paraqitje në këtë sezon me një kontribut prej 6 golash dhe 2 asistesh. Senegalezi ka grumbulluar 3053 minuta në total. Faktori “X” i tij mund të quhet fakti se luan në çdo pozicion të mesfushës me të njëjtin nivel.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura